E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skena e lindjes së Krishtit e gdhendur në akull

Një ekip i përbërë nga një dyzinë skulptorësh dhe teknikësh të specializuar ka nisur punën për ngritjen e skenës së lindjes së Krishtit duke gdhendur blloqe të mëdhenj akulli në oborrin e një ndërtese historike në qendër të qytetit. Edhe pse skulpturat e akullit janë shndërruar në një element të mirënjohur në mbarë botën ato mbeten ende jo fort të pëlqyera nga artistët për shkak të paqëndrueshmërisë së materialit. Skulpturat më mbresëlënëse realizohen me akull të pastër, pa plasaritje në asnjë pjesë të tij, gjë e cila arrihet përmes përgatitjes në makina të posaçme akulli.
Për zhvendosjen e blloqeve të akullit me peshë deri një ton nevojiten makineri të posaçme dhe kujdes shumë i madh. "Bëhet fjalë për blloqe akulli tepër të pastër, ndaj puna me të jep kënaqësi të veçantë" tha Sandris Kondrac, një prej skulptorëve.
Edhe pse skulpturat prej akulli janë të përkohshme temperaturat relativisht të larta në qytetin Grac rrezikojnë ta shkrijnë para Krishtlindjeve punën e skulptorëve. "Moti këtë vit nuk është shumë i favorshëm për fat të keq ndaj kemi përdorur një sasi më të madhe akulli se zakonisht. Kemi përdorur gjithashtu elementë kimikë për përforcimin e blloqeve të akullit dhe ngadalësimin e procesit të shkrirjes" tha Gert Hödl, skulptori austriak që e hodhi i pari këtë ide. "Këtë vit kemi realizuar skulptura bashkëkohore, ndryshe nga vitet e kaluara, për të ecur në njëfarë mënyre me hapin e kohës".
Ky aktivitet, tashmë në edicionin e tij të 14-të, zhvillohet në oborrin e një ndërtese historike në Grac, ndërtesa e rilindjes, e njohur botërisht për arkitekturën e saj të veçantë. Kjo ndërtesë është njëkohësisht selia e autoriteteve lokale të qytetit.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›