Ndërtimi i sheshit “Skënderbej”, Bashkia devijon qarkullimin
Devijohet qarkullimi i automjeteve në sheshin “Skënderbej” për shkak të punimeve që po kryhen. Ditën e djeshme, Bashkia e Tiranës ka nisur zbatimin e një pjese të planit të ri për trafikun e kryeqytetit, i cili do të zbatohet gjatë punimeve për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”. Kështu, nga paraditja e djeshme është ndaluar rreptësisht kalimi i automjeteve në qendër të Tiranës. Me urdhër të Bashkisë është devijuar lëvizja nga sheshi i automjeteve që vijnë nga rruga e “Kavajës”. Tashmë të gjithë drejtuesit e automjeteve që përshkonin bulevardin “Zogu I”, nuk mund të hyjnë më në sheshin “Skënderbej”, por duhet të kthehen në rrugën “Ded Gjo Luli” pas Muzeut Kombëtar. Nëse këta shoferë duan të lidhen me rrugën e Dibrës, tani u duhet të kthehen tek rruga pas Bankës së Shqipërisë, pranë selisë së Partisë Socialiste. Deri tani nuk dihet ende sa kohë do të zgjasë ky devijim i qarkullimit. Aktualisht, punimet në sheshin “Skënderbej” janë shtrirë pothuajse në çdo cep të tij, madje edhe në hapësirat që rrethojnë qendrën. Zgjerimi i këtyre punimeve nga dita në ditë tashmë është kthyer në një problem shqetësues për qarkullimin e makinave. Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës ka përfunduar para pak ditësh vendosjen e sinjalistikës së re, për të mundësuar lëvizjen në qendër të Tiranës dhe në rrugët që do t’u ndryshohet kahu i lëvizjes. Gjithashtu, kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin masa për devijimin e trafikut, duke filluar që nga llogaritja e kohës së lëvizjes së tyre. Ndërkaq, Bashkia prej disa ditësh ka nisur planin e masave për sistemimin e trafikut si pasojë e punimeve në sheshin “Skënderbej”, ku veç tabelave sinjalizuese vertikale, ka vënë në punë edhe Policinë Bashkiake, për të ndaluar automjetet për të hyrë në shesh, ose të atyre që parkojnë në vende të ndaluara. Por, edhe pse Bashkia ka ndërmarrë këto masa, drejtuesve të automjeteve jo vetëm që do t’u duhet kohë për t’u mësuar mbi qarkullimin e ri që ka nisur në Tiranë, por do të duhet të përballen me një trafik tejet mase të rënduar. Në ndihmë të lëvizjes së re, do të vijnë edhe policët rrugore, të cilët do të udhëzojnë drejtuesit e automjeteve kahun nga duhet të lëvizin.
Vazhdon gjelbërimi i kryeqytetit, mbillen 25 pemë pranë Parkut “Rinia”
Projekti i iniciuar nga Bashkia e Tiranës, “Një qytetar, një pemë” po vazhdon me sukses bashkëpunimet me partnerët brenda dhe jashtë vendit. Janë të shumta kompanitë private, shoqatat jo fitimprurëse, agjencitë, bizneset e mëdha dhe të vogla, donatorë vendas e të huaj, shoqëritë e ndryshme, por edhe vetë qytetarët, të cilët në mënyrë vullnetare janë bërë pjesë e kësaj iniciative, duke kontribuar në shtimin e hapësirave të gjelbra në kryeqytet. Kësaj radhe, “Tirana Bank” sh.a në mënyrë vullnetare i është bashkuar iniciativës së dobishme mjedisore, “Një qytetar, një pemë”, duke realizuar mbjelljen e 25 pemëve dekorative në lulishten pranë Parkut “Rinia”. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, duke shprehur mirënjohjen dhe falënderimin për të gjithë qytetarët dhe subjektet që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontributin e tyre të vyer në këtë projekt, u shpreh: “Duke njoftuar ditët e fundit të mbjelljeve të këtij sezoni dhe duke qenë shumë pranë objektivit të 4500 pemëve të mbjella, pasi kemi kaluar 4000, dua të përsëris edhe njëherë, se i jam shumë mirënjohës të gjithëve atyre që kanë kontribuar”.
28 Prill 2010