Arsimi rrezikohet nga “kriza” e mësuesve të Matematikës
Jonida Tashi
Brenda pak vitesh sektorin e arsimit në vendin tonë rrezikon të prek “kriza” e mësuesve të Matematikës. Tashmë pothuajse në të gjitha shkollat e vendit është vënë re një mungesë e theksuar e mësuesve të kësaj lënde, pasuar me ata të Fizikës, Biologjisë dhe Informatikës. Kjo ka bërë që ofertat e shkollave për mësues të shkencave ekzakte të mos përputhet më me kërkesat, duke nxjerrë në pah mungesën e këtyre arsimtarëve në arsimin parauniversitar. Arsimtarët në Tiranë, ngrenë shqetësimin se pas disa vitesh mësuesit e Matematikës, do të jenë të paktë. Madje dhe ata që japin mësim aktualisht i përkasin një brezi shumë të herët. Ky shqetësim është ngritur dje edhe nga drejtoresha e gjimnazit “Partizani”, në kryeqytet, Luljeta Basha, që njëkohësisht është mësuese Matematike.
Pakësimi
Duke marrë shkas nga situata e krijuar, drejtoresha e “Partizanit” pohon mësuesit e Matematikës po pakësohen nga vitit në vit, për rrjedhojë, brenda pak vitesh nuk do të ketë më mësues të kësaj lënde. Drejtoresha e gjimnazit “Partizani”, shprehet se arsimtarët që japin këtë lëndë janë të paktë, ndërkohë që maturantët tashmë, po drejtohen drejt degëve të profilit shoqëror, duke u përshtatur dhe me tregun e punës. Ndërkohë që dega e Mësuesisë, sipas saj, po degradon. “Nxënësit më të mirë që nxjerrim ne nuk e kanë prioritet Matematikën, pavarësisht prirjeve që kanë në këtë lëndë. Prioritet kanë degët që janë më të pëlqyera dhe që kanë treg pune më të mirë. Matematika nuk është se s’ka treg pune, por duke qenë se shumica e atyre që kanë mbaruar Matematikë do të bëhen mësues, mësuesia ka vite që nuk është shumë e preferuar”, thotë Luljeta Basha. Deklarata e arsimtarëve që dega e Matematikes apo e Fizikës tashmë është shumë pak e preferuar, përforcohet edhe nga vetë maturantët, të cilët, jo vetëm që nuk e preferojnë si zgjedhje për studimet e larta, por madje thonë se njohuritë e tyre për këtë lëndë janë të pakta. Ndërkaq, po kaq problem shqetësues do të jetë për shkollat e vendit edhe mungesa e mësuesve për lëndët Fizikë, Biologji, Informatikë. Specialistët e Drejtorisë Arsimore Tiranë vazhdimisht kanë shpjeguar në lidhje me këtë problem, se për këto vende pune nuk ka kërkesa nga arsimtarët, për vetë faktin se këto degë për shkak të vështirësisë nuk janë të preferuara nga të rinjtë. Ndërkohë që krejt e kundërta paraqitet situata në shkollat e arsimit parauniversitar, të cilat pothuajse çdo vit shpallin kërkesa për mësues më së shumti në lëndët e shkencave ekzakte.
Punësimi
Mësues në Tiranë mund të punësohesh vetëm nëse ndonjë nga arsimtarët del në pension. Ky fakt është pohuar më parë për gazetën edhe nga vetë drejtoresha e Drejtorisë Arsimore Tiranë, Arjana Bekteshi, e cila ka sqaruar se kërkesat për t’u punësuar në arsim nuk shkojnë në përpjesëtim të drejtë me ofertat. Madje, Bekteshi, ka treguar edhe arsyet e fluksit të madh të kërkesave për t’u punësuar në arsim, që sipas saj, më kryesoret janë: ulja e numrit të lindjeve si dhe transferimi i shumë banorëve për në kryeqytet. “Vende të lira ka jashtëzakonisht pak, sepse numri i lindjeve sa vjen dhe ulet. Vendet për punë që hapen këtu janë vetëm kur dikush del në pension”, - është shprehur Bekteshi. Sipas saj, duke rënë numri i lindjeve bie edhe numri i nxënësve. Për pasojë dalin mësues tepër dhe nuk krijohen vende të lira pune. Numrin e lartë të kërkesave për t’u punësuar në arsim, Bekteshi e sqaron me faktin se aty nuk vijnë vetëm kërkesat të reja, por kërkesat janë të trashëguara. Duke qenë se një pjesë e konsiderueshme e banorëve nga rrethet janë shpërngulur drejt Tiranës, për arsye nga më të ndryshmet, të gjithë ata që mbarojnë shkollën e lartë depozitojnë dokumentet për punësim në Drejtorinë Arsim ore të Tiranës.
boc
Stazhi, Ministria grup pune për kritere të reja
Ministria e Arsimit ka ngritur një grup pune, i cili po diskuton mbi përgatitjen e mësuesve të rinj. Sipas burimeve zyrtare, pranë këtij grupi, një nga propozimet është dhe futja e stazhit të punës, për arsimtaret e sapo diplomuar në degë që nuk janë të preferuara, por edhe në zona që kanë nevojë për mësues. Mësuesit do të mund ta kenë ketë titull përfundimtar nëse kanë arritur të përfundojnë me sukses dy kontrata të njëpasnjëshme pune. Skema e re, e përgatitur nga Ministria e Arsimit, parashikon një periudhë fillestare si “provë” për arsimtarët dhe një tjetër paksa më të gjatë, e cila gjithashtu do të shërbejë si provë për t’u emëruar. Kështu, nëse ata arrijnë t’i kalojnë me sukses të dyja provat, do të mund të marrin emërimin definitiv me të drejta të plota. Skema parashikon që gjithsej, mësuesi fillestar të nënshkruajë dy kontrata pune gjatë 4 vjetëve, një kontratë 1-vjeçare dhe tjetrën 3-vjeçare. E para, do të jetë 1-vjeçare, dhe vlen për mësuesit, të cilët sa kanë dalë nga auditorët. Nëse ata arrijnë ta kalojnë me sukses këtë periudhë prove, atëherë ata do të mund të nënshkruajnë kontratën e dytë, e cila përkon me fazën e dytë të skemës për emërimin e arsimtarëve. Ndryshe nga kontrata e parë, e dyta do të zgjasë 3 vjet. Nëse sërish arsimtarët arrijnë që ta kalojnë me sukses edhe këtë provë, i vjen radha fazës së tretë dhe të fundit të skemës që është emërimi. Kështu, vetëm pas 4 viteve “provë” mësuesit do të mund të marrin emërimin definitiv të tyre, çka i bën ata deri diku të pacenueshëm. Paprekshmëri kjo që mund të sigurohet vetëm nëse mësuesit zbatojnë misionin e tyre në përputhje me ligjet dhe udhëzimet ne fuqi. Në të kundërt, pra nëse ligjet shkelen, strukturat e arsimit parauniversitar, kanë të drejtë të marrin masa ndëshkimore ndaj tyre.
28 Prill 2010