E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori i SHBA: Berisha autoritar, Rama “manjak” i kontrollit

Telegrami i ish-ambasadorit Withers heq një paralele barazimi mes autoritarizmit të Berishës dhe Ramës, duke pohuar se kushdo të krijojë qeverinë, institucionet e pavarura dhe media do të vuajnë nga presioni. Majko në ambasadë: Stili i Ramës, i ngjashëm me atë të Berishës.

Berisha kërkon me çdo kusht të ketë nën kontroll institucionet e pavarura. Rama, nga ana tjetër, është njësoj ”manjak” i kontrollit, lider i tërbuar dhe kapriçioz. Këto janë vlerësimet e ish-ambasadorit të Shteteve të Bashkuara, John Withers, i cili pak ditë pas zgjedhjeve të 2009-s pohon se kushdo prej tyre të formojë qeverinë, institucionet e pavarura dhe media do të vazhdojnë të vuajnë nga presioni politik. MAPO boton telegramin e datës 8 korrik 2009 të Withers, ku ai heq një paralele mes dy liderëve dominantë të politikës shqiptare.

Edhe pse përfundimi i zgjedhjeve të 28 qershorit është i paqartë dhe krijimi i qeverisë së re nuk mund të realizohet deri në shtator, njëfarë stili i lidershipit të tanishëm pritet të trashëgohet edhe në qeverinë e pritshme. Pa pasur parasysh se cila parti do të formojë qeverinë e ardhshme, si Sali Berisha ashtu edhe Edi Rama, duket se do të spikasin gjatë, pse jo në role dominante në politikën shqiptare në të ardhmen e afërt. Zyrtarë të ambasadës kanë folur me gazetarë, politikanë dhe anëtarë e ish-anëtarë të së majtës e të djathtës, për të kuptuar se ç’lloj njerëzish pritet të bëhen ministra, si do të merren vendimet dhe kush luan rolin më të madh. Ka një konsensus të përgjithshëm që kushdo të fitojë: e majta apo e djathta, shumë prej ministrave do të vendosen në mënyrë unilaterale nga Berisha apo lideri i opozitës, Rama. Ministrat në secilin prej koalicioneve, të PS-së apo PD-së, ka mundësi të mos jetë më me influencë se personat jashtë politikës, si mogulët e medias apo bashkëpunëtorët e afërt, të cilët zakonisht kanë më shumë ndikim te Rama dhe Berisha sesa anëtarët e partisë apo të lidershipit. Gjithsesi, mungesa e eksperiencës në drejtimin e qeverisë do ta bëjë Ramën më të pasigurt për lidershipin e tij dhe ka mundësi të kërkojë drejtim apo provim nga komuniteti ndërkombëtar, e veçanërisht nga ShBA-të, për vendimet e tij. Berisha nga ana tjetër do ta shikojë fitoren e PD-së si miratim pozitiv për politikat e tij dhe stilin unilateral të lidershipit.

Qeveria e Berishës

Nëse Berisha është certifikuar tashmë si fitues i zgjedhjeve dhe mund të krijojë qeverinë, ai do të hyjë në Parlament me mazhorancën më të ngushtë. Edhe nëse Berisha e Ilir Meta i LSI-së do të krijojnë koalicionin që teorikisht i jep PD-së 74 karrige në Parlamentin e ardhshëm, mazhoranca e Berishës do të jetë tejet e ngushtë, edhe pse ai ka ta cilësojë rizgjedhjen si një mandat në favor të politikave të tij. Berisha ka rënë dakord në “princip” të krijojë koalicion me Ilir Metën, e për të vulosur marrëveshjen duhet vendosur sa ministri mund t’i jepen LSI-së. Sidoqoftë, kontaktet nga politika tregojë se Berisha preferon të mbushë shumë prej vendeve të kabinetit me besnikë të PD-së. Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, dhe gazetari Mero Baze, të cilët kanë qenë më parë në rrethin e ngushtë të Berishës, përmendën këshilltaren e tij Albana Vokshi si një ministre të mundshme në qeverinë e ardhshme. “E ardhmja e një qeverie me shumicë anëtarët e PD-së rrit mundësinë e autoritarizmit të Berishës, i cili u jep më shumë autonomi ministrave të partive partnere sesa të tijve”- thonë Baze dhe strategjisti i PD-së, Ilir Rusmali. Baze tha se Berisha emëron tre lloj njerëzish si ministra: politikanët me trajektore të gjatë besnikërie, njerëz për të cilët vetë Berisha ka informacion për inkriminim dhe politikanë të pakualifikuar, të cilët do t’i jenë më pas në borxh Kryeministrit. P.sh., Berisha nuk e pëlqen ish-ministrin e Mbrojtjes, Mediu, por e ftoi atë sërish, vetëm se ata i dinë të palarat njëri-tjetrit.

Qeveria e Ramës

Në takime të veçanta, Baze dhe ish-kryeministri i PS-së, Pandeli Majko, e përshkruan stilin drejtues të Ramës si të ngjashëm me atë të Berishës, me pak pika ndryshimi. Rama, njësoj si Berisha, merr vendime politike pa u konsultuar me lidershipin e PS-së, por Baze shtoi se Rama madje e tejkalon Berishën, duke mos i informuar drejtuesit e partisë për vendimet që ka marrë, duke u lënë bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë televizorin, si mundësi të vetme për të kuptuar se ç’do të ndodhë. Shumë kontakte të ambasadës konfirmojnë se tendenca e Ramës për t’u marrë me gjithçka vetë e kthejnë atë shpesh në lider të tërbuar e kapriçioz. “Rama është gjithashtu i ngjashëm me Berishën në ndikimin nga njerëz jashtë PS-së, të tillë si drejtues mediash, biznesmenë dhe drejtues OJF-sh”, - thonë të dy, Baze e Majko. Pavarësisht ngjashmërive, Rama ka të ngjarë të ndryshojë situatën, sipas nivelit të tij të besimit. Vëzhguesit thanë se mungesa e eksperiencës së Ramës në drejtimin e qeverisë mund ta nxisë atë për të qenë më i prekshëm ndaj presionit të jashtëm dhe vazhdimisht të kërkojë miratimin e ShBA-së për vendimet e tij. Majko shtoi se Rama mund të paraqitej në Ambasadë me një listë ministrash potencialë për aprovim, para se t’i emëronte ata. “Me qëllimin për t’u integruar në komunitetin ndërkombëtar, Rama do të ndjekë një linjë tjetër për kabinetin e tij me imazh pozitiv dhe do t’u japë postet më me influencë më karizmatikëve dhe me më shumë lidhje me ShBA-në”, - shtoi Majko. (Shënim: Rama u ka dhënë role të rëndësishme fytyrave të reja si Erjon Veliaj dhe Vasilika Hysi, të dy të mirënjohur e pëlqyer nga përfaqësuesit e huaj. Ai e përdor shpesh Veliajn për t’i përcjellë informacione Ambasadës, ndërsa Veliaj përshkruhet nga shumë vëzhgues si “qeni i sulmit” të Ramës.

Rama e Berisha, sa të ngjashëm…

Pa dyshim, ngjashmëria më shqetësuese mes lidershipit të Ramës dhe Berishës është damari autoritar i të drejtuarit. Rama dhe Berisha gjatë vitit të shkuar arritën në një marrëveshje të fshehtë të minojnë pavarësinë e Presidentit përmes amendamenteve kushtetuese. Rama dhe Partia Socialiste kanë treguar gjithashtu se mund të qëndrojnë mënjanë, kur Berisha sulmon Prokuroren e Përgjithshme apo sistemin gjyqësor. Të dy, Rama dhe Berisha, njihen në partitë respektive si kontrollues të çmendur, të cilët, në tërbim e sipër, u dërgojnë mesazhe me instruksione kandidatëve gjatë emisioneve televizive. Dëshira e Berishës për kontrollin mbi institucionet e pavarura vetëm sa do të riafirmohet gjatë mandatit të dytë. Tirana po bëhet gati tashmë për një sulm të parashikuar mbi gjyqësorin, si një mjet për të prishur çështjen e Gërdecit, ndërsa tendenca e Ramës për të përqendruar fuqinë vendimmarrëse në duart e tij tregon se ai kërkon fshehurazi të dobësojë institucionet e pavarura, në rast se ato sfidojnë autoritetin e tij. Thuhet se media është gogoli i Ramës. Pavarësisht se kush përfundon në drejtimin e vendit në shtator, institucionet e pavarura dhe media e lirë mund të gjenden njësoj nën presion politik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›