Skënder Luarasi: Ana e panjohur e Migjenit
Skënder Luarasi
Takimet e mia me Migjenin
... Shumë të tjerë e njohën Migjenin vetëm përmes veprës, kurse mua, një rast i mbarë, ma solli ta njoh edhe personalisht, kur më transferuan në gjimnazin e Shkodrës, në vjeshtën e vitit 1934.... Me Migjenin u njoha në këto rrethana: Qe e diela ime e parë në Shkodër. Kur dola në mëngjes nga zyra e konviktit që të piqesha me një nga miqtë e mi shkodranë, vura re kujdestarin e konviktit tek po i ndante nxënësit dysh. E pyeta se ç’po bënte dhe më tha se ata në radhë do t’i shpinte në kishë.
“Po të tjerët?”, - e pyeta.
“Janë muhamedanë”, - m’u përgjegj.
Ndërkohë, miku im erdhi dhe dolëm të shëtisnim. Kur iu afruam kafe ''Parkut'', ndaloi te rruga kryq, ku po afrohej një djalosh e më foli: “Do të të njoh me një koleg të ri, mësues në Vrakë, shumë i mirë…ortodoks”.
U prezantuam. Ndonëse të posa-njohur, vetë takimi u bë në mënyrë të tillë që na dha temën e bisedës. Unë, i indinjuar nga një atmosferë e këtillë fanatike, i tregova mikut të ri ç'ë kishte ngjarë në oborr të konviktit dhe i thashë se, e para punë që duhet të bëjnë arsimtarët në Shkodër ish ta shkulnin nga rrënjët kuçedrën e fanatizmit. Migjeni, buzagaz, më tha se unë sapo kisha filluar dhe se do të më jepej rasti të njihesha më mirë me këtë përbindësh.
Takimi im i parë me Migjenin ish i shkurtër; po më gëzoi, se gjeta në këtë djalosh një njeri që qëndronte përmbi dasitë fetare. Më vonë u binda se Migjeni kish të drejtë që përbindëshi mund të rrëzohej vetëm me goditje të fuqishme si ato që dha Migjeni vetë!
Këtë ditë e dëgjova për të parën herë emrin e vërtetë të Migjenit, por edhe pseudonimi i tij po këtë ditë nisi të më bëhej më familjar. Qoftë për urrejtjen që kisha për “Illyrinë”, si organ pro-fashist dhe nuk e lexoja veçse për kuriozitet, qoftë edhe për mosbesimin tim se në atë kohë mund të dilte ndonjë pendë me vlerë, as ato pak shkrime të Migjenit nuk i kisha lexuar me ndonjë interes të veçantë. Ky interes m’u zgjua kur u njoha me vetë autorin e tyre dhe lexova: “Të lindet njeriu” dhe sidomos “Këngët e rinisë”. Thashë: “Prej një njeriu me moral të madh, siç është Migjeni, edhe poezia e tij, vetë duhet të jetë e madhe”.
Herën e dytë u poqa me Migjenin në shtëpinë e dajeshës së tij, Ujnës. Ndërsa kolegu im, me të cilin vajta për vizitë, seç kish të rregullonte me të birin e saj, Migjeni dhe unë ramë në bisedë për shkollën. Edhe kjo qe një temë e rëndësishme, se kish ardhur koha kur duheshin peshuar frutat e para të shkollës laike. Shumëkush u gënjye me tragji-komedinë e shtetëzimit të shkollave nga shpresa se në trollin e shkollës kombëtare do të arrihej bashkimi i popullit shqiptar. Por frutat dolën të hidhura!
Këtë dështim e kishte ndjerë thellë Migjeni. Ai njihte mirë gjendjen e fillores, prandaj u interesua të dijë përshtypjet e mia mbi brendinë e programit të shkollës së mesme; mbi karakterin e edukatës që merrnin nxënësit. Unë s’isha aspak entuziast me punën e shkollës, andaj s’gjeta, veçse fjalë të këqija për të. I thashë se mendjen ua dërgojmë nxënësve në klasicizëm për të mësuar gjëra që s’u duhen dhe lëmë pa mësuar gjëra që u duhen në jetë...
Po nga kjo bisedë me Migjenin pata një përshtypje akoma më të madhe kur vura re se atë e interesonte shkolla, para së gjithash, nga pikëpamja se me ç’ideale shoqërore mbruheshin nxënësit shqiptarë. Tani nuk më kujtohen pikë për pikë fjalët e tij, po di se Migjeni m’u imponua me idetë e tij fisnike, me idealin e përparuar, me pikëpamjet e larta politike, me dashurinë e tij të madhe për njeriun.
Këtë konstatim e kanë shprehur edhe të tjerë. Një vajzë që e pati njohur mirë Migjenin që nga shkolla e studimeve të mesme, (Bojka Nikolla, shënim i red. P.L) e shfaqi admirimin e saj për poetin, në një letër ngushëllimi, që i dërgoi motrës së tij, Ollgës, më 4.9.1938,duke bërë këtë sintezë të njeriut moral-madh e të njeriut poet, në Migjenin:
‘’E dashur Ollgë; e di se je fatkeqe për këtë humbje të madhe, po të lutem, të mendosh për ata që, pas tij, i don më shumë; dhe të jenë ata ngushëllimi dhe qëllimi i jetës sate. Sepse “Dashuria e madhe për njerëzit” ka qenë qëllimi i Mirkos sonë të dashur; ti e din këtë dhe do ta dijë gjithë bota; dhe ai do të jetojë gjithmonë në kujtimet tona me veprën e tij”.
Në këtë takim të dytë folëm edhe për poezinë. Prapë këtu kuptova se ç’qëllim serioz mbante Migjeni ndaj artit; kuptova se ato që shkruante ai nuk ishin si bejtet që thurin njerëzit kur s’kanë ç’bëjnë dhe duan të dëfrehen, po ishin mjaltë e mbledhur për të ushqyer një popull. Sado pak, këtë e pohon edhe rrëfimi i Ujnës, e cila më tregoi:
- Milloshi mbante letër e lapës pranë shtratit, në dhomën ku flinte. Shpesh herë ajo kish vënë re se i nipi ngrihej natën në shtrat, dhe ashtu në terr, shkruante mendimet që i vinin në mend.
Një herë tjetër Migjeni më erdhi për një vizitë në konvikt. Ai më mbyti me pyetje: ”ǒjanë këta konviktorë? Nga vijnë? Fshatarë janë apo qytetarë? A vijnë prindërit t’i shohin? A kanë banjë në konvikt? Po rroba, këpucë, sapun, furçë dhëmbësh? A sillen mirë me njëri-tjetrin, a gënjejnë, a vjedhin? A thonë të vërtetën? A i ndajnë edhe tani pas fesë, t’i shpien në kishë? A lexojnë e ç’lexojnë? A i këndojnë këngët e vendit të tyre me qejf? A qeshin, a janë të gëzuar?
Migjenin e preokuponte shumë si përgatiteshin nxënësit në shkollë. Sa prekej kur i flisja për mungesat, sa shqetësohej për fatin e nxënësve të varfër, të dalë nga gjiri i popullit! Dhe çfarë zemërimi e kapte kur i tregoja sa të zbrazur ishin tekstet, sa punë të keqe bënin disa pedagogë prapanikë! Dhe ai i aprovonte këto dhe vuante. Nuk ishte e rastit që disa nga këta konviktorë, që kishin zënë dorë me Migjenin, i kishin dëgjuar këshillat e tij: Emin Duraku, Hajdar Dushi, Nazmi Rrushiti, Bardhok Biba, e sa e sa të tjerë, bënë edhe jetën fli për një atdhe të lumtur shqiptar…
Serioziteti dhe dëshira për punë qenë cilësitë themelore të poetit tonë me talent të madh. Ai rrallë shkonte në kafenera; dhe kur shkonte, vinte në “Vatra”, pronari i së cilës qe një katolik, por klientët, në shumicë ishin punëtorë muhamedanë e ortodoksë. Nga që mbyllej në shtëpi dhe punonte, ndër intelektualët, e sidomos ndër profesorët, qe përhapur ideja sikur Migjeni ish i vetmuar dhe madje pesimist. Po s’ka mendim më të gabuar se këtë! Njerëzit që përpiqen të gjejnë udhë të reja drejt idealeve të larta nuk mund të jenë kurrë pesimistë.
Migjeni nuk ish i vetmuar, as optimist i marrë, as pesimist i mbytur në zi. Ai qe njeri i përmbajtur, zot i vehtes, i arsyes. Mendonte para se të fliste dhe fliste pak e me vend.
Për ato pak që shkroi, Migjeni punoi shumë. Punoi që ta shkrinte personalitetin e tij burrëror në fjalën e tij të fuqishme. Në një kohë kur sundonte tirania e gjaktë, “Vargjet e lira” pushtuan dhe gëzuan zemrën e të gjithë rinisë shqiptare.
“Vargjet e lira” ma pushtuan dhe ma gëzuan zemrën edhe mua, që isha dhjetë vjet më “i vjetër” se Migjeni. Në Shkodër, në shoqëri të Migjenit, u rrita edhe unë me idealet e tij. Prandaj, kur në dhjetor 1935 më lajmëruan transferimin për në Tiranë, më erdhi keq që po linja Shkodrën, që e kam dashur fort, por edhe se do të ndahesha nga Migjeni.
Më parë se t’i linim shëndenë njëri-tjetrit, Migjeni dhe unë bëmë një shëtitje në fushën e Shtojt. Tani që Migjeni më ish imponuar si personalitet i fortë, si talent i fuqishëm, u bëra një nga admiruesit më të zjarrtë të poetit. Këtu, për herë të parë ia shfaqa mendimin tim të fundit për vlerën e madhe të veprës së tij dhe e këshillova t’i mblidhte poezitë nga revistat e ndryshme dhe t’i botonte. Dhe Migjeni ma pranoi idenë.(1)
Unë diçka bëra që ta plotësoja zotimin që i dhashë. Ndoshta mund të kisha bërë më shumë; por rrethanat nganjëherë na pengojnë edhe në dëshirat tona më të zjarrta. Sidoqoftë, në atë kohë “Vargjet e lira” shkuan në shtyp dhe fatbardhësisht disa ekzemplarë i shpëtuan censurës e ranë në duar të rinjsh, që i daktilografuan në qindra kopje.
Kjo përpjekje nga ana ime për të botuar “Vargjet e lira” më 1936 më jep sot një farë ngushëllimi dhe më qetëson, sado pak vetëdijen. Dhe gëzohem kur mendoj se kam qenë miku i poetit shqiptar që na nderon kombin në sy të gjithë botës. (1 - Shihni: letra e Migjenit dërguar Skënder Luarasit. Shkodër, më 12.1.1936 )
Vepra e Migjenit
Kur kujtoj Migjenin, e kam një peng në zemër dhe me mallëngjim kujtoj si nuk munda t’ia botoj “Vargjet e Lira” më 1936, para se të nisesha për në Spanjë. Kur u riatdhesova, qëllimi im më i rëndësishëm në lëmin letrar qe njohja me trashëgiminë letrare të Migjenit dhe botimi i plotë i saj. Deri në vitin 1948, i ndihmuar edhe nga rasa, arrita të mbledh gjithë krijimtarinë e Migjenit në prozë e poezi. Pjesa më interesante e përmbledhjes do të ishin novelat e panjohura që më pati dorëzuar ime shoqe, motra e Migjenit, Olga. Pata përgatitur edhe një biografi të tij, rreth 100 faqesh, të pasuruara me plot fotografi dhe faksimile. Për t’a bërë sa më të pasur desha të vija edhe në Jugosllavi: Në Ulqin banonte një kushërira e parë e tij, në Tivar motra më e madhe, në Beograd një kushërira e parë nga e ëma... Por, pasi nuk m'u mundësua, u kënaqa me burimet në Shqipëri.
Megjithëse isha një nga themeluesit e Lidhjes së Shkrimtarëve, shkoja atje rrallë e tek më të shumtën e rasteve kur kishte nevojë të ngutshme kryesia apo interes personal sekretari i saj, Dh. Sh. Një ditë vajta në Komitet dhe e pyeta sekretarin në kishin interes të botonin jetën dhe veprën e Migjenit, me shtatë novela ende të panjohura, në rastin e shënuar të10-vjetorit të vdekjes. “Por...Shtatë novela të panjohura? Vërtet?’’ Dhe kështu ia dorëzova të daktilografuar materialin, veprën e Migjenit, poezi e prozë dhe biografinë njëqind faqe me foto e faksimile. Lajmi për gjetjen e shtatë novelave (më poshtë shpjegohet që janë gjashtë novela të plota e dy të papërfunduara që u bashkuan në një. Shën. i P. L) të panjohura të Migjenit bëri bujë dhe të gjithë prisnin të botoheshin sa më parë por krijuan edhe nakar në disa nga shkrimtarët ziliqarë të së 30-ës! Dashamirët u gëzuan ndërkohë vura re se në atë komitet kishte njerëz që do të donin të mos i përmendej emri kurrë Migjenit Përmbledhja që dorëzova u botua e copëzuar. Dh. Sh. e M. N. botuan shumë nga poezitë e novelat e Migjenit (bashkë me dy nga të rejat, të pabotuara më parë) në organin e Lidhjes së Shkrimtarëve ‘’Literatura jon뒒, me shënimin sikur t’i kishin zbuluar ata.
Ndërsa materialin e plotë të mbledhur prej meje, Kryesia e Lidhjes, për fat të keq, gjetën e ia dorëzuan Gjovalin Lukës duke na futur në sherr... Asaj kohe, ndër të plotfuqishmit në radhët e intelektualëve qe edhe sekretari i shoqatës Shqipëri-Bashkimi Sovjetik, Gjovalin Luka, i cili sillej mirë me mua. Kudo që të haseshim, më respektonte dhe shpesh më ftonte të merrja pjesë në aktivitetet e asaj shoqate...
Në beharin e vitit 1953 mora vesh se punimi im mbi Migjenin ishte çuar në shtyp nën redaktimin e Gj. Lukës. Protestova duke i dërguar letrën e mëposhtme Drejtorisë së Arsimit e të Kulturës në Komitetin Qendror, ku drejtonte Fatmir Gjata. ( shih letrën, më poshtë, - shën. Red.).
Letra
Drejtorisë s’Arsimit e të Kulturës, Tiranë
Mbi botimin e veprave të Migjenit
Në gusht 1948 i dorëzova Komitetit të Lidhjes së Shkrimtarëve: 1) Vargjet e Lira, të plotësuara me këngët e censuruara më 1948; 2) Koleksionin e Novelave, gati për t’i shtypur; 3) Refrenin e Qytetit të Veriut, tetë novela të pabotuara, të cilat i pata daktilografuar prej manuskriptit dhe bërë gati për botim. Më 1948, me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së Migjenit, iu afrova Lidhjes për botimin e këtyre veprave. Tani Lidhja i vuri vetë në shtyp, për15-vjetorin e vdekjes së Migjenit. Kjo është punë e mirë; po do të ishte më mirë sikur komisioni i Lidhjes, më parë, të merrej vesh me familjen e Migjenit dhe me atë që ia vuri në dispozicion materialin që botohet. Kur radhën e fundit e bisedova çështjen me nënkryetarin Sh. M., ky më tregoi udhën e gjyqit. Unë nuk dua të shpie emrin e Migjenit nëpër gjyqe, prandaj ju lutem juve të ndërhyni pranë Komitetit të Lidhjes dhe t’a bëni t’i respektojë të drejtat morale dhe materiale të familjes së Migjenit. Me nderime Tiranë, më 11.VII.1953
(Skënder Luarasi)
Adresa: Pranë Institutit të Shkencave
Por më 1954 Gjovalin Luka u lejua që ta botojë veprën e Migjenit, me plot gabime dhe pa shënuar asnjë fjalë mirënjohje për mundimin e të tjerëve. Me këtë botim të veprës së Migjenit nga Gjovalin Luka, nuk më indinjoi aq shumë përvetësimi i punës sime sesa mungesat e shumta në formë dhe gabimet ortografike, me shtrembërimet ''e çuditshme'' ndaj origjinalit. Bije fjala, novelës së panjohur ''Studenti në shtëpi'' që mbaronte me frazën ''ofendonjëse'': ''Prandaj, shoqni , hiqi bregashet'' i qe shtrembëruar kuptimi në “hiqe maskën”(!) (Shënim: identitetet janë zëvendësuar me iniciale nga P.Luarasi)
Ndaj protestova ashpër.
Kritika e Skënder Luarasit
Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve, këto ditë botoi librin: “Migjeni – Vepra”, mbledhë e shpjegue nga Gjovalin Luka; Tirazhi 4000 copë, shtypur në Stabilimentin “Mihal Duri”, Tiranë. Ka një fotografi të poetit, një shënim të shkurtër mbi përmbajtjen dhe një koment në fund të faqes për çdo copë letrare. Në fakt, ky vëllim pushton lëndën që Skënder Luarasi ja pat dorëzuar për botim Komitetit Drejtonjës të Lidhjes së Shkrimtarëve në Gusht 1948 që të botohej me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së Migjenit: 1)Vargjet e Lira, të plotësuara me këngët e censuruara më 1944; 2) Novelat e shkurtra, të mbledhura prej Skënder Luarasit nga revistat e ndryshme dhe të botuara n둒Literatura Jon둒 në Gusht 1948 dhe 3) Refreni i Qytetit të Veriut, tetë novela (nga të cilat dy të pa mbaruara). (Këto dy copëza u bashkuan në një ndaj flitet vende-vende nga S. Luarasi here për shtatë novela të zbuluara dhe herë tetë. Shën. i P.L) të pa botuara gjer dje, dhe që i ruan në dorëshkrim familja e poetit. Gjovalin Luka nuk i ka dalluar novelat e shkurtra prej novelave “Refreni i Qytetit të Veriut” por i ka përzier dhe u ka vënë nëntitullin ‘’Skica dhe tregime’’. Që në krye del pyetja: A kemi të drejtë t’a botojmë të ndryshuar një vepër posthume? Disa janë të mendjes se po. “Migjeni”, - thonë ata, - “si i ri që qe, nuk qe dhe aq i arrirë në gjuhën e tij të pasur”. E pra, të metat e vogla që ka duhen ndrequr. Këtë pikëpamje, si duket, Gjovalin Luka e ka pranuar dhe është përpjekur ta zbatonjë në veprën e Migjenit. Dhe kështu ngjet që në novelat që dalin sot në dritë për të parën herë, nëpër 32 faqe (f. 128-160), hasim jo më pak se 500 ndryshime prej origjinalit, të cilët do të kërkonin 15 faqe të tjera për t’i vënë në “Ndreqje gabimesh”. Po të çfarë natyre janë këto ndryshime? Me ndihmën e dorëshkrimit të Migjenit, ato më kryesoret po i kthejmë në formën origjinale të tyre: “Studenti në shtëpi”, novela e renditur e para në dorëshkrimin e Migjenit, është xhalavitur më keq nga të gjitha. Në 11 faqe përmbi 200 gabime. Nuk është punë pikësimesh, ndonëse edhe pikësimet kanë edhe ata vendin e tyre dhe lozin një rol të rëndësishëm në shprehjen e naltësuar të një poeti. Porse, në këtë novelë, ajo që ja heq të gjithë forcën kuptimit të saj është ndryshimi që ka pësuar fjalia urdhërore fare e fundit: Hiqi bregashet (Hiqe maskën). Me sentencën e fundit, poeti nuk dënon shoqërinë feudale e borgjeze vetëm për hipokrizinë e saj: poeti e padit për diçka natyrale, që as nuk varet prej vullnetit të mire ose të keq të klasës; e padit pazotësinë e saj t’i japë njerëzimit gjëkafshë të dobishme për të ardhmen, se i kanë shterur aftësitë pjellore; e padit për shterpësinë e saj; dhe që t’ia njohë bota këtë impotencë, megjithëse e ofendon rëndë feudalizmin dhe borgjezinë shkodrane, i thotë: “Hiqi bregashet”.
“Të çelen arkapijat”, e dyta novelë në dorëshkrimin e Migjenit, ka vetëm tre omisione fjalësh dhe më pak gabime se cilado nga të tjerat e botuara. Në faqe 152: dhe prandvera që aqë pritej, erdhi dhe po kalon si një udhtare (ushtar) pa randësi.
“Historia e njenës nga ato”, e treta, në origjinal ka dy omisione fjalësh: njëra pas fjalisë: Sa të bukur ike sytëi fliste djaloshi. f.158: Ajo heshtte sa të bukur e ke këtë (mungojnë) dhe tjetra, në po këtë faqe, pas fjalisë: Praj, more vagabond Një kapardisje n’intimitetpo e cila fjali mund të jetë lënë jashtëpër natyralizmin e fjalisë se në literaturën tonë s’ekemi kapërxyer akoma kufinë e realizmit ndoshta. Në faqen 158: si një koprac, ajo grumbuloi (qëgrumbullon); f.159: me një za në mes të vajit e tëshamjes (të vajit dhe fshamjes) Ja disa trajta të Migjenit që janë ndryshuar: nuk ju a (ndryshuar në: ua, për personin e dytë shumës) qethesapi; Një (nji), shpresë (shpnesë), do (do të, kam me), ynë (i ynë, i jonë), netë (net), ditë (dit), msheftaz (msheftas), sillte (sjelltë), në grykë (ndrykë), dritore (dritare), mori (muer), mezi (memzi), shum (shumë -si ndajfolje), munda (mujta), shokët e mij (shokët e mijë), përgatitur (pregatitur), të soçme (tësotshme), do të dojnë (do të donë), as i bje në sy (ass’i bje në sy), dilshin (i delshin) gjithë këto trajta e shumë të tjera të përdorura drejt prej Migjenit që janë ndryshuar pa ndonjë kriter dhe janë “përdhunuar” në botimin e tashëm, dëshmojnë se Migjeni më 1935 ka patur kuptim më të drejtë për gjuhën shqipe se shumë shkrimtarë shqiptarë më 1954, megjithëse Migjeni i bëri mësimet në shkollë të huaj, larg atdheut, ndër tëhuaj dhe pa asnjë rast të merrej me letërsinë gjer më 1933. Prej këtyre krahasimeve, më duket, del e qartë se nuk është e vërtetë që “Migjeni, si i ri që qe, nuk qe dhe kaq i arrirë në gjuhën e tij të pasur”. Jo vetëm në mendimin, por edhe në formën me të cilën e vesh mendimin, Migjeni është më i përparuari nga të gjithë shkrimtarët shkodranë bashkëkohas, me tendencën e tij centripetale në lëmën e gjuhës shqipe. Natyrisht, ka pasur edhe Migjeni anën e gabuar në gjuhë, sidomos në përdorimin esolicizmave; për shembull: i ati kishte fituar do rudha në ball; pa farë turpit, tri vjet, i ati të presin ndihmën e të birit, Ageja e shikojte; sikur ndollet ndokush n’agoni të vdekjes; çaste radha. Porse këto gabime i kuptojmë lehtë kur mendojmë se Novelat në fjalë poeti vetëm se i kishte hedhur në koncept. Kur shkoi në Itali i mori me vete që me nge t’i rishikonte e t’i ndreqte. Se autori vetë e ka këtë të drejtë, të drejtën t’i rishqyrtojë dorëshkrimet e tij, po ne nuk kemi asnjë të drejtë t’ja botojmë të ndryshuara. Ne duhet t’a ruajmë e t’a nderojmë trashëgimin e tij pa rezervë që ashtu edhe të mundimtë gjurmojmë zhvillimin e Migjenit në gjithë fazat e ndryshme si shkrimtar e si mendimtar. Pas këtij shqyrtimi të shpejtë të “Novelave” të cilat Migjeni i pati shënuar me datën “në Shkodër 31-I-1936” dhe në botimin e të cilave pasqyrohet pakujdesia e redaktorit për t’i paraqitur publikut një botim të përshtatshëm të poetit tonë të adhuruar, dua të shënoj edhe nja dy mungesa të përgjithshme në këtë “Vepër”. Përveç një botimi estetikisht të lartë, të mbështetur në një përpikmëri shkencore dhe në një ndarje metodike të materialit, lexonjësit shqiptarë prisnin edhe diçka tjetër në këtë botim: një tirazh më të madh, ndonjë fotografi të re të poetit djalosh, një hyrje dhe një skicë biografike të tij. Së paku t’ishin shënuar në rrëzë të fotografisë datat kardinale të poetit. Zoti Gjovalin Luka, që mori përsipër të redaktonte materialin e mbledhur nga tjetërkush dhe nuk pati mirësinë të shënonjë asnjë fije mirënjohjeje për mundimin e të tjerëve, e ka pasur për detyrë të superonte çdo punë të bërë gjer më tani mbi “Veprën” e Migjenit. Gjovalin Luka i ka pasur të gjitha mundësitë ta plotësonte këtë detyrë: ka pasur gjithë materialin e poetit të ruajtur në bibliotekën dhe në arkivin e Institutit të Shkencave; gjithë ato reçensione e kritika e referate e biseda e konferenca që janë botuar për kujtimin e poetit; ka pasur në dispozicion të tij anthologjitë, dorëshkrimet, librarinë, korespondencën, fotografitë e dorëshkrimet e Migjenit të ekspozuara në rastin e datave përkujtimore të poetit. Por ç’u bë, u bë. Dhe më mirë që tirazhi është i unjt: 4000 ekzemplarë të “Veprës” do të çduken në katër javë e sipër. Dhe atëherë do të ndjehet nevoja për një edicion të ri të poetit, të plotë, të drejtë, të denjë për Migjenin; ky edicion i përgatitur me kujdesin më të madh duhet të pushtonjë një Hyrje, Biografinë e Migjenit, korespondencën e tij, ndonjë fac-simile dhe gjithë ato copra dorëshkrimi që shpëtuan nga humbja dhe nuk janë vënë në shtyp gjer tani. Vepra e Migjenit e “këngëtarit me gjakun kryengritës” që na la për trashëgim “Vargje të Lira”, duhet të zërë një vend të merituar në historinë e përpjekjeve të popullit shqiptar për liri, kulturë e begati.
Skënder Luarasi Tiranë, më 2 prill 1954 (Kjo kritikë është dhënë me shkurtime të shembujve për ndreqje gabimi. Shënim i P. L)
Ndërkohë në Drejtorinë e Kulturës e të Arsimit në Komitetin Qendror u shqyrtua përsëri çështja e botimit të veprës së Migjenit, të punuar nga unë dhe m’u njoh e drejta. Me gjithë kundërshtimin e disa zyrtarëve të lartë, më 1956 u botua vepra e Migjenit që i pata dorëzuar Lidhjes së Shkrimtarëve për botim që më 1948, me 223 faqe dhe tirazh 6000 kopje. (Por edhe në këtë botim u “krasitën” nga censura rreth 12 faqe daktilografike nga jeta e Migjenit. Shën. i P.L.)
Parathënie e veprës ‘’Migjeni’’ të Skënder Luarasit , botim i vitit 1957 dhe 1961.
Me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së Migjenit “Literatura jonë”, gusht 1948, botoi 16 copë nga novelëzat e tij, nga të 22 novelat të botuara në shtyp gjer atëhere. Në gusht 1953, me rastin e pesëmbëdhjetë vjetorit të vdekjes së Migjenit, prapë “Literatura jonë” botoi dy nga të tetë prozat e panjohura të autorit, të ruajtura prej familjes së tij “Të çelen arkapijat” dhe “Studenti në shtëpi”.
Më 1954, Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve botoi librin “Migjeni – Vepra” - mbledhë dhe shpjegue nga Gjovalin Luka; me një fotografi të poetit, një shënim të shkurtër gjysëm faqe në fillim mbi përmbajtjen, dhe ndonjë koment në fund të faqes për çdo copë letrare. Në fakt, ky vëllim pushton pjesën më të madhe të lëndës që Skënder Luarasi ja pati dorëzuar për botim komitetit drejtonjës të Lidhjes së shkrimtarëve në gusht 1948 për ta botuar me rastin e dhjetëvjetorit të vdekjes së Migjenit 1)Vargjet e Lira të plotësuara me këngët e censuruara, më 1944 2) Novelzat dhe 3) Novelat e Qytetit të Veriut (siç i ka quajtur Migjeni vetë në kapakun e tyre) të pabotuara gjer atëhere dhe që i ruan në dorëshkrim familja e poetit... ( f.42-43).
Skënder Luarasi Tiranë, më 26 gusht 1956
U gëzova se e vërteta u shpall dhe u pranua botërisht për ata që kishin sy e veshë e mendje të kthjellët. (*)
Edhe Gjovalin Luka, kur nuk zotëronte më pushtet më kërkoi ndjesë për aktin e padrejtë por u mirëkuptuam që nuk ishte ai shkaktari kryesor. E vlerësoja Gjovalinin ndaj e përjetova me dhimbje fatin e tij tragjik. Botimi i jetës dhe veprës së Migjenit pati një jehonë të gjerë, qartësoi e motivoi shumë mendje të reja por nuk i kyçi gojën “të moçmes së mykur”.
Shënim: Kujtimet e Skënder Luarasit për Migjenin dhe historinë e botimit të veprës së tij letrare publikohen në gazetë duke u bazuar në dokumentet dhe materialet që na dha djali i Skënder Luarasit, Petro Luarasi
28 Prill 2010