E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënder Haluci: E vërteta e atentatit ndaj Ramizit

Ata ishin disa djem nga Bujani i Tropojës që bënin një bisedë mes shokësh. Vetë mosha adoleshente e tyre ish
te shkak për një debat më se të sinqertë. Gjithsesi në atë moment as që u shkonte në mendje se pikërisht ajo bisedë e bërë aty në thellësi të maleve të Tropojës, do të bëhej shkaku i një kalvari të stërmundimshëm vuajtjesh dhe peripecish. Nuk do të vononte që gjithçka ishte thënë aty të mësohej saktësisht nga sigurimi i shtetit të asaj kohe. As më pak dhe as më shumë por tema e tyre kishte në epiqendër vetë udhëheqësin komunist Ramiz Alinë. Ishte viti 1983 kur ai kishte pak kohë që kishte përfunduar vizitën e bujshme në rrethin e tyre të Tropojës. Çuditërisht, atyre djemve edhe pse të vegjël, e ndjenin se u ishte mërzitur jeta nga sistemi komunist. Megjithëse të rinj dhe duke jetuar shumë larg Tiranës, në kushtet e transportit të atëhershëm, ata e parashikonin dhe e kuptonin se Enver Hoxha numëronte ditët e fundit të jetës. Tashmë sipas tyre, pengesë për rrëzimin e komunizmit ishte vetëm Ramiz Alia të cilin do të kishin bërë mirë që gjatë kohës që kishte kaluar në rrethin e tyre të mund ta asgjësonin. Kaq ide ishte dashur që fantazia e tyre djaloshare të kalonte nga një variant atentati në një tjetër, se si mund të ishte eliminuar Ramiz Alia. As që mund ta mendonin se vetëm me atë bisedë të atyre çasteve ata do të bëheshin të njohur në të gjithë Shqipërinë, madje rreth portretit të tyre në të gjitha krahinat e vendit do të thureshin subjekte me frymëzim legjendash. Ishte momenti kur me shpejtësinë skëterre, u përhap lajmi se "Shoku Ramiz i paska shpëtuar në fije të perit atentateve të mirëorganizuar në Veri të Shqipërisë për t'i marrë atij me çdo kusht jetën".
E çuditshme dhe e pabesueshme ngjarja e ndodhur si në filmat hollivudianë ku në qendër të tyre qëndrojnë heronjtë tragjikë, por në Shqipërinë e vogël që bie shumë larg Hollivudit, subjekti s'ka qenë artistik por një ngjarje e vërtetë.
20-30 djem në prangat e policisë ndërkohë që disa prej tyre morën dënimin kapital "Vdekje me Pushkatim". Dy prej tyre u falën nga dënimi kapital.
Ky ishte pak a shumë bilanci i ngjarjes që pasoi vizitën e bujshme të Alisë në veri-lindje të Shqipërisë, Kukës, Has, Tropojë etj.
Lajmi se në veri kishin funksionuar dy grupe armiqësore shumë të rrezikshme që donin të bënin atentat ndaj udhëheqësit, u bë jo vetëm i besueshëm, por filloi të zgjerohet dhe të lustrohet me episode legjendash. Njëri grup u kap në takimin e Hasit pikërisht kur Alia po hipte në tribunën e mitingut ndërsa tjetri në Tropojë. Të paktën ky është lajmi i përhapur me bujë dhe ai që besuan njerëzit. Por, askush nuk mësoi asnjëherë se ai i Tropojës paskishte qenë vetëm një bisedë të rinjsh të përmendur në fillim të këtij epilogu ndërsa tjetri në Has nga sa mësohet sot paska qenë një konflikt mes dy rivalëve që s'kishin as një lidhje me atentatin për të cilin u akuzuan.
Gjithsesi, dy prej të rinjve të Tropojës të dënuar nga Gjykata e Lartë me "vdekje me pushkatim" u është falur jeta nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, Kryetar i të cilit ishte vetë Ramiz Alia. Ata janë dy kushërinj të parë Isuf dhe Skënder Haluci.
Isufi fatkeqësisht nuk jeton më ndërkohë që kontaktojmë me Skënder Halucin i cili tashmë është dekretuar gjyqtar në Vlorë.
Një ndër shkaqet që Skënder Haluci pranon të flas për opinionin publik është fakti se ndjehet i shqetësuar që sërish vijohet të deformohet dhe të mos dihet mirë e vërteta. Ai merr shkas edhe nga një intervistë të dhënë për atë ngjarje nga vetë sekretari personal i Ramiz Alisë zoti Guro Zeneli i cili sipas Halucit nuk është fare i qartë mbi atë çka ndodhur në të vërtetë në ato ditë terrori mbi popullin e Hasit dhe të Tropojës gjatë dhe pas turit politik të Ramiz Alisë në ato krahina.
Për më tepër le të ndjekim vetë intervistën e zotit Haluci.

Zoti Haluci, është folur shumë për atentatin që do t'i bëhej Ramiz Alisë në Has gjatë turit të vizitave që ai bëri në vitin 1983 në veri të vendit. Jo vetëm atëherë por edhe shumë vite më vonë e kam dëgjuar shumë herë faktin se një person është kapur në mitingun e Hasit me granat në xhep dhe është dënuar me vdekje por që më mbrapa është falur nga Ramiz Alia. Është thënë gjithashtu se ai person është quajtur Skënder Haluci, pra jeni ju. Çuditërisht në këtë mënyrë e konfirmo edhe para disa ditësh vetë ish- sekretari i Ramiz Alisë gjatë një cikli intervistash që dha për "Gazeta Shqiptare".
U zgjata disi në hyrje të pyetjes sime për të të bërë të qartë pak a shumë atë që duam të sqarojmë nëpërmjet intervistës suaj. Thjesht, vetëm ju mund të na shpjegoni të vërtetën.
Ju kuptova qartë zoti Veliu. E vërteta e atentatit dhe e gjithë asaj historie është krejt ndryshe nga sa e dëshmoi ish-sekretari i Ramiz Alisë, Guro Zeneli. Unë e ndoqa intervistën e tij dhe pashë që ai kishte marrë përsipër të bënte lustrimin e figurës kriminale të Ramiz Alisë, duke ua paraqitur atë shqiptarëve si një udhëheqës dhe politikan shumë njerëzor. Guro Zeneli, të cilin fatmirësisht nuk e kam njohur, po vazhdon t'i shërbejë me besnikëri edhe pas vdekjes padronit të tij diktatorit të fundit komunist në Shqipëri Ramiz Alisë. Sipas këndvështrimit të tij është normale pasi me sa mësova e paska marrë nga Saranda dhe e çoi në paradhomën e tij me kompetenca të jashtëzakonshme. Por Zoti Guro nuk duhet të gënjejë opinionin publik se kjo nuk i shërben askujt. Nuk e kuptoj se përse masmediat shqiptare i kushtojnë kaq shumë rëndësi këtyre figurave të regjimit Sllavo-Komunist shqiptar si Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Ramiz Alia etj monstra të tipit të tyre, që masakruan pa mëshire për mëse 45 vjet mijëra shqiptar të pafajshëm vetëm për fjalën e lirë, për prirjet perëndimore të tyre, për besimin e tyre tek Zoti. Sapo na u hoq nga ekranet televizive "Enver Hoxha" i Blendi Fevziut, sapo u mbushën ekranet e televizioneve dhe faqet e gazetave me akuzat e Nexhmie Hoxhës për humbjen e ditarit personal të Enver Hoxhës, gazeta juaj fillon një Dossier me bamirësitë që sipas Guro Zenelit na paska bërë Ramiz Alia. Nuk është normale dhe e moralshme që të fyhet në këtë mënyrë inteligjenca e shqiptarëve sepse shqiptarët e dinë mirë se kush kanë qenë këta monstra politik.
Që ju jeni akuzuar si atentator i Ramiz Alisë i mbetur në tentativë, ndërkohë që jeni njohur në gjithë Shqipërinë me emër, këtë nuk besoj se ka gënjyer, ashtu siç nuk ka gënjyer që jeni dënuar me "Vdekje me Pushkatim" dhe që ju ka shpëtuar nga plumbi Ramiz Alia apo e kam gabim?
Besoj se nuk ka gënjyer edhe për faktin se në periudhën pas viteve '90 kur u arrestua Ramiz Alia dhe ish-udhëheqja më e lartë e shtetit komunist pikërisht ju jeni caktuar për të kryesuar trupin gjykues ndaj tyre por që keni dhënë dorëheqjen. Nuk e di nëse kam qenë i gabuar në këto fakte që ju citova?
Është e vërtetë se faktet që thatë juve, qëndrojnë saktësisht ashtu si i thatë, pavarësisht se nuk i shpjeguat mirë.
Çfarë shpjegimi?
Në radhë të parë nuk jeni i qartë për sa ka disiformuar ish-sekretari i Ramizit. Sepse e vërteta është krejt ndryshe. Krejt ndryshe qëndron e vërteta mbi ato që ish-sekretari e quan "atentat" dhe krejt ndryshe është fakti i arrestimit tim ashtu siç është krejt ndryshe fakti pse Ramiz Alia më ka shpëtuar nga ekzekutimi, ndërkohë që Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë më kishte dënuar me "Vdekje me Pushkatim".
Por unë do të thoja madje mjaft i revoltuar që sekretari i Ramiz Alisë nuk thotë të vërtetën për rastin se përse u fala unë që sipas tij, unë qenkam falur nga Ramiz Alia se ai nuk donte ta përuronte atë vizitë të tij në veri duke i faturuar një vdekje madje ka ngulur këmbë për mua që të mos pushkatohesha.
Të lutem mund të më thuash saktësisht se si ka qenë e vërteta se mendoj se do të ishte me shumë interes edhe për opinionin për të hequr çdo aludim apo hamendësim? Ju thash që sekretari i tij ishte shumë larg vorbullave kryesore ku juve ju plasi sigurimi kështu që të vërtetën absolute mund ta deklaroni vetëm ju.
Unë e kam bërë të qartë edhe herë tjetër në masmedia se Ramiz Alia e përgjaku veriun dhe jo nuk donte ta përgjakte si pretendon Guro Zeneli. Gjatë dhe pas asaj vizite të paharruar për Hasjanët dhe Tropojanët, në Has dhe në Tropojë janë arrestuar, torturuar dhe dënuar me afate të gjata burgimi mbi 30 veta. Nga pranvera e vitit 1983 kohë kur ka ndodhur turi politik për promovimin e Ramiz Alisë si pasardhësin e Enver Hoxhës, pasi në atë kohë thuhej së Enver Hoxha ishte në gjendje të keqe shëndetësore fizike dhe mendore, deri në pranverën e vitit 1985 janë pushkatuar disa persona nga kjo zonë të cilët do mundohem t'i kujtoj me emra, Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli pushkatuar pas revoltës që kishte ndodhur në Burgun e Qafë-Barit në maj të vitit 1984, Shkëlzen Doçi pushkatuar më duket me 9 prill 1985 në kohën kur po jepte shpirt krimineli Enver Hoxha, pa harruar këtu edhe Hasjanët që u ekzekutuan pas vizitës së Ramiz Alisë në Has. Më e tmerrshmja që ta dijë dhe ish sekretari i Ramizit është se ata Hasjanë dhe Tropojanë shumica prej tyre të rinj që u arrestuan, torturuan dhe u dënuan me afate të gjata burgimi nuk kishin të bënin fare me atentatin imagjinar për të cilit flet Guro Zeneli. Atentate të tilla ishin vetëm në mendjen e Ramizit dhe të sigurimit të shtetit. Këtu qëndron për mendimin tim edhe një nga arsyet që ka ndikuar tek Ramiz Alia dhe Presidiumimi Kuvendit Popullor që unë të mos ekzekutohesha duke e kthyer dënimin nga "Vdekje me Pushkatim" në dënim me "25 vjet heqje lirie".
Nuk e kuptova arsyen e faljes suaj?
Siç e theksova edhe më lart, gjatë viteve 1983, 1984, 1985 nga krahina ime ishin pushkatuar 6-7 veta. Pas lirimit nga burgu kam mësuar se Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit tonë, në një takim që ka pasur më Ramiz Alinë i ka thënë atij se pushkatimet që janë bërë në veri, nuk janë pritur mirë në popull, veçanërisht pushkatimi me dt, 9 Prill i Shkëlzen Doçit, i cili ishte nga një familje e njohur dhe e lidhur shumë me regjimin. Një xhaxha i Shkëlzenit në atë kohë ka qenë anëtar i Komitetit Qendror të PPSH. Po e pyes Guron pse nuk ia fali jetën Ramiz Alia Shkëlzen Doçit, pas takimit që pati me xhaxhain e tij, një ish-bashkëluftëtar i Ramizit gjatë luftës? Për mendimin tim kjo është një nga arsyet që ne nuk u ekzekutuam në tetor të vitit 1985, pas dënimit me "Vdekje me Pushkatim" nga Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Ju kuptoj madje shikoj se jeni goxha i irrituar me pasaktësitë që mund të ketë pasur dhe që jam i bindur që këto pasaktësi i ka pasur sekretari i Ramiz Alisë përderisa ju që jeni aktori kryesor i subjektit thoni se është krejt ndryshe. Meqenëse jemi në kontakt me mijëra lexues të "Gazeta Shqiptare", mund të na i sqaroni të vërtetat absolute? Së pari, doja të thoja si ka nisur historia dhe a ka pasur një rast atentati në mitingun e Hasit?
E vërteta është se në Has është kapur një person me granatë por që ai s'kishte të bënte fare me Ramiz Alinë e aq më shumë të mund të kishte përgatitur një atentat. Ai faktikisht ka pasur një sherr banal me dy bashkëqytetarë të Hasit.
Më interesantja ishte se këtë fakt e kanë ditur shumë mirë edhe njerëzit e sigurimit që i arrestuan ata djem me akuzën e bujshme se kishin qëllimin për atentat ndaj Ramiz Alisë. E thashë edhe më lart se atentati ishte vetëm në mendjen e Ramiz Alisë dhe sigurimit famëkeq të shtetit shqiptar të asaj kohe.
Zoti Haluci, thatë se ka pasur dijeni sigurimi se djali me granatë në Has nuk kishte qëllim për Ramiz Alinë megjithatë e arrestoi me atë akuzë të tmerrshme. Si ta kuptoj përse e bënë këtë veprim?
Pikërisht për këtë jam i irrituar unë me atë sekretarin që quhet Guro Zeneli që thotë se "nuk u përgjak veriu". Ta kesh të qartë ti dhe i gjithë publiku sot e përgjithnjë se ata persona që u arrestuan në Has gjatë dhe pas vizitës së Ramiz Alisë nuk kanë bërë asnjë veprim për të vrarë Ramiz Alinë. Këtë armë-mbajtje pa leje sigurimi i shtetit e përdori për të ngritur alibinë e një atentati të dështuar si pasojë e vigjilencës së lartë të sigurimit të shtetit për ruajtjen dhe sigurimin e jetës së udhëheqësve të partisë dhe të shtetit. Faktet sa për dijeni të shokut Guro dhe të opinionit janë krejt ndryshe. Kukësi, Hasi dhe Tropoja u përgjakën dhe u masakruan barbarisht pas turit politik të Ramiz Alisë në këto krahina në pranverën e vitit 1983. Vrasjet dhe arrestimet në këto zona jo vetëm nuk u ndaluan por u shtuan sidomos pas ardhjes në pushtet të Ramiz Alisë, mos harroni këtu ekzekutimin barbar që iu bë poetit Avzi Nela i cili u var në mes të Kukësit. Ku ishte në atë kohë shefi yt o shoku Guro? Jeni në një moshë të thyer dhe është mirë që nëse vendosni të flisni thoni të vërtetën mbi ata çka mund të keni parë dhe dëgjuar se kështu i shërbeni më mirë shpirtit tuaj dhe ish-shefit tuaj. Shqiptarët kanë nevojë të dinë të vërtetat që kanë ndodhur gjatë 45 viteve sado të hidhura që të jenë.
Nuk e di zoti Haluci nëse ju jeni në dijeni se çfarë u bë me personin e kapur në Has me granatë në xhep i cili siç deklaroni ju është etiketuar për të ngritur alibinë mbi ekzistencën e grupit armiqësor të Hasit.
Me sa di unë nga të thënat e të burgosurve nga Hasi me të cilët kam jetuar në Burgun e Burrelit ai dhe një tjetër janë pushkatuar, më vjen shumë keq që aktualisht nuk jua kujtoj dot emrat se ka kaluar një kohë e gjatë. Di vetëm se shumë të tjerë u dënuan me afate të gjata burgimi dhe ata të cilët i mbijetuan burgut u liruan në fillim të viteve '90 pas përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri.
Ju keni njohur njeri nga ai grup i Hasit?
Kam qenë në burg me një burrë shumë të mirë që quhet Xhem Sefolli i cili jeton akoma në Has, dhe deri tani nëse nuk abrogohet ligji për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politik nga regjimi komunist, as ai dhe as ata që u pushkatuan dhe as ata që u dënuan dhe vuajtën afate të gjata burgimi nuk përfitojnë asnjë lek si dëmshpërblim sepse janë dënuar si terrorist. Megjithatë qeveria ka paraqitur në parlament një projekt-ligj për disa ndryshime në ligjin "Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politik nga regjimi komunist" ku mund të zgjerohet rrethi i përfituesve përfshi këtu edhe grupin "armiqësor" të Hasit.
Sa vjeç ishte ky atëherë?
Mund të ketë qenë rreth 50 vjeç.
Me sa kam informacion një pjesë a atyre që u arrestuan për atentatin imagjinar ndaj Ramiz Alisë, kanë pranuar se kanë dashur që të vrasin Ramiz Alinë gjatë vizitës në Has.
Ndërkohë, juve thoni se nuk kanë pasur fare të bëjnë. Si ta kuptoj?
Ore, po si mund të vepronin ndryshe nën ato tortura çnjerëzore që ata provuan mbi kurrizin e tyre?! E keni idenë se çfarë mund ndodhte në qelitë e burgjeve shqiptare kur sigurimi të arrestonte dhe të akuzonte se kishe menduar të vrisje udhëheqësin e partisë e të shtetit. Nuk ju reziston dot barbarizmave që të bëjnë. Kështu që edhe për të shpëtuar nga torturat mund të pranosh edhe vdekjen.
Le të ndalimi te ngjarja juaj personale zoti Haluci. Mësuam deri tani se nuk jeni ju personi që u arrestuat në mitingun e Hasit por që gjithsesi jeni arrestuar dhe dënuar me vdekje me të njëjtën akuzë. Si ka rrjedhur ngjarja?
Unë me disa shokë të gjithë të moshës nën 26 vjeç, njëri prej tyre ishte kushëriri im Isuf Haluci, i njohur si njeri shumë i zgjuar dhe i shkathët. Ishim duke bërë një bisedë interesante por që ajo do të bëhej shkak që të vërshonin mbi ne plot 13 akuza të cilat ishin të mjaftueshme që Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë i atyre viteve të na çonte menjëherë drejt skuadrës së pushkatimit, pra të na dënonte me vdekje.
Por, cilat ishin ato biseda që bënit juve në mes të Tropojës që e paskan irrituar aq shumë shtetin e atëhershëm?
Sa për dijeni ne ishim nga familje të persekutuara barbarisht nga regjimi komunist. Që nga viti 1948 deri sa u shemb regjimi komunist shqiptar burgu politik shqiptar nuk ka ngelur pa pasur në qelitë e tij anëtarë të familjes time. Mua me ka vdekur babai në moshën 46 vjeç në dhjetor të vitit 1975 ndërkohë që vuante dënimin e dytë në Burgun e Burrelit pasi ishte ridënuan në revoltën e të burgosurve të Spaçit të vitit 1973. Pas vizitës së Ramiz Alisë në Tropojë në pranverën e vitit 1983, sigurimi i shtetit ishte i interesuar për të sajuar edhe në Tropojë një atentat imagjinar ndaj Ramiz Alisë. Për këtë alibi kush më të përshtatshëm se ne që rridhnim nga familje të persekutuarish do të ishte më i besueshëm për alibinë e tyre. Pas vizitës së Ramizit në Tropojë unë dhe shokët e mi kemi diskutuar vazhdimisht rreth kësaj vizite, duke shfaqur mendimin se sikur të vritej ky, regjimi merrte fund sepse për Enver Hoxhën thuhej se ishte i mbaruar. Madje fantazia jonë filloi të prodhonte mënyra dhe ide se ku dhe si mund të asgjësohej më mirë dhe me thjesht. Ki parasysh se ne ishim disa rinj plot fantazi dhe të pakënaqur nga jeta sepse nuk kishim asnjë hapësirë për të jetuar të paktën si të tjerët. Nuk e di nëse e përfytyroni atë lloj bisede që mund të bëjnë disa rinj por që kishim një të veçantë nga bashkëmoshatarët tanë në të gjithë Shqipërinë. Mendonim se si do t'ja bënim për të shpëtuar nga regjimi.
Ngjarja që ju përshkruani zoti Haluci dhe vizitat e Alisë në rrethet e veriut të cilat ju sa i përmendët, kanë qenë në vitin 1983. Si mund të përmbysnit sistemin komunist sipas jush duke vrarë Ramiz Alinë ndërkohë që atëherë jetonte Enver Hoxha?
Më vjen keq por unë nuk kam pretenduar kurrë se mund të përmbysja regjimin komunist të asaj kohe, por që në atë kohë kam qenë i bindur se regjimi komunist në Shqipëri nuk është i përjetshëm dhe se çdo ditë po i afrohej fundit. Ne kishim shokë e miq edhe në Tiranë dhe kur vinim ndonjëherë në Tiranë flitej hapur se Enver Hoxha në atë kohë ishte në gjendje të rëndë shëndetësore fizike dhe mendore. Në Tiranë flitej hapur mes të rinjsh. Këtë mëndim na e përforcoi edhe më shumë turi i Ramiz Alisë nëpër Shqipëri gjatë vitit 1983. Ky tur politik nuk linte mëdyshje tek askush se Ramiz Alia do të ishte pasardhësi i Enver Hoxhës.
Dhe ju mendonit të shpëtonit Shqipërinë duke vrarë Ramizin?
Ne mendonim të shpëtonim veten. Ne ishim të rinj por nuk e di, e ndjenim dhe e kuptonim se duhej të bënim diçka. Nuk mund të pajtoheshim me atë sistem gjakatar. As me atë fukarallëk të paimagjinuar. Persekutimi dhe hallet na kishin ndërgjegjësuar së tepërmi aq sa të mendonim edhe gjëra të tilla. Ne në atë kohë na punonte mendja vetëm si të shpëtonim nga regjimi. T'i drejtoheshim kufirit nuk mendonim se shpëtojmë sepse të kaloje në Jugosllavi ishe automatikisht i kthyer dhe i kalbur në burg. Unë personalisht e kisha provuar njëherë. Kështu sipas mendimit tonë vdekja e Ramiz Alisë ndërkohë që Enver Hoxha ishte në ditët e fundit të jetës do të përshpejtonte përmbysjen e regjimit.
Sigurisht, ju vetëm aludonit tashmë që Ramizi kishte përfunduar vizitat?
Patjetër, por që neve diskutonim vetëm për hallet tona. Dhe kjo gjë na çonte mendjen deri te Ramizi. Pra ishte një bisedë dhe kaq.
(Vijon në numrin e ardhshëm)

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›