Skela shijon fitoren ndaj rivalit direkt
Ervin Skela dhe Energie Kotbuz e tij kanë arritur një fitore të rëndësishme pasditen e të shtunës kundër një rivali direkt në luftën për të mos rënë nga kategoria, Borusias së Mynshengladbahut, dhe tashmë po e shijon atë si një rikthim pas shumë rezultatesh jo të mira. Kotbuz fitoi 3-1 takimin e luajtur në transfertë. "Fitore në ndeshje të tilla kundër kundërshtarëve direkt të japin një kënaqësi të veçantë", do të prononcohej dje Skela për shtypin gjerman. Ndërkohë i dhimbshëm ka qenë debutimi për të riun e Mynshengladbahut, Tony Jantschke: "Unë kisha një detyrë të qartë, të mos lejoja Skelën të luante. Nëse ia arrita, këtë mund ta thonë të tjerët. Por jam shumë i zhgënjyer për këtë humbje në ndeshjet time të parë".