Tirana fiton në Vlorë ndaj Flamurtarit
VLORE- Tirana është hakmarrë ndaj Flamurtarit për humbjen 3-1 të pësuar në fazën e parë në “Qemal Stafa”, duke triumfuar 2-0 në Vlorë. Ndeshja e fundit e javës së 12-të është dominuar nga skuadra kampione në fuqi, e cila shkon në kuotën e 20 pikëve. Pas një pjese të parë jo në nivelin e pritur, bardheblutë realizojnë vetëm 10 minuta nga fillimi i së dytës. Autor është Jetmir Sefa, por një “meritë” të madhe kishte edhe portieri vlonjat Halili. Ky i fundit bëri një dalje të gabuar në krosin e Muzakës dhe topi i mbetur në zonë është goditur në fund nga Sefa. Më tej, Tirana ka patur gjithçka nën kontroll, por pak minuta para përfundimit portieri maqedonas Korunovski u bë protagonist i një gafe që mund ta ndëshkonte. Ai doli në mënyrë të gabuar dhe Denis Mema kishte një mundësi të artë me portën bosh, por duke parë se dy lojtarë të Tiranës shkuan aty, preferoi të pasonte dhe topi u largua. Në minutën e fundit ishte Julian Ahmataj ai që dyfishoi shifrat me një gjuajtje të bukur nga kufijtë e zonës. Festë në kampin e Tiranës, ndërsa vlonjatët duhet t’i bëjnë llogaritë me luftën për qëndrimin në kategori. Flamurtari mbetet në vendin e fundit në tabelën e renditjes, me vetëm 10 pikë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)