Ardian Turku merr detyrën e re nga Strasburgu
Mëngjesin e djeshëm, një telefonatë që mban emrin e Kryeministrit Sali Berisha, Ardian Turkut i dha lajmin surprizë në Strasburg, ku ndodhet për një vizitë pune. Ardian Turku, ish zëvendësrektor i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, dhe ish-kryetar i Bashkisë së Elbasanit për 4 vite me radhë, i njohur për seriozitetin dhe përkushtimin në punë, është kreu i ri i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ish-profesor i lëndës së psikologjisë, Turku ka provuar suksesshëm poste drejtuese në qeverisjen vendore, si ish-kryetar i Bashkisë së Elbasanit, përgjatë viteve 2003-2007 dhe aktualisht mban detyrën e kryetarit të Qarkut të Elbasanit. Por tashmë ai bëhet pjesë edhe e qeverisjes qendrore. Turku është ministri më i ri i kabinetit “Berisha”. Ish-profesori i psikologjisë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, ndonëse i duhet të drejtojë Ministrinë e Kulturës vetëm për një kohë të shkurtër, pasi më 28 qershor, Shqipëria zhvillon zgjedhjet e reja parlamentare, nuk ka hezituar të marrë përsipër përgjegjësi të reja në qeverisjen e djathtë. Në këtë mënyrë që dje Ardian Turku është emri i ministrit të Kulturës që pason në këtë detyrë Ylli Pangon, i shkarkuar menjëherë pas videos skandaloze të publikuar dje nga emisioni “Fiks fare”, ku Pango kërkonte nga vajzat e reja favore seksuale në këmbim të një vendi pune në ministrinë që ai drejtonte. Emërimi zyrtar për Ardian Turkun u bë nga Kryeministri Sali Berisha, propozim të cilin e nisi në zyrën e Presidentit Bamir Topi pa u mbushur as 24 orë nga shkarkimi i z. Pango. Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e Kryeministrit, znj. Juela Meçani, njoftoi mediat: “Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha, propozon në postin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Ardian Turku. Z. Turku, aktualisht është kryetar i Qarkut të Elbasanit, ish-kryetar i Bashkisë së Elbasanit, ish-zëvendësrektor i Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”. Ai mban titullin Profesor i Asociuar”, - tha znj. Meçani. Kryeministri Berisha reagoi menjëherë me shkarkimin e Pangos vetëm pak minuta pas publikimit të videos dhe caktoi edhe emrin e drejtuesit të ri të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë, Sporteve, z. Ardian Turku.
Kush është Ardian Turku
Turku ka përfunduar studimet e larta, dega psikologji.
Ka drejtuar departamentin e Shkencave Sociale në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”
Ka mbajtur detyrën e zëvendësrektorit të Universitetit të Elbasanit, “Aleksandër Xhuvani”
Mban titullin “Profesor i Asociuar”
Në vitet 2003-2007 ka qenë kryetar i Bashkisë së Elbasanit
Aktualisht, është kryetar i Qarkut të Elbasanit
Kush është Ardian Turku
Turku ka përfunduar studimet e larta, dega psikologji.
Ka drejtuar departamentin e Shkencave Sociale në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”
Ka mbajtur detyrën e zëvendësrektorit të Universitetit të Elbasanit, “Aleksandër Xhuvani”
Mban titullin “Profesor i Asociuar”
Në vitet 2003-2007 ka qenë kryetar i Bashkisë së Elbasanit
Aktualisht, është kryetar i Qarkut të Elbasanit