Elbasani dashuri me “X, të kuqtë kalojnë në dramë
Me fitoret e pastra ndaj kundërshtarëve të tyre, Tirana (ndaj Kastriotit 3-0) dhe Vllaznia (ndaj Teutës 2-0) janë dy përfitueset e mëdha të javës së 19-të, duke u “marrë” nga dy pikë në distancë Dinamos dhe Partizanit, që barazuan në dy stadiumet e kryeqytetit, respektivisht ndaj Elbasanit (0-0) dhe Besës (3-3). Shkumbini arriti një fitore bindëse 3-1 me Skënderbeun e vendit të fundit, ndërsa Besëlidhja mori një pikë shumë të çmuar në barazimin 2-2 ndaj Flamurtarit udhëtues. Java 19, me 19 golat e shënuar gjatë gjashtë takimeve, vendosi edhe rekordin javor për numrin më të madh të golave të shënuar në sezonin 2007-2008.
Dinamo ruajti të paprekur diferencën prej 6 pikësh me Partizanin, tashmë në kuotat 41-35, por Tirana e vendit të tretë reduktoi edhe me 2 pikë largësinë me dy ekipet e tjera të kryeqytetit.
Gjatë kësaj jave nuk shënuan as Vioresin Sinani i Vllaznisë dhe as Pero Pejiç i Dinamos, ndërkohë që Klodian Duro me golin kundër Kastriotit u ngjit në kuotën e 10 golave.
Verdheblutë, dashuri me “X”
Elbasani arriti barazimin e dytë në dy vizitat rresht në kryeqytet. Pas pikëve të ndara 2-2 me Tiranën në javën e 18-të (që solli edhe shkarkimin e Astrit Hafizit), skuadra e Krenar Alimehmetit ndali edhe Dinamon kryesuese në barazimin 0-0.
Një pikë e vlefshme për verdheblutë, që me mënyrën se si luajtën, mund të dilnin edhe me tri pikë nga “Selman Stërmasi”, por u ndalën nga ish-portieri i tyre, Elvis Kotorri. Dinamo, në dy ndeshjet e para pas rifillimit të sezonit, duket se ka humbur golashënuesin e saj më të mirë. Kroati Pero Pejiç, po e ndjen fort largimin e Sabino Plakut në Norvegji. Sulmuesi, 13 gola në 17 javët e para, madje autor edhe i një pokeri në fitoren 7-1 me Skënderbeun, nuk ka mundur të shënojë asnjë gol në 180 minuta, edhe pse kundër Elbasanit kishte edhe mbështetjen e Bekim Kulit e më pas edhe të Artim Pollozhanit të ardhur nga Gjermania.
Dinamo, gjithsesi, mbeti sulmi më i mirë në kampionat, me 32 gola, por pa asnjë dyshim trajneri Agim Canaj ka për ta ndjerë shumë mungesën e Sabino Plakut, i cili në pjesën e parë të sezonit shënoi tetë gola. Ky ishte barazimi i 43-të midis dy ekipeve në 110 përballjet historike midis tyre, ku kanë ndarë edhe nga 48 fitore për Dinamon dhe 19 fitore për Elbasanin.
Ndeshjen e ardhshme Dinamo do të përballet me Tiranën, ndaj së cilës humbi terren në pikë, ndërsa Elbasani do të presë Partizanin në “Ruzhdi Bizhuta”.
Gola dhe dramë
Barazim dramatik: 3-3. Partizani kishte në dorë tri pikët dy herë rresht në “Qemal Stafa”, kur kryesoi 2-0 e më pas 3-1, por Besa e Starovës gjeti forcë për të përballuar psikologjikisht dizavantazhin dhe të barazonte rezultatin pikërisht në minutën e fundit, me anë të Artim Shaqirit, blerjes më të bujshme të presidentit Bizhdili. Takimi emocionues, por edhe me ndonjë nuancë nervozizmi, u ndoq “live” edhe nga ndihmëstrajneri i Kombëtares, Teo de Jong. Blendi Shkëmbi i dha avantazhin Partizanit në fund të pjesës së parë, kur mesfushori korçar realizoi me zgjuarsi në minutën e 42-të, për ta mbyllur edhe pjesën e parë në shenjën “1”. Fraksioni i dytë i lojës prodhoi menjëherë dyfishimin e rezultatit me anë të Dhembit në minutën e 48-të. Me avantazhin 2-0 dhe me një Besë ende të paqartë në fushë, Partizani uli ritmin, por Parid Xhihani përfitoi duke shkurtuar diferencën në 2-1 në minutën e 64-t. Të kuqtë reaguan menjëherë duke trefishuar rezultatin me anë të Elis Bakajt në të 68’. Loja dukej e mbyllur për futbollistët e Likës, por Starova me daljet e tij nervoze nga bankina rriti adrenalinën e të tijve.
Mbrojtësi Liridon Leci në të 77’ dhe sërish sulmuesi Parid Xhihani në të 90’ balancuan befasisht rezultatin në një barazim emocionues 3-3, duke regjistruar edhe barazimin e 36 midis dy ekipeve në 105 takime të luajtura. Xhihani (2) dhe Bakaj (1) me golat e shënuar u ngjitën në kuotën e tetë golave.
Javën e ardhshme, Partizanin e pret transferta e vështirë e Elbasanit, ndërsa Besa pret në shtëpi Shkumbinin.
Lojë mesatare, por “1”
Me fitoren 2-0 kundër Teutës në “Loro Boriçi”, Vllaznia, edhe pse një lojë mesatare, rifitoi sërish vlerat e nëpërkëmbura pas humbjes poshtëruese 3-1 më Kastriotin modest në javën e 19-të. Takimi u ndoq nga të dy presidentët, Fushaj (Vllaznia) dhe Hasanbelliu (Teuta).
Dy gola, njëri i shënuar nga sulmuesi i Kombëtares U-21, Xhevair Sukaj në minutën e 8-të (goli i tij i shtatë sezonal) dhe tjetri i realizuar nga “Maradona i vogël”, Albert Kaçi në të 77’ (i pari i tij), rezultuan të mjaftueshëm për formacionin e Mirel Josës për të regjistruar fitoren e tetë sezonale, ndërkohë që Teuta e Kristaq Miles pësoi humbjen e 12 në 19 javë të zhvilluara dhe të shtatën në transfertë.
Portieri i dytë, Olti Bishani, i cili zëvendësoi Armir Grimën e pezulluar, ia doli të ruajë të bardhë portën shkodrane. Vllaznia mund të kishte shënuar më shumë se dy gola, pasi me Sukaj dhe ish-lojtarin e Elbasanit, Ilir Nallbani.
Për Vllazninë, që shënoi edhe golin e 180-të historik kundër Teutës, ishte fitorja e 67-të në 139 përballje me durrsakët, të cilët nga ana e tyre kanë 30 fitore me pak, 37.
Në javën e ardhshme, Vllaznia do të përballet me Flamurtarin në Vlorë, ndërsa Teuta do të presë në shtëpi Kastriotin, që luajti pikërisht në “Niko Dovana” kundër Tiranës.
“Tris” bardheblu për Memën
Sul Mema e meriton nofkën “dhelpër bardheblu”. Jo pse trajneri i tretë sezonal fitoi 3-0 ndaj një ekipi si Kastrioti, por dy herë kampioni si trajner me rekordmenët shqiptarë, diti në mënyrë mjeshtërore të karikonte skuadrën ndaj krutanëve që një javë më parë fituan 3-1 me Vllazninë. Mesfushori i Kombëtares, Klodian Duro, çeli serinë e golave në minutën e 35-të. Për elbasanasin e 23 herë kampionëve ky ishte goli i dhjetë sezonal dhe i gjashti rresht në pesë javët e fundit të kampionatit. Indrit Fortuzi, ikona e 13 herë fituesve të Kupës së Shqipërisë, dyfishoi rezultatin në minutën e 41-të. Goli i pestë sezonal i “Zogut”, që shfrytëzoi mjeshtërisht gabimin e portierit zëvendësues të Kastriotit, Tafaj. Golin e tretë për kampionët në fuqi e realizoi zëvendësuesi Jahmi Hyka. Fantazisti i ri i Kombëtares shënoi në minutën e 74-t duke mbyllur para kohe takimin me skuadrën e Vasil Bicit. Goli i parë i ish-lojtarit të huazuar te Tirana nga Olimpiakos. Kundër Kastriotit Tirana arriti fitoren e 6-të në 14 ndeshje midis tyre (vetëm 1 fitore Kastrioti dhe 7 barazime).
Tirana ngushtoi diferencën në shtatë pikë me Dinamon kryesuese, duke u futur seriozisht në lojën për titull, pasi një fitore me blutë javën e ardhshme – fitoi fazën e parë 2-0 – do ta ngushtonte largësinë vetëm në katër pikë, kur do të duheshin edhe 12 javë të tjera kampionat. Kastrioti do të përballet javën e ardhshme me Teutën në Durrës.
“X” me vuajtje
Besëlidhja e nisi me gol dhe e përfundoi po me gol takimin me Flamurtarin, por shifrat në përfundim të 95 minutave, përfshirë dhe shtesat, fiksuan shifrat 2-2. Braziliani Da Silva shënoi në minutën e 9-të golin e parë për formacioni e Neptun Bajkos, por fundi i pjesës së parë solli golin e barazimit për Flamurtarin, që realizoi me anë të Denis Memës në të 45’. Zeqiri çoi befasisht shifrat në 1-2 (goli i parë i tij), duke sjellë jo pak tension te Bajko, por talenti 17-vjeçar Teodor Perlloshi vendosi ekuilibrat në minutën e 91-të, duke i hequr Flamurtarit një tripikësh të artë në transfertë. Për Perlloshin ky ishte dhe goli e tij i dytë sezonal. Ky ishte barazimi i 13-të midis dy ekipeve në 44 ndeshje: 10 fitore Besëlidhja, 21 fitore Flamurtari. Në javën e ardhshme Besëlidhja do të luajë kundër Skënderbeut në Korçë, ndërsa Flamurtari pret në shtëpi Vllazninë.
Formalitet peqinas
Shkumbini siguroi mesin e artë pas fitores 3-1 me Skënderbeun e vendit të fundit dhe që luajti për më shumë se 70 minuta me dhjetë lojtarë, pas ndëshkimit të Drabajt. Në këtë takim secili ekip realizoi nga një gol nga pika e bardhë, fillimisht Ilir Qorri (20’) për Shkumbinin dhe më pas Ndriçim Shtupina (28’) për Skënderbeun, duke e çuar rezultatin në 2-1. Arlind Nora shënoi golin e parë në këtë takim me fanellën e Shkumbinit (atë 2-0 në të 25’) dhe Roland Dervishi fiksoi shifrat në minutë e 31-të.
Kjo ishte edhe humbja e 15-të e Skënderbeut në 19 javë, por që nuk e ndjen aromën e pikëve qysh kur fitoi në javën e 12-të 2-0 në Durrës me Teutën. Skuadra korçare, që duket e sigurt në udhëtimin e saj drejt kategorive inferiore, pësoi golin e 47-në këto javë të luajtura. Për Shkumbinin kjo ishte fitorja e 9 ndaj Skënderbeut në 16 takime të luajtura midis tyre. Korçarët kanë fituar 6, ndërkohë që një ndeshje është mbyllur në barazim.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 19/ REZULTATET
9 SHKURT 2008
Vllaznia-Teuta 2-0
Dinamo-Elbasani 0-0
Partizani-Besa 3-3
Shkumbini-Skënderbeu 3-1
Besëlidhja-Flamurtari 2-2
Kastrioti-Tirana 0-3
KATEGORIA E DYTË
JAVA 18
9 SHKURT 2008
Erzeni-Dajti 0-1
Tepelena-Pogradeci 1-1
Sopoti-Bylis 0-2
Turbina-Bilishti 1-0
Ada-Gramshi 3-2
Apolonia-Skrapari 2-0
Lushnja-Laçi 1-0
Tomori-Naftëtari 1-1
Burreli-Luftëtari 2-0
11 Shkurt 2008