E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet në SHBA trafikanti Kelmendi

Interpol Tirana ekstradoi ditën e djeshme drejt SHBA-së të shumëkërkuarin Hektor Kelmendi, 53 vjeç, lindur në Pejë dhe i pajisur me pasaportë serbe. Hektor Kelmendi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Washington, pasi mbi të rëndojnë një sërë akuzash për kryerjen e krimeve të rënda, si organizim të emigracionit ilegal, plagosje me pasojë vdekjen, gjymtim dhe vrasje, si dhe organizim të trafikut të qenieve njerëzore. Një gjykatë në New York ka lëshuar një urdhër arresti për 53-vjeçarin, për këto vepra penale mbështetur në Kodin Penal Amerikan. Hektor Kelmendi u arrestua më 4 tetor 2011 në pikën e kalimit kufitar Morinë, për llogari të autoriteteve amerikane, me qëllim ekstradimi drejt SHBA-së. Duke shfrytëzuar edhe marrëveshjen dypalëshe të ekstradimit, autoritetet shqiptare e kanë nisur atë brenda dy muajsh me pranga në duar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›