Tiranë, nisin kufizimet e energjisë elektrike
Zona e “21 Dhjetorit”, “Tirana e Re”, “Komuna e Parisit”, me ndërprerje të vazhdueshme të dritave
Duke nisur nga muaji shkurt, kryeqyteti është përfshirë nga kufizimet e energjisë elektrike, konkretisht në zonën e “21 Dhjetorit”, “Kombinatit”, “Tiranës së Re”, “Komunës së Parisit”, Bathores, Kamzës. Të gjitha këto kufizime nuk janë paralajmëruar nga sektorët përgjegjës. Madje nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar për kufizime, dëmtime, remonte apo defekte për të cilat aktualisht po shqyrtohen nga specialistët.
Kufizimet e energjisë në këto zona, sipas banorëve të Tiranës, janë bërë të përditshme. Mungesa e energjisë është për një, dy apo tri orë, në orare të ndryshme.
Mungesa e energjisë elektrike në këto zona ka sjellë edhe probleme me mungesën e ujit të pijshëm. Kjo, për shkak se pompat e ujit nuk mund të punojnë në mungesë të energjisë dhe për rrjedhojë uji nuk ngjitet në katet e sipërme, duke krijuar edhe vështirësi në mbushjen e depozitave në tarracë. Pak kohë më parë, zyrtarisht Operatori i Sistemit të Shpërndarjes sqaroi se ka pasur disa defekte dhe për pasojë të remontit në disa zona, mund të ketë pasur edhe kufizime sporadike të energjisë elektrike. Ndërsa përgjatë këtyre ditëve, kryesisht zonat periferike, ende nuk janë në dijeni të shkaqeve të mungesës, nëse nuk furnizohen me energji për shkak të remontit, apo për probleme të tjera me shpërndarjen e energjisë në rrjet.
#