Vendosin Memelli e Muka, bardheblutë të parët
Tirana e dominoi plotësisht takimin të zhvilluar në një kohë të bukur, por me pak shikues në impiantin ndërkombëtar. Rasti i parë i rrezikshëm ishte i Lushnjës, por portieri veteran i Tiranës, 37-vjeçari Blendi Nallbani, shpëtoi portën e tij. Në minutën e 24-t, mbrojtësi Andi Lila harkoi nga e djathta e sulmit bardheblu brenda zonës së vogël të Lushnjën, dhe aty Migen Memelli me një kërcim të fuqishëm realizoi me kokë golin e parë të Tiranës. Goli i 14-të sezonal për sulmuesin pogradecar, njëherësh edhe më i miri i kampionatit për momentin. Në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, Memelli shpërdoroi një rast flagrant. Disa sekonda më vonë, pas një harkimi të Daniel Xhafës, Memelli, goditi me kokë, ndërkohë që Bejte e devijoi në goditje këndi. Në pjesën e dytë, Memelli dha një asist për Devi Mukën dhe, kapiteni Muka shënoi nga afër golin e dytë në minutën e 64-t. Në minutën e 83-të kapiteni i Lushnjës, 28-vjeçari Gentian Çela, shkurtoi diferencën me një goditje perfekte nga pika e bardhë e penalltisë.