Skënderbeu fiton në derbi, ngec Laçi, ngjitet Gramozi
Skënderbeu iu rikthye fitores në derbin me Bilisht Sport (2-0), teksa trajneri i korçareve, Indrit Fortuzi, fitoi sfidën me Naume Lamçefskin, teknikun e devollinjve, në javën e 20-të të Kategorisë së Parë. Skënderbeu “rikuperoi” edhe dy pikë të tjera ndaj Laçit të vendit të dytë, pasi skuadra e Edi Martinit nuk shkoi më shumë se barazimi pa gola në Pogradec (0-0). Në mesjavë laçi kishte shkatërruar Skënderbeun kryesues, që kishte dhënë shenjat e një krize, por korçarët janë rikthyer shumë shpejt te suksesi. Pas 20 javësh, Skënderbeu kryeson me 46 pikë, i ndjekur nga Laçi, me tri pikë më pak, 43. Kastrioti i vendit të tretë fitoi pastër me Skraparin (3-0). Edhe Gramozi rikthehet te fitorja, pasi mundi me goleadë 4-2 Besëlidhjen në Ersekë. Skuadra kolonjare ka humbur shumë terren në renditje, megjithëse mbetet kandidate për t’u ngjitur në Superiore. Sopoti mposhti në Librazhd skuadrën Naftëtarin me rezultatin 2-0. Dajti nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0 me Burrelin. Një barazim që solli edhe shkarkimin trajnerit Përparim Daiu, i cili edhe disa javë më parë ishte larguare, por presidenti Qarri e kishte kthyer sërish në pankinë. Mirëpo, këtë herë ka qenë vetë presidenti i Dajtit ai që ka larguar trajnerin kavajas.
Turbina theu Adën në Cërrik me rezultatin e thellë 3-1. Ndërkaq, skuadra e Luftëtarit pa “lëvizur” fare nga Gjirokastra mori tri pikët e radhës, pasi shorti i kësaj jave e kishte vënë përballë Tërbunit të Pukës. Ndeshja u dha në tavolinë 2-0 për gjirokastritët.