E Shtunë, 31 Tetor 2026

15 marsi dhe grushtet e drejtësisë

Dy ditë më parë, qytetarët shqiptarë panë me sytë e tyre, kur u fut në sallën e parlamentit Sali Berisha, i cili qeshte dhe hidhte romuze për deputetët e opozitës. U desh ndërhyrja e njërit prej tyre, t’i kujtonte Sali Berishës se ishte data 15 mars, që Sali Berisha të ndërronte çehre, të zverdhej dhe të dilte “jashtë faze”, pasi 4 vjet më parë, një biznes vrastar i organizuar në Ministrinë e Mbrojtjes, nën bekimin e vetë Saliut, jo më shumë se 12-13 km larg nga kryeqyteti i Shqipërisë, pikërisht në Gërdec, shkaktoi 26 të vrarë dhe mbi 300 të plagosur. 4 vjet mungese e njerëzve të dashur, 4 vjet dhimbje, 4 vjet mjekime, 4 vjet sorollatje, 4 vjet mashtrime, 4 vjet spekulime, dhe më së fundi, 4 ditë më parë, qyqarët e veshur me toga të zeza në gjykatën e Tiranës, nxorën edhe një herë nga brezi, pushkët e pushtetit (PUSHT) të drejtësisë, dhe i rivranë për herë të dytë të 26 qytetarët e vrarë 4 vjet më parë. Pas seancave maratonë të sistemit të kapitulluar të drejtësisë, më në fund gjykata zbuloi, se kush dëmtoi muret e shtëpive, kush dëmtoi llamarinat që ishte rrethuar fabrika e vdekjes, kush shkaktoi dëmin me anë të vjedhjes së municioneve, kush falsifikoi dokumentet nga një zyrë e këtij shteti të korruptuar tek zyra tjetër, por nuk u tha asnjë fjalë, kush janë shkaktarët që sot, nuk jetojnë më, Edisoni 6-vjeçar dhe 25 qytetarë të tjerë të pafajshëm si ai. Grushtet e Zamira Durdes, që u përplasën me gjithë atë urrejtje mbi peshoren e çakorduar të drejtësisë shqiptare, janë grushtet e një nënë që merr fuqi nga trupi njomëzak e shpirti engjëllor i një viktime 6-vjeçare krejt të pafajshme. Ato grushte nëne zemërprishur e shpirtthyer përjetë, nuk ishin vetëm të Zamirës. Së pari e mbi gjithçka, ato ishin grushtet njomëzake të vetë Edisonit 6-vjeçar dhe 25 të vrarëve të tjerë në Gërdec, mbi fytyrën e çartur e shpirtin e përçudnuar të atij trupi të turpshëm gjykues dhe vetë Saliut, të cilët do ta ndjekin këtë të fundit dhe çetën e tij të kusarëve e të vrasësve edhe përtej varrit. Brenda urrejtjes prej nëne, është shpirti engjëllor i të vrarëve të pafajshëm, që sillet e do të sillet mbi kokat e çartura të korrupsionit dhe kusarisë qeveritare, derisa të jepet drejtësia për Padrinon dhe regjisorët e vërtetë të tragjedisë, të cilët përbëjnë tashmë për të gjithë shqiptarët, një “Mafie që ka dalë krejt jashtë kontrollit”. Është e njëjta Mafie, që tund para shqiptarëve vellon e bukur të “demokracisë”, kur në fakt i ka përdhunuar, fëlliqur, sakatuar e ekzekutuar ata, duke filluar që nga getot e vdekjes në Gërdec e deri tek bunkerët apo frëngjitë e shpellës së vdekjes me emrin “Këshilli i Ministrave” në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Është e njëjta Mafie që vjedh votën e shqiptarëve për të plaçkitur pasuritë e tyre, që ka privatizuar me hajni elektorale pushtetin, për të akaparuar e kthyer në çiflig të saj krejt Shqipërinë. Vendimi i turpshëm i gjykatës i para 3 ditëve, ka drithëruar në zemër çdo shqiptar, ani pse duket që ka çliruar përkohësisht nga ankthi i përgjegjësisë si autore për vrasjet në Gërdec, shumë pushtetarë. Në këtë proces u ledhatuan vetëm kapilarët e piramidës vrastare, ndërsa të paprekshmit, ish-ministri i Mbrojtjes, aktualisht ministër i plehrave, apo Kryeministri i tij i pashpirt, vazhdojnë të jenë të lirë, të na vjedhin e të na vrasin. Me vendimin e saj të diktuar e imponuar Sashenkave apo Tom Ndrecave të drejtësisë shqiptare, Mafia e dalë krejt jashtë kontrolli, rivrau edhe një herë Edisonin 6-vjeçar e 25 bashkëvendësit e tij, nga 2 deri në 70 vjeç… Me këtë proces të turpshëm, si dhe me teatrin që po luajnë për çështjen e “21 Janarit”, gjykatat shqiptare po dëshmojnë ditë pas dite, se kërkojnë të bindin Sali Berishën, që të mos ndihet i kërcënuar nga asnjë skandal që mund t’i ndodhë, përfshi këtu edhe ato të vrasjes së qytetarëve shqiptarë, me pushkët e pushtetit të tij të vjedhur. Ky është sistemi ynë gjyqësor, i tredhur nga politika, i depersonalizuar nga korrupsioni, pra, i shpërfytyruar totalisht. Ne e kuptojmë, se kjo që po ndodh me gjyqësorin në Shqipëri, nuk është barazia përpara ligjit, përkundrazi, është rrënimi i themeleve të barazisë, prandaj në këtë vend, kemi të bëjmë tashmë, me një drejtësi të vdekur. Më falni që do të përdor një shprehje jashtë etike, por ju që e katandisët drejtësinë shqiptare në këtë derexhe, qofshi të mallkuar. Shqiptarët ju pështyjnë në surrat. Grushtet e qindra e mijëra Zamirave nëpër Shqipëri, do ta godasin gjithnjë e më fuqishëm bandën tuaj prej gangsterësh, derisa të vihet në vend drejtësia! Ajo, nën qeverisjen e gangsterëve si Ju, do të vazhdojë edhe pak kohë të jetë e tredhur, por kurrsesi nuk do të tretet!
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›