E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barazimi në “Loro Boriçi” largon shkodranët nga kreu

 

Në dhjetë ditë e në tri ndeshjet e fundit, Vllaznia ka humbur shumë nga skuadra simpatike e 20 javëve të para të kampionatit. Humbja 1-2 me Dinamon në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë, humbja 4-0 në Durrës me Teutën, dorëheqja e detyruar e Agim Canajt, rikthimi i një trajner kampion si malaziasi Dervish Haxhiosmanoviç, e që kulmoi me barazimin e zbehtë 0-0 me Bylisin e teknikut shkodran Hysen Dedja. Edhe “Deda”, i cili deklaroi para ndeshjes se Vllaznia kishte probleme të karakterit psikologjik, nuk ka mundur të gjejë dot “ilaçin” për të shëruar klubin më të vjetër në Shqipëri. Vetëm një shtyllë e Xhevair Sukaj në minutat e fundit të takimit, ishte shumë pak për skuadrën që pretendojë për herë të 10-të Kampionatin Kombëtar të futbollit. Dy pikë më pak se Tirana e vendit të parë, dhe një pikë më shumë se Dinamo e vendit të tretë, e rrezikojnë shumë objektivin madhor të vendosur nga presidenti Valter Fushaj. Gjithsesi, gjithçka do të “sqarohet” pas ndeshjes së kthimit të Kupës së Shqipërisë, ku Vllaznia do të luajë kundër Dinamos.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›