E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënder Sallaku: Kur darkova me ish-perandorin e Kinës së vjetër

Një takim i papritur me ish-perandorin e madhërishëm të dinastisë së shtetit të fuqishëm aziatik. Kjo është surpriza e radhës e rrëfimit të "Artistit të Popullit", Skënder Sallaku, në këtë intervistë ekskluzive për "Gazeta Shqiptare". Ishte një specializim i posaçëm, që ai dhe e shoqja kanë bërë në Kinë, në përbërje të trupës së cirkut të Tiranës. Talenti i tyre, ashtu siç është demonstruar në më se 45 mijë shfaqje të dhëna në Shqipëri, spikati dukshëm në trupën e cirkut të Pekinit, aq sa ata ftoheshin për të dhënë shfaqje edhe para autoriteteve më të larta të shtetit kinez, duke filluar nga Mao Ce Duni, por nuk mungonin edhe rastet kur ata ftoheshin të merrnin pjesë në pritjet zyrtare që organizoheshin me rastin e ditëve jubilare të shtetit të tyre. Në një nga këto darka ata janë takuar dhe janë ulur në tavolinë edhe me ish-perandorin historik të shtetit. Por, si ka shkuar ajo darkë dhe cilat ishin bisedat e bëra mes tyre, le ta ndjekim në intervistën e mëposhtme të vetë artistit të madh të humorit, Skënder Sallaku.

Më keni thënë zoti Sallaku, se në vitet 1959 dhe 1960 keni qenë kampion kombëtar i mundjes. Pse e keni lënë sportin më mbrapa?
Sportin e lashë i detyruar, se në vitin 1960 së bashku me Vitoren kemi shkuar në Kinë, për specializim në fushën e humorit dhe të cirkut. Aty kemi ndenjur dy vjet, pra nga 1960 - 1961.
Vetëm ju të dy keni qenë?
Kemi qenë gjithsej tetë vetë nga trupa e estradës dhe cirkut, të cilin e kemi kryer me përgjegjësi të madhe.
Keni qenë angazhuar me trupën e cirkut kinez?
Patjetër, se vetëm ashtu mund të kryhej specializimi që na kërkohej. Me trupën kineze neve kemi dhënë me dhjetëra shfaqje, madje edhe para udhëheqjes më të lartë të shtetit të atëhershëm kinez.
E mbani mend pedagogun që ju zhvillonte mësimin apo specializimin?
Quhej Çin Je Çin, dhe ka qenë udhëheqësi artistik i cirkut të Pekinit. Atje jemi specializuar për Zhongler, Akrobat, pantomim dhe Klloun. Profesori ishte shumë i kënaqur me ecjen dhe talentin tonë në ato fusha, prandaj mori dhe guximin e madh, duke na thënë se duhej të jetonim me djersën tonë.
Nuk ju kuptoj, ku e kishte fjalën?
Na besoi shumë, prandaj edhe na u shpreh hapur, duke na thënë që po të mos ktheheshim në Shqipëri, me talentin që kishim mund të bëheshim të pasur në botën perëndimore, pra me djersën tonë.
Thatë se keni dhënë shfaqje edhe para udhëheqjes kineze?
Jo vetëm që kemi dhënë shfaqje, por kemi marrë pjesë edhe në pritjet qeveritare që organizoheshin në ditë jubilare të shtetit kinez, sepse trupa e cirkut vlerësohej shumë dhe ishte në preferencat e protokollit të lartë shtetëror. Ndërkohë, shumë herë kemi dhënë edhe shfaqje.
Jeni takuar me Mao Ce Dunin?
Atje në pritje e kemi parë, dhe i kemi dhënë dorën si Maos, ashtu dhe Çu En Lait. Ndërkohë që në ato dy vjet të specializimit kemi interpretuar shumë herë para tyre. Por më e veçanta është, se në ato pritje ne kemi takuar edhe ish-perandorin e madh të Kinës.
Si e keni takuar?
Ish-perandori i madh i shtetit gjigand të Azisë siç ishte Kina, pasi kishte bërë dikur një periudhë kohe burgim, për abuzime me pushtetin që kishte administruar, më mbrapa ishte inkuadruar në jetën e një qytetari të thjeshtë, që jetonte me djersën e tij si gjithë shtetasit kinezë. Por dallimi i tij me shtetasit e zakonshëm ishte se ai, për faktin e pushtetit që kishte administruar, pra për faktin që kishte qenë Kryetar apo perandor, tashmë kishte të drejtën të merrte pjesë në pritjet qeveritare që organizonte qeveria për nder të festave jubilare të Kinës. Pra, këtë e kishte protokolli i miratuar nga vetë kryetari Mao Ce Duni.
Ku punonte Perandori?
Perandori në atë kohë punonte si marangoz dhe ishte inkuadruar goxha në jetën normale dhe të thjeshtë të një qytetari të zakonshëm, duke iu nënshtruar me përpiktmëri rregullave dhe ligjeve strikte që ishin në fuqi. Jo vetëm kaq, por ai falenderonte Mao Ce Dunin që i kishte dhënë mundësinë të merrte pjesë në këto takime, madje edhe të mund të jetonte me djersën e tij.
Ku ia dinit ju mendimin?
Ne e takuam. Isha unë me Vitoren. E pyetëm se si po ia kalonte. Na tha se ishte mirë. Na tha se falënderonte shpirtmadhësinë e Kryetarit Mao, që i kishte dhënë mundësinë të paktën të jetonte si qytetarët e tjerë të Kinës. Madje, tregonte duart që i kishte me kallo, duke thënë: "Tani unë nuk jam më perandor, por punoj". Duart e mia janë me kallo. Por ndërkohë i gëzohej edhe faktit, që i jepej mundësia, që si ish-kryetar shteti të ftohej dhe të respektonte apo të festonte ditët jubilare të festave që lidheshin me historinë e shtetit.
Thatë se ishit takuar edhe me Mao Ce Dunin dhe kryeministrin Çu En Lai?
U kemi dhënë dorën dhe në përbërje të trupës së cirkut të Pekinit kemi dhënë edhe shumë herë shfaqje, por nuk kemi siguruar ndonjëherë ndonjë takim si të thuash të veçantë. Gjithsesi ata arrinin të na njihnin, se ishim pikërisht njerëzit e artit në Pekin.
Si organizoheshin ato bankete?
Banketet organizoheshin në salla të mëdha, të mbushura me tavolina të rrumbullakëta, për t'u treguar të pranishmëve se në të ishin të gjithë të barabartë. Në një tavolinë uleshin edhe tetë shqiptarët e cirkut të Tiranës, që ishin në tavolinën e kreut. Tavolina jonë respektohej shumë.
Pse?
Sepse shteti ynë ishte shtet anëtar i OKB-së dhe kinezët e bënin tregtinë me vendet anëtare të OKB-së me flamurin shqiptar. Në këtë mënyrë ka ardhur edhe ish-perandori, të cilin e prezantoi te ne përkthyesi. Ai kishte dëshirë të na njihte.
Ku e patë juve se ju njihte?
Këtu ka një episod të bukur, që lidhet me vizitën e kryeministrit Çu En Lai. Gjatë ceremonive pritëse atij iu rezervua edhe një pritje në selinë qeveritare, të njohur si Pallati i Brigadave. Në atë takim kemi qenë të ftuar edhe unë me Vitoren.
E takuat?
Aty ka qenë një moment disi i veçantë, se ne i folëm kinezçe, pasi dy vjet në Kinë arritëm ta mësonim shumë kinezçen. Kështu, ndërsa ai kalonte në hollin e sallës së madhe për të arritur në krye të saj, duke u dhënë dorën të ftuarve që ishin renditur në të dy krahët për t'i uruar mirëse-ardhjen, po na jepte dorën neve. Në një moment afrohet edhe te unë, ku më shtrin dorën për t'u takuar. Në këtë çast unë i fola kinezçe, gjë që e befasoi fillimisht.
Pse, dini kinezçe?
Kam ditur shumë mirë, sepse ndenja dy vjet aty duke folur vetëm me kinezë, por edhe tani e mbaj mend jo keq, sa që mund të komunikoj pa shumë sforcim me një kinez.
Të lutem, ma thuaj në kinezçe dialogun që bëtë me Çu En Lain?
Patjetër. Sa më dha dorën kryeministri, i thashë: NIXMJA?, - që do të thotë "Si jeni?"
Ai ma ktheu: - HO HO; që do të thotë "Mirë".
Pastaj, po kinezçe i thashë: -Një vit kam qenë për specializim në Cirkun e Pekinit.
Në këtë kohë, si bëmë këtë dialog dhe ndërkohë që unë i thashë se kisha qenë dy vjet në Kinë, ai u kujtua dhe shpërtheu disi i çliruar që ju kujtova, duke thënë: UO KANI,- që shqip përkthehet "Unë të kam njohur ty në Pekin".
Mbrapa tij që e shoqëronte ishte Beqir Balluku, i cili qeshte duke thënë "Kuptove gjë"?
Ju ishit për specializim në trupën e cirkut kinez?
Po pra, në trupën e cirkut të Pekinit. Kam qenë bashkë me Vitoren.
Pse kërkonin specializim numrat e tu në trupën e cirkut?
Patjetër. Nuk është vetëm roli i klounit që mund të mbani mend juve, por unë kam pasur role komplekse në trupën e cirkut të Tiranës, të cilat kërkonin një përgatitje të jashtëzakonshme fizike. Të tillë ishin roli i zhonglerit, i kërcimit në pedan, në tra ekuilibri, numra akrobatikë etj., të cilat të vinte rasti t'i përdorje nga premiera në premierë. Jo më kot, si unë dhe Vitorja, sa kemi mbaruar liceun artistik "Jordan Misja" kemi vazhduar institutin e kulturës fizike "Vojo Kushi". Ndërkohë, unë jam marrë edhe me sportin e mundjes. Pra, kjo përgatitje të bënte të ishe më i sigurtë në skenë.
Pse, përbënin rrezikshmëri numrat e tu?
Përbënin që ç'ke me të, aq sa mund ta pësoje kur të doje, madje edhe me jetë.
Si ka mundësi? Të ka ndodhur?
Patjetër që më ka ndodhur, sepse i thonë një jetë në skenë.
Të rrezikoheni me jetë?
Po.
Ju lutem, mund të më rrëfeni të paktën një rast?
Kanë qenë momentet që sa u ktheva nga Kina. Duhet të ketë qenë viti 1961 apo 1962. Në një shfaqje unë kisha një rol të tillë akrobatik të titulluar "Pedana".
Kështu, si mbaruan akrobatët, të cilët e tensionuan shumë psikologjikisht spektatorin për vetë numrat e vështirë që kishin, radha më erdhi mua, që duhej të çtensionoja disi situatën. Akrobatët u tërhoqën në anë të skenës, ndërkohë që del Telat Agolli, i cili mbante në duar një shkop bambuje 3-4 metra të gjatë, në majën e të cilit ishte lidhur një karrige. Telati e vendosi fundin e shkopit në bark, ndërkohë që unë u vendosa në anë të një pedani të lëvizshëm. Numri ishte, që në krahun tjetër të pedanit të vendosur përballë Telatit që rrinte me bambunë mbështetur në bark, do të hidheshin fuqishëm dy akrobatë, pesha e të cilëve do të ulte me forcë pedanin në krahun e tyre dhe do të çonte anën time, duke më hedhur mua në lartësi. Në këtë kohë, llogaritjet e hedhjes së trupit tim do të bënin që unë të kërceja, duke u ulur në karruken e lidhur në majë të shulit të bambusë.
Po ku ishte rrezikshmëria këtu, sepse unë di se këto numra interpretoheshin të lidhur me ganxhën e sigurimit në mes?
Këtu është e gjithë e keqja, sepse unë nuk u lidha me ganxhë.
Pse?
Sepse në momentin që të thashë se doli Telati, dola dhe unë dhe u vendosa në krahun e pedanit, ndërkohë që dy akrobatët prisnin gati për të më fluturuar mbi karrige. Në këtë moment njerëzit e sigurisë panë se nuk funksionoi ganxha që më lidhej në mes. Numri në këtë mënyrë dështonte. Regjisori më bënte me shenjë që të ndërprisja numrin.
Pse?
Sepse vdisje kur të doje, në rast se plaseshe në skenë.
Dhe çfarë bëtë?
Unë, si u vendosa në pedan, thashë:
- Do ta bëj pa ganxhë.
Në këtë moment, akrobatët u shqetësuan. Nuk i thonin shaka, sepse s'dihej ku përfundoje. Salla nga ana tjetër oshëtinte nga entuziazmi, se kujtonte se ashtu ishte numri. Ndërkohë, në momentin që do të hidheshin akrobatët, unë iu thoja:
- Prisni dhe një minutë se s'i dihet.
Dhe nisesha te spektatori dhe iu jepja dorën me radhë të gjithëve atyre që ishin te radha e parë, duke iu thënë që të takoheshim një herë, se s'i dihet se ç'mund të ndodhë. Salla oshëtinte dhe duartrokiste. Unë shkoja prapë te pedani dhe pas pak akrobatët u plasën mbi pedan. Unë që isha shumë i trembur dhe i pasigurt, në vend që t'i jepja trupit pak mbrapa i dhashë para. Në këtë mënyrë, në vend që të kërceja mbi karrige dola mbi të dhe fluturova në krahun tjetër të skenës, por për fat u kapa në krye të perdes së mbledhur. Duhet ta kesh parasysh, se unazat e perdes ishin në lartësi mbi tre metra nga skena. Unë u kapa fort pas tyre, ndërkohë që perdja tundej të binte e të shkulej. Në këto çaste u afruan me shpejtësi akrobatët dhe ndërkohë, perdja u shkul dhe unë rashë me gjithë të, por mbi duar të akrobatëve. Ç'të të them. Perdja kishte 3- 4 vjet pa u larë, ndaj ishte mbushur me pluhur. Kur rashë me të, u mbytëm në pluhur. Unë dola si nga fundi i galerive.
Po spektatori u tensionua?
Ata qeshnin dhe oshëtinin duke bërë "Biz", se donin të kthehej prapë. Pra, kujtonin se ishte numri i tillë.
E çfarë u thatë ju kur ju kërkonin përsëritje?
Siç isha i zhytur në pluhur, u thashë:
Doni "BIZ" ë? Ju pëlqeu se e hëngra unë ë? Po s'ka perde tjetër që të hidhem?
Ata sërish thërritnin duke duartrokitur. Një atmosferë e paparë, por që unë,po të mos kishte qenë perdja aq e pata, do të kisha kaluar në botën tjetër.
(Vijon nesër)
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›