Poshtë Flamurtari, rroftë Federata!?!
Kur dikush ulet të shkruajë një shkrim mund ta stisë atë duke qëndruar në plane të ndryshe; si analist, si gazetar hulumtues (apo specialist i fushës në fjalë) apo edhe thjesht si një pjesëtar i realitetit që jetojmë. Sigurisht që ata që më njohin do ta quanin “konflikt interesi” këtë shkrim, duke patur parasysh prejardhjen time. Gjithsesi, më tepër se interesi i drejtëpërdrejtë ekonomiko-financiar, ky është një konflikt interesi “shpirtëror” për atë skuadër që ka përfaqësuar dikur me dinjitet jo vetëm Vlorën, por gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët (thjesht kujtoni ndeshjen me Partizanin e Beogradit). Ngjarjet e fundit që ndodhën në stadiumin e Vlorës, ishin me të vërtetë të rënda. Gjithsesi, nuk ka vend këtu për ndonjë habi të madhe, pasi që nga fillimvitet `90, këto skena janë bërë mëse normale në Shqipëri, e që nuk duhet më të vazhdojnë. Gjithsesi, kur diskutojmë çështjen, nuk kemi sesi të mos shohim se kush e shkaktoi atë, dhe kur e shkaktoi atë. Si një gazetar që është marrë dikur me sportin, por edhe thjesht si sportdashës, mund të them se 11 metërshi i akodruar për skuadrën e Teutës, ishte qëllimi i arbitrit të ndeshjes. Bënte “mu” në mes të ditës e në mes të Vlorës, që ky zotëria e kishte vendosë ndoshta që më parë që 3 pikët tua dhuronte durrsakëve. Të gjitha ata që e panë ndeshjen, thanë se barazimi ishte i merituar për të dy palët. Megjithatë, gjithçka degjeneroi në dhunë, e cila u kthye në një bumerang shkatërrimtar nga zotërinjtë e Federatës Shqiptare të Futbollit. Skuadra e Vlorës, u dënua në mënyrë të pamëshirshme, dhe askush nuk u kujtua për arbitrin, i cili ishte shkaktari kryesor i kësaj gjullurdie. Në një kohë që Federata, bën llogje Kavaje me ministrinë përkatëse, me diskutime totalisht politike që nuk kanë të bëjnë me sportin, ndeshjet shiten dhe blihen, lihen dhe shkatërrohen nga arbitrat, dhe shpesh edhe nga vetë krerët e klubeve. Vetëm 3 javë më parë, në kampionatin turk me rregulla spartane, 4 arbitra u pezulluan për disa javë, pasi pamjet filmike të ndeshjeve treguan gafat e tyre që ndikuan në rezultatet e ndeshjeve. A ndodh kjo në Shqipëri? Rrallë e tek, ndoshta kur Federatës nuk i është bindur ndonjë nga fanelat e zeza. Në Vlorë prej vitesh ka ekzisutuar mendimi se “Federata mbështet gjithmonë ekipet e Tiranës”, dhe për mua ende vazhdon… Më kujtohet kur dikur nga një radio kineze, dëgjonim ndeshjet me tim atë ëdo të dielë … Dhe padyshim, që dy ekipet më të persekutuara, ishin Vllaznia e Shkodrës dhe Flamurtari i Vlorës, duke favorizuar kështu skuadrat tiranase. Eh sa shumë ujë ka kaluar poshtë urës që atëherë. Tashmë ndeshjet e kampionatit transmetohen në platforma dixhitale dhe mund të shihen në të gjithë Europën. Por futbolli, është në pikë të hallit. Federata, në vend të merret me Flamurtarin që po mundohet të marrë frymë në ligën superiore, le të merret me shkollat e futbollit, infrastrukturën dhe përgatitjen e talenteve të reja. Një pjesë e mirë e çunave të kombëtares shqiptare, ose janë të ardhur nga Vlora (Flamurtari) nga shkolla e mrekullueshme e Mexhit Haxhiut, ose janë të ardhur nga Kosova (të shkolluar në Kosovë apo skuadrat më në zë të Europës). Asnjë ekip prej vitesh nuk nxjerr më talente, dhe duket se ekipi kombëtar, që ne e mbështesim shpesh me një pathos folklorik deri në idiotësi, do të duhet nesër të mbushet me djelmosha nga Kosova, pasi Shqipëria po zbret në zero. Briegel që sa vuri këmbë këtu kur erdhi si trainer, tha se gjëja kryesore që i mungon futbollit shqiptar është infrastruktura, dhe mbi të gjitha SERIOZITETI. Këtu nuk ka seriozitet në atë punë që po bëhet, dhe për këtë arsye sportdashësit i kanë braktisur prej kohësh stadiumet, që në disa vende janë në prag të shembjes. Për këtë arsye zotërinj të Federatës, përpara se të shihni gabimet e Flamurtarit (Sokol Kushtës, Luan Birces apo Lato Gjondedës), shihni gabimet që kanë mbërthyer fund e krye futbollin shqiptar. Çojini djemtë e Vlorës të luajnë në Burrel, madje çojini dhe më lart deri në Prishtinë apo Mitrovicë sepse atje do t`i mbështesin më shumë, por çojeni në pension edhe atë arbitër e ata arbitra që i kanë kthyer ndeshjet në pazare të fëlliqura me përfundime të paracaktuara. Sokol Kushtën degdiseni deri në Serbi se mos ndoshta bën ndonjë mrekulli tjetër, si dikur… Kushedi sesa Moxhë do dilnin, nëse në futbollin shqiptar do të niste ndonjë hetim, dhe ministria në vend që të shikojë anën politike, këtë duhet të bëjë. Flamurtari është larg ditëve të tij të shndritshme, kur bënte të krenoheshin gjithë shqiptarët. Do të vazhdojë edhe për ca kohë kështu, derisa të vijnë Mexhitë të rinj por edhe drejtues të rinj federatash me mendjen të futbolli dhe jo të kuleta, dhe të ikin Moxhitët(!!!) e vjetër, dhe fanela të zeza të vendimeve të zeza.