E Diel, 1 Nëntor 2026

Withers: Pesë deputetët shqiptarë të lidhur me krimin e organizuar

Telegrami “i fortë” i ish-ambasadorit rendit Tom Doshin, Lefter Kokën, Paulin Sterkajn, Sokol Olldashin e Gramoz Ruçin si të lidhur me krimin. Kreut të grupit parlamentar të PS-së i është refuzuar përgjithnjë viza amerikane. “Shumë deputetë që prezantohen si ‘biznesmenë’, në të vërtetë janë të dyshuar të dorës së parë për lidhje të mundshme me krimin e organizuar”

Për ish-ambasadorin amerikan John Withers, shumë deputetë që prezantohen si “biznesmenë”, në të vërtetë janë të dyshuar të dorës së parë për lidhje të mundshme me krimin e organizuar. “Në Parlamentin e ri ka mjaft trafikantë droge dhe pastrues parash” - thotë Withers në telegramin e nisur më 13 gusht 2009 drejt Washingtonit. Ish-ambasadori i SHBA-ve ka bërë një listë me 5 politikanët e dyshuar të Kuvendit të Shqipërisë. Në kabllogramin e tij, ambasada amerikane pohon se lidhjet me krimin nuk mund të provohen ligjërisht, por ka mjaft raportime për to.

Pavarësisht qetësisë relative që karakterizoi ditën e votimeve, ka diçka që ka tërhequr së tepërmi vëmendjen, pasi ka një ndërveprim të fortë të personave të lidhur me krimin e organizuar, të cilët janë pjesëmarrës ose janë të përfshirë në manipulimin e mundshëm të zgjedhjeve të 28 qershorit. Tri partitë e mëdha, Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, rezultojnë se kanë deputetë të cilët janë të lidhur me krimin e organizuar. Ndonëse nuk mund të provohen ligjërisht këto lidhje, një gjykim referues, bazuar në raportime të tjera, është se në Parlamentin e ri ka mjaft trafikantë droge dhe pastrues paresh. Përgjatë fushatës elektorale, një politikan, Aleks Keka, drejtues lokal i Partisë Demokristiane, u vra nga një shpërthim me bombë në automjetin e tij. Keka ishte i dyshuar si i përfshirë në trafikimin e armëve dhe të lëndëve narkotike. Keka nuk ishte një kandidat për në Parlament, por të tjerë anëtarë të partisë së tij ishin kandidatë. Disa nga deputetët më të spikatur për lidhje me krimin e organizuar janë:

Tom Doshi: Deputet i PS-së nga Shkodra, Doshi është përmendur edhe në raportin e Të Drejtave të Njeriut për dhunim fizik ndaj një gazetari në ambientet e hotel “Sheraton”. Ai është një ndër financuesit kryesorë të fushatës elektorale të PS-së. Ai është i njohur si deputeti më i kamur, me një pasuri të deklaruar prej afro 15 milionë dollarësh, gjithashtu është i dyshuar për trafikim të narkotikëve. Në legjislaturën e kaluar ai shërbeu si deputet i Partisë Demokristiane, para se të ndërronte kahun, duke kaluar te Partia Socialiste, pak kohë para se të mbaheshin zgjedhjet e reja. Lefter Koka: Përfaqësues i LSI-së nga Durrësi, Koka është një anëtar i asaj që mund të jetë familja më e njohur, e dyshuar për lidhje me krimin e organizuar në Shqipëri, me lidhje në trafikimin e narkotikëve, trafikun e qenieve njerëzore dhe aktiviteteve të paligjshme.

Sokol Oldashi: Aktualisht është ministër i Transportit dhe Punëve Publike dhe Telekomunikacionit, një deputet i Partisë Demokratike, i zgjedhur në zonën e Fierit është i dyshuar për lidhje me kontrabandistë të mallrave dhe narkotikëve. (The current Minister of Public Works, Transport, and Telecommunication and DP MP from Fier, is suspected of smuggling goods and narcotics). Disa të dhëna rrethanore e lidhin Sokol Olldashin dhe Fatmir Kajollin nga Fieri me ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, në një skemë të lirimit të të burgosurve, që këta të fundit të veprojnë si “të fortë” gjatë fushatës elektorale.

Paulin Sterkaj: 48-vjeçari deputet i demokristianëve, nga Shkodra, është një ish-mundës profesionist, me shkollim fare modest. Sterkaj më parë ka qenë i angazhuar me Partinë Socialiste dhe është akuzuar nga një ish-miku i tij për vrasjen e një politikani në Shkodër, disa vite më parë. Stërkaj mendohet se ka interesa biznesi në naftë, restorante dhe ndërtim, por dihet shumë pak në lidhje me aktivitetet e tij.

Gramoz Ruçi: Deputet i PS-së dhe sekretar i Përgjithshëm i partisë, Ruçi ka lidhje të hershme me trafikantët e narkotikëve dhe krimin e organizuar. (SP MP and party General Secretary, Ruci has long-standing ties to narcotics traffickers and organized crime). Ruçit gjithashtu i është ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që prej vitit 2005, kur ndaj tij u vendos mospajisja me vizë përgjithmonë.

Autori nuk është i sigurt se çfarë kursi do të ndjekë raporti i ODIHR-it pas publikimit, por është një fakt gjerësisht i pranuar, se shumë deputetë që shfaqen si “biznesmenë”, në të vërtetë janë të dyshuar të dorës së parë për lidhje të mundshme me krimin e organizuar. Këta individë tashmë janë deputetë, kanë imunitet që u buron nga ligji, dhe kanë përgjegjësinë që të bëjnë ligje që do të duhet ta çojnë Shqipërinë më përpara në proceset integruese Euro-Atlantike. Rrënjët e dyshuara kriminale në sjelljen e shumë deputetëve shqiptarë sjellin shqetësim dhe nuk është një shenjë e mirë për zhvillimin demokratik. Është një panoramë gjithëpërfshirëse në të gjithë Shqipërinë, që të gjitha partitë kanë deputetë të lidhur me krimin e organizuar dhe pranojnë para nga krimi i organizuar. Ky është një fenomen shumë shqetësues, të cilin ne dhe komuniteti ndërkombëtar kemi për ta trajtuar në disa pika në të ardhmen. Një shenjë e mirë është fakti se janë një numër gjithnjë e më i madh deputetësh të cilët janë të ndërgjegjësuar se nuk duhet të ketë më tipa të tillë si përfaqësues në Parlament. Sesa kohë do të duhet për të hequr këta horra nga pushteti, është tjetër çështje. Në fund të fundit, paratë janë “karburanti” i politikës, për më tepër në një vend të varfër dhe pa financime për fushatat. Transparenca apo tradita për dhurime modeste nga donatorët bëjnë që kriminelët të jenë një burim i lehtë i sigurimit të parave nga kandidatët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›