E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjuha dhe Letërsia, studiuesit propozojnë ndryshime të teksteve



Jonida Tashi

Gjuhëtarët propozojnë ndryshimin e teksteve të Gjuhës dhe Letërsisë në arsimin parauniversitar. Gjuha dhe Letërsia në tekstet shkollore të sistemit parauniversitar janë shndërruar në debatin e fundit mes profesorëve të katedrave të Gjuhës dhe Letërsisë së shumë universiteteve publike, studiuesve, albanologëve dhe akademikëve, të cilët janë mbledhur së fundi në një takim të organizuar nga Qendra e Albanologjisë. Në këtë takim është hedhur edhe propozimi për hartimin e programeve alternative për këto lëndë, të vlefshme për shkollat e sistemit parauniversitar, një gjë kjo e paaplikuar më parë në vendin tonë. Aktualisht, Ministria e Arsimit, botimin e kurrikulës mësimore e ka mbështetur në procesin e Altertekstit, ku për një program lëndor ka disa variante tekstesh, që përzgjidhen sipas preferencave, të vetë shkollave. Ndërkohë që, propozimi për programe alternative lëndore do të duhet që paraprakisht të kërkojë mbështetje më të gjerë, sidomos në radhët e specialistëve të Ministrisë së Arsimit.
Linjat
Dy linja, të përvijuara qartë dhe me kohë, janë prezantuar përmes 12 ligjëratave dhe më tej debateve, opinionet dhe argumentet e tyre pro dhe kundër. Njëra linjë ka mbështetur idenë se Gjuha dhe Letërsia duhet të kenë një peshë më të madhe në tekstet shkollore të sistemit parauniversitar e në mënyrë të veçantë edhe në shkollat e mesme. Po kështu, ata kanë qenë edhe mbështetës të idesë se Gjuha dhe Letërsia duhet të studiohen si lëndë të ndara nga njëra-tjetra dhe jo së bashku, sikundër është aktualisht në shkollat e mesme shqiptare. Nga ana tjetër, është vënë re edhe grupimi i dytë, i cili ka konsideruar faktin se për nxënësit e këtyre grupmoshave është më se e mjaftueshme marrja e informacionit të integruar, ku Gjuha dhe Letërsia “shkrihen” së bashku në të njëjtin tekst. Ndërkohë që, ata kanë kundërshtuar edhe ngarkesën e madhe të teksteve shkollore të këtyre lëndëve, me argumentin se kapaciteti thithës i nxënësve është i kufizuar dhe shumë njohuri të detajuara për Gjuhën dhe për Letërsinë ata mund t’i thellojnë në fakultetin përkatës, nëse studiojnë në këtë fushë.
Debati
Ekspertet e Gjuhës dhe Letërsisë në këtë debat të hapur në lidhje me tekstet shkollore u përqendruan kryesisht te libri i Gjuhës shqipe dhe ai i Letërsisë. Një pjesë e gjuhëtarëve dhe albanologëve kanë propozuar që këtyre dy teksteve t’u jepet më shumë peshë në kurrikulat e shkollës së mesme. Këtë ide e ka përqafuar edhe drejtori i Qendrës Albanologjike, Ardian Marashi. Ai është shprehur se Letërsia dhe Gjuha duhet të jenë të detyrueshme për të gjithë, çka do të thotë që një pjesë e nxënësve të mos e
marrin këtë lëndë të cunguar siç ndodh aktualisht. Të gjitha deklaratat e mësipërme janë bërë gjatë tryezës së konsultës, lidhur me politikat shkencore të këtyre dy lëndëve në arsimin shqiptar. Në këtë aktivitet morën pjesë akademikë, botues, pedagogë të departamenteve të Gjuhës e Letërsisë. Aty u vendos krijimi i një këshilli, i cili do t’i dorëzojë Ministrisë se Arsimit propozimet mbi këtë çështje. Të gjitha ligjëratat e mbajtura nga të pranishmit në këtë tryezë do të botohen nga Qendra Albanologjike dhe ky material do t’u vihet në dispozicion specialistëve të
Ministrisë së Arsimit, që janë edhe hartues programesh e politikash.

Propozimet e gjuhëtarëve

Linja e parë
Gjuha dhe Letërsia duhet të kenë një peshë më të madhe në tekstet shkollore të sistemit parauniversitar e në mënyrë të veçantë edhe në shkollat e mesme

Gjuha dhe Letërsia duhet të studiohen si lëndë të ndara nga njëra-tjetra dhe jo së bashku, sikundër është aktualisht në shkollat e mesme shqiptare

Linja e dytë
Për nxënësit e këtyre grupmoshave është më se e mjaftueshme marrja e informacionit të integruar, ku Gjuha dhe Letërsia “shkrihen” së bashku në të njëjtin tekst

Kundërshtohet ngarkesa e madhe e teksteve shkollore të këtyre lëndëve, me argumentin se kapaciteti thithës i
nxënësve është i kufizuar dhe shumë njohuri të detajuara për Gjuhën dhe për Letërsinë ata mund t’i thellojnë në
fakultetin përkatës, nëse studiojnë në këtë fushë

28 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›