Rrogat minimale për bashkëpunëtorët familjarë
Si çdo vit, në fund të janarit janë përditësuar rrogat minimale të bashkëpunëtorëve familjarë dhe shumat për ngrënie e fjetje për ata që bashkëjetojnë me punëdhënësit. Të gjitha vlerat kanë pësuar një rritje të lehtë, që varet nga rritja e kostos së jetesës. Vlerat ndryshojnë sipas niveleve të parashikuara nga kontrata kombëtare të punonjësve shtëpiakë. Ato shkojnë nga 580,50 euro në muaj për bashkëpunëtore pa përvojë (niveli A) deri në 1,108,23 euro të parashikuara për dikë që kujdeset për një person të pavetëmjaftueshëm e që ka një formim të përshtatshëm profesional (niveli DS). Sipas ligjit, punëdhënësit nuk mund të ofrojnë paga më të ulëta. Për të mësuar më shumë, të gjithë mund t’u drejtohen patronateve falas. Ndërkaq arrin edhe një risi për punëdhënësit me kujtesë të dobët: celulari do t’u kujtojë kur duhet të paguajnë kontributet.