E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pyetje që nuk po marrin përgjigje...

Jeta vazhdon dhe bashkë me të bota ndan gëzimet dhe shqetësimet, sipas rastit e rrethanave që paraqiten nëpër fusha të ndryshme. .Si në futboll, psh, ku ndërsa ekipi i një vendi shumë të vogël si Qipro arrin të futet në radhët e më të mëdhenjve të kontinentit, duke e ndarë gëzimin me ta, ndërkohë që përfaqësuesit e kësaj loje tek ne e mbajnë frymën vetëm deri tek pragu, duke u asfiksuar që në ndeshjet paraeliminatore. Po mendoja kështu, teksa shihja të hidhej shorti i së premtes në Zvicër për Kupat e Europës dhe ku Apoeli i Qipros ishte shtruar në sofër si i barabartë me Barcelonën, Realin e Madridit, Milanin, Bajernin e Mynihut dhe të tjerë klube me emër të njohur në botën e futbollit. Ajo Qipro, ndaj së cilës ne u mburrëm aq shumë nga që e patëm mundur në një ndeshje stërvitore rutinë, si për të na ulur me këmbë në tokë e për të na bërë që ta kuptojmë edhe më mirë këtë realitetin e gënjeshtërt që na rrethon, nuk vonoi shumë për të na e dhënë mësimin e duhur kur pikërisht Apoeli i saj eliminoi lehtësisht ekipin tonë kampion, nëpërmjet dy ndeshjeve që u dukën sikur të ishin një lojë fëmijësh për te! Siç shihet, nga skena e luftës sportive qëllon të largohen edhe vende me traditë më të shquar dhe më të pasur se ne, veçse këtu ka një ndryshim, sepse ky futbolli ynë vazhdon të jetë i përjashtuar prej kohësh nga garat e elitës evropiane, jo kështu rastësisht si mund t’i qëllojë ndonjë ekipi të një vendi tjetër ku gjërat zhvillohen normalisht, por nga që atë prej kohësh e ka pushtuar një sëmundje nga e cila nuk po gjen shërim dhe për të cilën shumë pyetje për ta shmangur atë nuk po marrin kurrë përgjigje.
Në fakt, jo gjithmonë pyetjet marrin përgjigje, por dhe kur ndodh, e marrin të cunguar ose të paqartë, sidomos disa prej tyre që ngjajnë të vështira për vetë realitetin e ngatërruar që duan të zhbirojnë, ndërkohë që disa të tjera mbesin në hava’ për shkak rrethanash shpeshherë misterioze apo interesash që nuk duan të cenohen. Por, ndërsa disa pyetje nga ato të sferës politike bëhen më delikate dhe më të vështira për t’ju dhënë përgjigje, nisur nga atmosfera shpeshherë e rëndë e ballafaqimeve pozitë-opozitë, në sport, e konkretisht në futboll, ku opozita mungon krejtësisht, pyetjet nuk po marrin asnjëherë përgjigje, duke e lënë fushën ku zhvillohet veprimtaria në një errësirë të plotë! Shtresëzimi i problemeve ndër vite është duke e mahisur edhe më keq plagën që s’po gjen shërim, ndërkohë që pyetjet se si ta shmangim këtë të keqe nuk po e marrin përgjigjen e duhur në asnjë rast. Në një emision sportiv televiziv të drejtpërdrejtë të para ca ditëve, disa prej këtyre pyetjeve nga më të lakuarat në publik këto vitet e fundit, kur edhe gjendja e futbollit tonë është rënduar më shumë, edhe pse ju drejtuan institucionit më të lartë të këtij sporti tek ne, ato përsëri mbetën pa përgjigje, duke mos lënë asnjë shpresë për përmirësimin e mëtejshëm të tij. Duket qartë taktika dinake për t’i shpëtuar përgjegjësive, sepse nuk ka si shpjegohet që shumë pyetje mbesin pa përgjigje, edhe pse ato vazhdojnë të jenë të qarta e tepër konkrete! Federatës përkatëse nuk po i kërkohet që të mbajë pastër mjedisin e të gjithë vendit tonë nga plehrat që po na mbysin kudo, por pyetja direkte për të qëndron tek shpjegimi që duhet të japë rreth papastërtisë deri në qelbëzim të fushave tona të futbollit, të shkaktuara prej korrupsionit të arbitrave; dhunës nëpër ndeshje; trukimit të rezultateve, e arsyeve të tjera të shumta, që po i largojnë gjithnjë e më tepër spektatorët prej tyre!? Federatës së Futbollit nuk po i kërkohet që t’u vërë kapak pusetave gojëshqyera të rrugëve, që shëmtojnë vendin si askund tjetër në botë, por që të japin përgjigje përse i kanë vënë shqelmin traditës së shkëlqyer të ekipeve të tilla me më shumë tifozë në Shqipëri si Partizani dhe Dinamo!? Institucionit tonë të futbollit nuk po i kërkohet që t’i vërë kazmën stadiumit më të mirë të vendit, duke e bërë edhe më të varfër infrastrukturën e tij sportive, por i drejtohet pyetja fare e thjeshtë, përse stadiumeve ekzistuese nuk i shtohet edhe një tjetër, krejtësisht i ri, në një mjedis më periferik, që do të mund t’i jepte më shumë frymëmarrje kryeqytetit tonë, i cili kështu do të mund të kompensonte edhe atë gabim të planit të tij rregullues që në asnjë rast, si në të kaluarën por edhe tani nuk i ka parë të arsyeshëm ndërtimet e impianteve sportive!? Pyetjet, që ende mbeten pa përgjigje të sakta e të ndershme janë të shumta dhe ato gjithnjë do të mbeten të tilla, sa kohë që disa, të cilët mbajnë përgjegjësi për to, kërkojnë të zgjasin edhe më tepër gjumin e tyre letargjik, që po na lë vazhdimisht pas të tjerëve...
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›