Uidhers dhe Hobs: “Shqipëria në NATO në muajin prill”
Ndërkombëtarët theksojnë nevojën e vazhdimit të reformave. Berisha garanton për mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme
Eljona Ballhysa
Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s Dejvid Hobs dhe ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Xhon Uidhers, kanë dhënë garanci për anëtarësimin e Shqipërisë me të drejta të plota në NATO në samitin e Strasburgut, që do të mbahet në muajin prill. Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë së NATO-s, Hobs, gjatë fjalës së mbajtur në konferencën dyditore në Tiranë me temën “Karta e Adriatikut, Integrimi Euroatlantik dhe sfidat e Sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, theksoi: “Zgjerimi i NATO-s do të bëhet sipas performancës dhe nuk përbën kërcënim për askënd”. Ndërkombëtarët kanë vënë theksin se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO kërkon thellimin e reformave në vend. Ndërsa kryeministri Berisha, i pranishëm në këtë aktivitet, ka dhënë garanci për thellimin e reformave si dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Ndërkombëtarët
Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s ka vlerësuar kontributin e Shqipërisë në kuadër të Kartës së Adriatikut, veçanërisht kontributin me misione paqeruajtëse në vende të ndryshme të botës, ndërsa ka theksuar se shpërblimi që jep NATO është pikërisht pranimi i Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota. Duke komentuar konfliktin midis Sllovenisë dhe Kroacisë, Hobs ka theksuar se ky konflikt nuk pengon anëtarësimin e Shqipërisë në samitin e ardhshëm. Edhe ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Uidhers, gjatë fjalës së tij u shpreh se pas pesë javësh do të shënohet një moment historik në historinë e NATO-s. “NATO do ta presë Shqipërinë si anëtare”, - është shprehur Uidhers. “Karta e Adriatikut është model i qartë i bashkëpunimit. Anëtarësimi në NATO do të jetë vetëm fillimi për vendet A3”, - është shprehur Uidhers, ndërsa ka theksuar se NATO pret vazhdimin e reformave për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Kartës së Adriatikut.
Qeveria
Kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij garantoi të pranishmit se i tërë ky besim do të shndërrohet për qeverinë në një përgjegjësi më të madhe. Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohje të veçantë qeverisë dhe Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që themeluan në Tiranë Kartën Adriatik 3, si dhe Asamblesë Parlamentare të vendeve anëtare të NATO-s, për mbështetjen e tyre të vazhdueshme. Gjatë fjalës së tij, Berisha ka vlerësuar bashkëpunimin me forcat politike në vend, duke e cilësuar si një faktor jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe që ka bërë të mundur progresin në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ai gjithashtu ka vënë theksin në mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në përputhje me standardet ndërkombëtare ndërsa ka përsëritur kërkesën e sa më shumë vëzhguesve të huaj gjatë procesit zgjedhor në Shqipëri. “Ne po shkojmë drejt zgjedhjeve dhe dua të shfrytëzoj këtë rast për t’ju siguruar ju se qeveria është e vendosur të bëjë çdo përpjekje për zgjedhjet më të mira që Shqipëria ka njohur ndonjëherë, për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ju ftoj ju dhe vendet tuaja që të sillni vëzhgues”, - është shprehur Berisha. Fjalën në këtë konferencë e ka marrë edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila ishte organizatorja e këtij aktiviteti. Topalli, gjatë fjalës së saj, ka vlerësuar ratifikimin e protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO brenda një periudhe tejet të shkurtër. “Në samitin e NATO-s në prill jam krejt e sigurt se ne do të tregojmë se së bashku me amerikanë e europianë, me vendet e Balltikut të Veriut, me Turqinë e Kanadanë, jemi gati të takohemi me sfidat dhe premtimet e shekullit XXI”, - është shprehur Topalli.
24 Shkurt 2009