Zyrtare, Bala firmos për tri vite te Sparta

Bekim Bala
Bekim Bala ka nënshkruar zyrtarisht për klubin e Spartës së Pragës. Sulmuesi shkodran i përfaqësueses U-21 ka bindur krerët e skuadrës çeke që të firmosë për tri vite. “Sot (dje), Sparta e Pragës ka bërë një goditje të madhe, duke marrë një sulmues shumë të talentuar. Klubi nënshkroi një kontratë trevjeçare me një nga futbollistët më të mirë në Shqipëri, Bekim Balën. Lojtari u testua pak ditë më parë këtu, arriti të bindë drejtuesit dhe stafin me potencialin e tij, duke nënshkruar për tre vjet. Bala ka potencial të madh. Ai është pjesë e rëndësishme edhe e përfaqësueses U-21 të Shqipërisë”, thuhej në komunikatën për shtyp të klubit të Spartës së Pragës.
Financat – Tirana përfitoi 90 mijë euro nga largimi i Bekim Balës. 50 mijë euro i ka paguar klubi i Spartës, ndërsa 40 mendohet t’i ketë derdhur në arkat e skuadrës bardheblu vetë futbollisti. 20 mijë ai i ka paguar nga xhepi së fundmi, ndërkohë që Tirana i detyrohej atij edhe 20 mijë euro të tjera për shkak të rrogave të papaguara. Ndërkaq, Bekim Bala do të përfitojë rreth 200 mijë euro në sezon te skuadra e njohur çeke. Ai ka deklaruar se ky është një hap i rëndësishëm në karrierën e tij dhe se Sparta e Pragës do t’i japë shansin që në të ardhmen të mund të luajë në nivele edhe më të larta.