E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet i riu, po transportonte 8 kg Cannabis



TIRANË - Kapet me tetë kilogramë Cannabis, vihet në pranga një 25-vjeçar. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se gjatë orëve të vona të dy ditëve më parë, specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Narkotikeve mundësuan, në sajë të posedimit të informacioneve, kapjen dhe më pas arrestimin në flagrancë të shtetasit Artan Rexhep Mema, 25 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë. Ky shtetas u kap në Bathore me automjetin tip “Volkswagen Venta”, me targë TR 6727 N, ku pas një kontrolli të ushtruar mjetit iu gjet e bllokua në cilësinë e provës materiale sasia prej 8 (tetë) kg bimë narkotike e dyshuar Cannabis sativa, një telefon celular tip “Nokia”, mjeti me targë TR 6727 N. Dosja me materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.

Dalin nga shinat 3 vagonë të trenit, nuk ka dëme

SHKODËR - Tre vagonët e një treni mallrash kanë dalë nga shinat pasditen e djeshme, por fatmirësisht nuk ka pasur të plagosur apo dëme materiale. Policia lokale ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur në stacionin e trenit të Shkodrës, ndërsa treni me mallra importi ishte nisur drejt Vorës. Mësohet se shkak për devijimin e trenit është bërë amortizimi i traseve. Në këtë pjesë hekurudhore shinat janë në gjendje të mjerueshme. Nga devijimi i 3 vagonëve nuk ka pasur të lënduar, ndërsa raste të tilla janë bërë të shpeshta kohët e fundit. Gjithashtu mësohet se as mallrat që transportoheshin me këtë tren nuk janë dëmtuar. Kjo është hekurudha që lidh Shqipërinë me rrjetin ndërkombëtar të linjave. Sipas policisë, kanë nisur hetimet, por dyshime janë që ngjarja të ketë qenë aksidentale.

28 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›