E Diel, 1 Nëntor 2026

“Skema e vjedhjes së zgjedhjeve shqiptare, 5 mijë euro një komisioner”

Prognoza e ambasadorit John Withers për skemat e vjedhjes së zgjedhjeve shqiptare. Votimi-karusel, fshehja e fletëve në kuti picash, fotografimi i votës apo blerja e një komisioneri me 5 mijë euro, për të mbyllur sytë për ca momente janë disa prej taktikave të përshkruara nga Withers. “Socialistët i friken rikthimit të dyshes, Berisha-Poni”.

Pak ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, ambasadori amerikan, John Withers do të shkruante prognozën e zgjedhjeve të kontestuara shqiptare. Nën titullin “Si të vjedhësh zgjedhjet-stili shqiptar”, ish ambasadori kalon në skaner procesin zgjedhor që prej vitit 1996 dhe skemat e ndryshme të manipulimit. Votimi-karusel, fshehja e fletëve në kuti picash, fotografimi i votës apo blerja e një komisioneri me 5 mijë euro, për të mbyllur sytë për ca momente, janë disa prej taktikave të përshkruara nga Withers në telegramin e datës 12 qershor 2009 e për të cilat eksponentët socialistë i frikeshin (pa prova) përsëritjes së skenarëve.

Edhe pse zhvillimi i zgjedhjeve shqiptare ka treguar përmirësim të qëndrueshëm gjatë viteve, vlerësimet e ODIHR-it për zgjedhjet, që prej vitit 1996 lexohen në kohë, si një udhëzues për të metat dhe manipulimin e zgjedhjeve. Akuzat për blerjen e votave, ryshfeti për komisionerët, kartat e identitetit false të votuesve, kërcënimet ndaj votuesve e deri tek dhuna, kanë prishur zgjedhjet në shumë raste të mëparshme. Edhe pse ky cikël zgjedhor ka qenë mjaft i qetë deri më tani - të dyja vlerësimet e përkohshme të ODIHR-it, në përgjithësi kanë qenë pozitive - anëtarë të Partisë Socialiste pretendojnë përditë se Partia Demokratike është duke planifikuar vjedhjen e zgjedhjeve (por duke ofruar shumë pak prova për të mbështetur pretendimet). Partia Demokratike, po ashtu pohon se këto akuza janë mashtrim nga ana e PS -së dhe të pambështetura. Në mënyrë që të jetë sa më i qartë në lidhje me këto pretendime dypalëshe, autori mori kontakt si me përfaqësues të PD-së, ashtu dhe me përfaqësues të PS-së dhe pjestarë të shoqërisë civile, për të kuptuar se si i bie të jetë një palë zgjedhje të manipuluara. Është e rëndësishme të theksohet, megjithatë, se ODIHR dhe vëzhgues të tjerë nuk kanë parë asnjë provë të besueshme ose të përpjekjeve për të manipuluar zgjedhjet e ardhshme parlamentare nga të dyja anët. Për fat të keq, ndërsa ky telegram është duke u hartuar, një aktivist i PD-së u vra nga një aktivist i PS-së me një AK-47 në Durrës, në një grindje lidhur me posterat e fushatës. Kryeministri Berisha dhe kreu i PS-së, Edi Rama dënuan aktin dhe bënë thirrje për qetësi.

Gjithçka nisi më 1996…

Zhurmënaja e bërë për manipulimin e zgjedhjeve në vitin 1996 shënjon dhe pikën më kritike të zgjedhjeve shqiptare. E gatuar me parregullsi serioze, përfshirë dhunën, mbushjen arbitrare të kutive, intimidimin e kandidatëve të opozitës prej policisë dhe me një administratë zgjedhore aspak kompetente, këto zgjedhje ishin një katastrofë dhe ndikuan pjesërisht në kolapsin total që erdhi pas një viti. Ideatorët e skemës së zgjedhjeve të vitit 1996 dhe fitores së PD-së në këto zgjedhje, ishin ish-presidenti Sali Berisha (tashmë Kryeministër) dhe ish zyrtari i Ministrisë së Brendshme, Ferdinand Poni (sot zv. ministër i Brendshëm). Fakti që tashmë Berisha është sërish në krye të qeverisë, së bashku me Ponin që është në krye të procesit të prodhimit të kartave të identitetit, ka shqetësuar shumë zyrtarë të PS-së se kjo lidhje e risjellë në kohë, do të të përsërisë vetveten si në vitin 1996.

Fute këtë dreq vote në kuti, të lutem!

Njëra taktikë e përdorur si në Shqipëri dhe në vende të tjera është “votimi- karusel”. Skema funksionon kështu: Mëngjesin e ditës së zgjedhjeve dikush do të marrë një kuti votimi nga qendra zgjedhore. Më pas, do të plotësojë fletët e votimit vetë për partinë që ai mbështet dhe do ti ofrojë çdo votuesi që të hedhë në kuti fletën e plotësuar në këmbim të 5 mijë lekëve të reja. Që të sigurohet se nuk do të ketë devijim nga votuesi që ka pranuar marrëveshjen, militanti, përpara se t’i japë lekët, i kërkon të tregojë fletën bosh dhe të paplotësuar (që ia kanë dhënë komisionerët, pasi ka hyrë në qendrën e votimit), fakt ky që bind se votuesi ka hedhur në kuti fletën që i është dhënë para se të hynte në qendrën e votimit. Versione të tjera të kësaj metode janë edhe pa pagesë, por me kërcënimin që votuesi të ndjekë këtë proçedurë, në të kundërt ka për të humbur vendin e punës. Kjo proçedurë aplikohet në çdo qendër votimi dhe shtrihet në thuajse të gjitha zonat e vendit.

Dëshiron një votë- shoqëruar me një pizza?

Një tjetër taktikë e përdorur me efekt të madh në zgjedhje, sipas disa dëshmive nga personat e kontaktuar është që brenda kutisë së picave, që porositen nga anëtarë të komisioneve vendore, të futen disa fletë votimi. Këto fletë votimi futen më pas në kutinë e votimit dhe kur numërohen, merren të mirëqëna si vota të rregullta. Në pamje të parë duket se askush nuk bën dot krahasimin dhe kontrollin, nëse numri i votave përkon me numrin e njerëzve që kanë firmosur votimin në qendër, megjithatë kjo gjë mund të ndryshojë këtë vit. Komisionerët gjithashtu janë të njohur se marrin “pagesa” mbi 500 euro për të “mbyllur sytë” për disa minuta gjatë procesit të numërimit, për t’i lënë të qetë militantët që të bëjnë punën e tyre të ndyrë. Kamera dhe një teknologji e tërë është porositur këtë vit për të ndalur këtë metodë, por nuk është e vështirë të imagjinosh se kamerat mund të fiken krejt papritur si pasojë e ndonjë “defekti teknik” ose tavolinat mund të vendosen jashtë fushëpamjes së kamerave. Të dyja palët kanë bërë akuza të ndërsjellta këtë vit se kanë paguar komisionerët zgjedhorë, megjithëse asnjëri prej tyre nuk ka ofruar ndonjë provë të kësaj skeme që pretendojnë.

Emri im është Edi… ose Bardi, Vjosa, Ardi.

Një tjetër dredhi është ajo e votimit të shumëfishtë. Sipas kësaj skeme, dikush do të përpiqet të votojë në mënyrë të përsëritur në një rajon apo krahinë të caktuar ,duke përdorur të njëjtën kartë identiteti. Pakëz më e komplikuar është skema kur një votues përdor disa karta të ndryshme identiteti. Sipas këtij plani, do të aplikojë katër herë për të siguruar katër karta identiteti të personave që janë të verifikuar se ndodhen jashtë vendit, kanë vdekur ose që dihet me siguri se nuk kanë për të votuar. Karta e identitetit duhet të ketë fotografinë e militantit, por do të ketë emër tjetër dhe të tjera të dhëna personale. Gjithashtu, PS-ja beson se një skemë e tillë është mëse e mundur, ndërsa prodhuesi i kartave të identitetit “Aleat” dhe ministria e Brendshme thonë se kjo është e pamundur, duke theksuar faktin se kontrollet biometrike në kartat e reja kanë ndalur së fundmi 11 tentativa të votuesve për të patur karta të shumëfishta identiteti, duke përdorur dokumente false identifikimi. Megjithatë, manipulimi me kartat e identitetit mbetet shqetësimi më i madh i PS-së.

Shiko, votova PD-në. Mos më pusho nga puna!

Sistemi aktual i patronazhit ndaj administratës shtetërore është rrënjosur në të gjitha nivelet dhe shpesh çon në frikësimin e votuesve. Për shembull, është e mundur që një roje në një shkollë në Elbasan të humbë punën e tij, në qoftë se qeveria ndryshon. Në të kaluarën, punonjësit shtetërorë dhe komunalë kanë qenë të detyruar rregullisht të marrin pjesë në mitingje fushate, të bëjnë punë për fushatën, ose për të votuar për një parti të caktuar, sepse në të kundërt ata rrezikojnë të humbasin punën e tyre. Në zgjedhjet e mëparshme, disa votues kishin fotografuar veten me votën e tyre të plotësuar në fletë në mënyrë që më pas t’ua tregonin eprorëve të tyre në punë, duke provuar kështu besnikërinë e tyre. Kërcënimi i humbjes së vendit të punës për shkak të mosvotimit të duhur është shumë i vërtetë dhe një kandidat i PS-së tha se nëna e tij do të votonte PD-në, vetëm për të parandaluar kërdinë që shkaktohet kur një qeveri e re vjen në pushtet. Për tu shtuar është fakti se edhe pse Partia Demokratike kontrollon qeverisjen qendrore, shumë qeveri lokale janë të kontrolluara nga PS-ja apo edhe Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), çka do të thotë, nëpunësit civilë mund të jenë subjekt i presionit nga çdo parti, në varësi të vendit ku punojnë. Raportet paraprake të ODIHR-it thonë se kanë marrë sinjale të shumta për presione ndaj punonjësve të administratës, si dhe ka theksuar pjesemarrjen e organizuar të fëmijëve të shkollave në mitingjet e PD-së.

Komenti i Withers

Sigurisht, barra kryesore për sigurimin e një procesi të mirë zgjedhor bie mbi qeverinë shqiptare. Megjithatë, asnjë nga këto taktika të neveritshme nuk janë specifikë e një partie dhe mund të jenë përdorur në të kaluarën, nga cilado pale, në një përpjekje për të fituar një avantazh. Këtë vit, të dyja palët janë zotuar për të drejtuar një fushatë të pastër dhe kryeministri Berisha përsërit shpesh, duke "garantuar" për të gjithë se zgjedhjet e këtij viti do të jenë zgjedhjet më të mira të Shqipërisë. Megjithatë, rreziqet janë shumë të larta për kryeministrin Berisha në këto zgjedhje, sidomos me thashethemet e vazhdueshme në lidhje me përfshirjen e anëtarëve të familjes së Berishës në skandalin e Gërdecit. Çështja se kush do jetë fituesi mbizotëron të gjithë atmosferën parazgjedhore dhe partitë merren shumë pak me trukimet e paligjshme, në mos, në fshehtësi i inkurajojnë. Për sa kohë që liderët partiakë nuk dënojnë qartazi aktivitetet e paligjshme, “keqbërësit e nivelit të mesëm”, në përpjekje për të forcuar emrin dhe pozitat e tyre mund të shkaktojnë ndonjë problem. Ndonëse ODIHR ka mundur të evidentojë shumë pak ndonjë tendencë për vjedhje nga partitë, potenciali që kjo gjë të ndodhë është real, veçanërisht duke mbajtur parasysh qëndrimet më të fundit nga të dyja partitë e mëdha. Mbi mijë vëzhgues do të paguhen që të jenë të kujdesshëm mbi çdo parregullsi në ditën e zgjedhjeve të 28 qershorit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›