E Diel, 1 Nëntor 2026

Ulet numri i lindjeve, Vasili urdhëron kontrolle në klinikat private



Ulet në mënyrë të ndjeshme numri i lindjeve në Shqipëri. Nga 3.3 fëmijë që llogaritej lindshmëria në vitet 1993-1995, kjo shifër ka rënë në 1.6 fëmijë për grua në vitet 2006–2008. Ndërsa i përket numrit total të lindjeve, në vendin tonë, çdo vit regjistrohen rreth 35 mijë fëmijë. Të dhënat i referohen studimit të fundit demografik që u krye në mbarë vendin. Specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë thonë se ulja e lindjeve lidhet jo vetëm me përdorimin e metodave kontraceptive, por një arsye është dhe kryerja e aborteve, sidomos në klinikat private, të cilat nuk raportojnë për numrin e tyre. Për këtë arsye, Komiteti Kombëtar për Shëndetin Riprodhues, organizoi dje një takim të posaçëm, në të cilin u vendos që të nisë një kontroll i rreptë mbi abortet në Shqipëri. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i pranishëm në këtë takim, gjatë fjalës së tij deklaroi se do të ndiqen penalisht të gjitha klinikat që do të rezultojnë të palicencuara dhe që marrin përsipër të kryejnë abortet. Për këtë, ministri i Shëndetësisë, ka kërkuar nga bluzat e bardha të përçojnë informacionin deri në zonat e thella, për të ulur rrezikun që u shkakton femrave vendimi për të kryer abortin. “Jemi në momentin e duhur dhe në rrugën e duhur për t’u ofruar grave metodat më të mira bashkëkohore. Kjo gjë do të rrisë cilësinë e shëndetit të tyre dhe do t’i shmangë ato nga evenimente stresuese siç është barra e padëshiruar e cila i detyron gratë të kryejnë abort”,- tha Vasili. Ndërkaq, specialistët e Shëndetësisë theksojnë se aborti vazhdon të mbetet alternativa kryesore për gratë në rastet kur u ndodh një shtatzëni e paplanifikuar. USAID dhe Ministria e Shëndetësisë do të nisin një fushatë informimi mediatike për përdorimin e metodave kontraceptive. Fushata do të jetë njëmujore dhe do të shfaqet në televizione, radio e reklama në mjetet e shtypit në të gjithë vendin. Mesazhi kryesor i fushatës është se kontraceptivët bashkëkohorë janë të sigurt për shëndetin, ato gjenden lehtë dhe janë të thjeshtë në përdorim. Çmimi i tyre është i përballueshëm. Nga të dhënat e deritanishme rezulton se gratë preferojnë më shumë metodat tradicionale, rreth 59 për qind e tyre, në raport me 11 për qind që zgjedhin metodat bashkëkohore. Përdorimi i metodave të planifikimit familjar ka njohur rritje vitet e fundit, megjithatë, ende mbetet në nivele të ulëta. Të dhënat nga Studimi Demografik dhe Shëndetësor tregojnë se përdorimi i metodave kontraceptive bashkëkohore në Shqipëri është rritur nga 8 % në 2002, në 11 % në vitin 2009.

28 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›