“Skënderbeu dhe koha e tij”, takohen historianët - asgjë të re nga ç’është dëgjuar
Prej dy dekadash institutet tona dhe qendrat albanologjike nuk reshtin në kërkesën se studimi i historisë sonë po shteron për mungesë të specialistëve në gjuhët e vjetra si ajo e latinishtes, greqishtes së vjetër dhe osmanishtes. Këto janë tre gjuhët burimore që mund të na tregojnë historinë e mesjetës shqiptare, por, dje, kjo vëmendje vetëm sa është cikur duke iu rikthyer çështjes më të debatueshme kohët e fundit mbi Skënderbeun. Takimi djeshëm mes historianëve tanë me temë “Skënderbeu dhe koha e tij”, ka lënë për një moment mënjanë këtë arsye të fuqishme prej nga duhej nisur debati. Pasi drejtori i Institutit të Historisë, Beqir Meta, siguroi se do t’i bënte një kërkesë të posaçme qeverisë, që të caktonte fonde për krijimin e specialistëve në gjuhët e vjetra, debatet rrahën me laptop para mbi fakte të njohura mbi Skënderbeun. Vetiu tema sillej duke iu referuar librit më të fundit të studiuesit austriak Oliver Schmit. Na duket pak me vonesë ky reagim i historianëve, ku ndonëse diskutohej me patos dhe zjarr se qëndresa heroike e Skënderbeut nuk mohohet, dhe qeskat e koktejit zgjidheshin në fund të sallës, të reja nuk pamë. Miti, realiteti, liria, çlirimi - koncepte që u diskutuan por që nuk sollën gjë të re për rangun e historianëve të mbledhur dje. Mbledhja e tyre më shumë ngjante si qëndresë sesa si takim shkencor që herë afronin fakte të njohura prej të tjerëve, dhe herë ripërsëritnin librat e tyre. Nëse ai takim i djeshëm ishte një koktej bisede, që rrekej të rehabilitohej Skënderbeu në një ditë, rrethi i debutuesve ishte shumë i vogël, gati si sekt që zor të mbushnin mendjen se po i bëhej “mbrojtja” e duhur, shkencore e heroit tonë. Miti i Skënderbeut i ardhur nga Evropa apo këmbënguljen se vetëm kronistët osmanë mund të dëshmojnë të vërtetën e etnicitetit të Skënderbeut shoqërohej herë pas here me patetizmin e historianëve tanë. Nga i gjithë ky realitet nuk kemi parë ndërmarrje më serioze sensibilizimi prej tyre, ndërsa në media pranohet se janë përzier në debat lloj-lloj njerëzish, amatorë e profesionistë të historisë, duke e banalizuar historinë.
Një prej pjesëmarrësve në takimin e djeshëm, Dritan Egro, thotë se “këndvështrimi im është që të gjithë, shqiptarë e të huaj, madje këtu tregohet edhe kompetenca e tyre, duhet t’i përdorin të gjitha burimet nga çdo lloj kancelarie që ka ardhur për Skënderbeun, qoftë burimet shqiptare me në krye Marin Barletin, burimet latine të të gjithë spektrit, sllave, bizantine, patjetër dhe ato osmane”.
Ndonëse një nga historianët e periudhës osmane, Ferid Duka i ka kushtuar vëmendje vetëm faktit se duhen besuar kronistët osmanë, Egro ka hedhur idenë se “për marrë marrëdhëniet e Skënderbeut me shtetet italiane, dokumentet osmane nuk mund të japin më shumë se sa dokumentacioni italian, por e njëjta gjë duhet thënë dhe për dokumentacionin osman për periudhën që Skënderbeu ishte pranë oborrit të Sulltanit. Pra burimet duhen përdorur me shumë kujdes, sepse kronikat e të gjitha krahëve janë po ato, mund të gjenden dhe të reja dhe këtë nuk e heq. Historia empirike e Skënderbeut është shkruar, mund të plotësohet me dokumentacion të ri – këtë nuk e diskutoj – por pyetjet që u shtrohen të njëjtave burime, burimet mund të flasin me tjetër gjuhë, varet shumë edhe nga pyetjet që ne u bëjmë burimeve”. Për këtë studiues, tani edhe Skënderbeu duhet të futet në orbitën e studimeve moderne bashkëkohore ndërkombëtare që nënkupton përdorimin e metodave dhe teknikat moderne në studimin e historisë së kësaj epoke- kjo do të thotë që ka ardhur koha e riformulimit të pyetjeve të reja të të njëjtave burime, nëse të rejat janë shteruar.
Për origjinën e Skënderbeut mbi të cilën ende debatohet, historiani Duka ka deklaruar dje se kundërshton teorinë e Schmit, ndonëse e vlerëson si historian, se nga burimet osmanë Duka ka nxjerrë përfundimin se Skënderbeu paraqitet si origjinë nga periferia e Arbërisë, nënkupto atëherë Dibrën. Ndërsa studiuesi Egro na parashtron se pretendimi i tij është “si specialist i periudhës osmane dhe që jam marrë me kronikat osmane, ato në mënyrë të paekuivok thonë një gjë: ushtria jonë u fut në viset shqiptare, kur futet në viset e kastriotëve dhe thonë Jovan Kastrioti, ky është termi që përdorin, princ i viseve shqiptare. Korniza është. Duhen akoma studime më të thelluara për të parë se çfarë kemi parasysh me këtë term. Por nuk ekziston vetëm tek një kronikë... Është një temë e hapur, ka interpretime, do ketë debate të reja, por duhen bërë pyetje shumë profesionale burimeve që flasin për këtë kohë”.
V.M