E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dokumentet:Shqiptarët nuk luftuan për Janinën

 

Dr. Dritan EGRO * 

Dorëzimi i Janinës Greqisë, në 5 mars 1913, gjatë Luftës së I-rë Ballkanike, për osmanët ishte një ngjarje me efekt shokues. Dokumentacioni osman, si ai zyrtar, ashtu dhe ai narrativ nuk lë vend për asnjë ekuivok, kur dëshmon se osmanët u ndanë me shumë dhimbje nga Ballkani, që e kishin sunduar për më shumë se pesë shekuj. Ata bënë gjithçka për të mbajtur nën kontroll tre qytete strategjike të tij: Shkodrën, Janinën dhe Edrenenë. Ndërsa dy të parat i humbën, të tretën arritën ta mbronin deri në fund.
Dokumente autentike të ruajtura në Arkivin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë turke dhe kujtime të ushtarakëve më të lartë osmanë që ose ishin protagonistë të kësaj ngjarjeje, ose ishin eprorë të lartë, të cilët i ndiqnin nga afër zhvillimet ushtarake në viset e Shqipërisë së Jugut hedhin dritë mbi perspektivën e një prej palëve të angazhuara në këto ngjarje. Për rrjedhojë, një dokumentacion i tillë mbart elementë të domosdoshëm për të rindërtuar historinë e Shqipërisë së porsalindur nga njëra anë dhe të tërheqjes osmane nga Ballkani nga ana tjetër, por aty gjejmë informacion të dorës së parë edhe për objektivat strategjikë të Greqisë, të shteteve sllave të Ballkanit dhe të Fuqive të Mëdha Evropiane.
Në fillim të shek. XX osmanët konstatojnë një fakt shumë interesant: deri në gjysmën e dytë të shek. XIX, popujt e ndryshëm ballkanikë nuk bënë asnjë përpjekje për t’u bashkuar mes tyre. Përpjekjet e tyre për shkëputje nga Shteti Osman deri në atë kohë ishin më së shumti nisma individuale dhe jo kolektive me bazë rajonale; madje, këtë fakt më së qarti e ilustrojnë mosmarrëveshjet greko-bullgare; por dalja e Ligjit për Kishat (1910) i afroi mes tyre komunitetet ortodokse në fjalë dhe falë këtij hapi u mbërrit që armiqësia greko-bullgare të shndërrohej në aleancën greko-bullgare.
Ndërkohë, në prag të Luftës së I-rë Ballkanike opinioni Fuqive Evropiane formulohej në dy pika, që në fakt plotësonin njëra tjetrën: së pari, kishte ardhur koha që të ndaheshin përfundimisht territoret evropiane të Turqisë dhe së dyti, në rast se Shteti Osman do të humbiste në një konflikt të armatosur me shtetet ballkanike, atëherë do të krijohej mundësia reale që turqit të dëboheshin përfundimisht nga Evropa.
Me negociatat e Revalit (1908) Anglia pranoi rritjen e ndikimit rus në Maqedoni. Por Rusia nuk u mjaftua me kaq. Aty nga fundi i vitit 1911 serbët dhe bullgarët arritën marrëveshje për copëtimin e Maqedonisë. Pezull mbeti vetëm çështja e caktimit të kufijve. Padyshim që në këto zhvillime një rol parësor luajti Rusia, madje cari rus në këtë rast përdori edhe autoritetin e vet personal. Marrëveshja në fjalë u firmos më 13 mars 1912. Mareshali turk Fevzi Çakmak, që në maj 1912 ndodhej në Ohër, dëshmon se Shteti Osman nuk e mori seriozisht aktivitetin e Rusisë, e cila – sipas tij - ishte faktori që bëri të mundur krijimin e aleancës ballkanike antiosmane. Madje, ai shkon edhe më tej kur shprehet se osmanët nuk reaguan me efektivitet përballë koniunkturave të tilla të rrezikshme që ishin krijuar në Ballkan.
Sipas burimeve osmane qysh në fillim të Luftës së I-rë Ballkanike (18 tetor 1912) Greqia e dinte fare mirë se e vetme nuk mund t’ia dilte ushtrisë osmane, ndaj për realizimin e ambicieve të saj fillimisht do të kërkonte garanci nga Fuqitë e Mëdha dhe më pas do të bashkëvepronte me shtetet e tjera të rajonit.
Janina kishte një rëndësi të madhe strategjike me cilësinë e bazës logjistike për ndërmarrjen e çdo veprimi luftarak në rajonin e Epirit. Ajo gjithashtu kishte një rëndësi të madhe strategjike si një pikë kyçe e rajonit për çdo lloj veprimi sulmues që trupat greke do të ndërmerrnin me drejtim nga jugu drejt veriut, pra drejt viseve shqiptare.
Në raportin me emrin “Projekti për përforcimin ushtarak të Janinës”, përgatitur nga gjenerali gjerman Von der Goltz në vitin 1908, mendimi i tij ishte si vijon: “Mbrojtja e Epirit varet direkt nga kontrolli i Janinës; ndaj dhe ky qytet duhet shndërruar në një qendër shtabi të fortifikuar më së miri”. Por ky plan strategjik fortifikimi – sipas burimeve osmane - iu shit një atasheu ushtarak grek me emrin Frans nga një oficer i lartë gjerman përkundrejt një shume prej 200.000 dhrahmish.
Më 3 nëntor 1912 ushtria greke pushtoi Prevezën, një qytet i cili konsiderohet si një pozicion i avancuar mbrojtjeje për Janinën, kurse në fund të janarit 1913 nuk arriti ta pushtonte Ajdonatin. Në këtë moment ushtria osmane filloi të planifikonte një kundërmësymje. Kujtimet e ushtarakëve më të lartë osmanë dëshmojnë se trupat shqiptare nuk luftuan së bashku me trupat osmane për mbrojtjen e Janinës. Ata më së shumti dezertuan dhe u vetorganizuan rreth krerëve të tyre. Nga 2033 ushtarë shqiptarë, jo vetëm që mbetën shumë pak, por ata që u larguan morën me vete edhe armët e tyre. Burimet osmane hedhin dyshime edhe mbi aktivitetin provokues të shqiptarëve filogrekë dhe rolin e tyre në këtë dezertim masiv. Madje, ato bëjnë me dije se vetëm më pas u mësua se shqiptarët kishin firmosur marrëveshje me grekët. Në librin e tij me kujtime të titulluar “Mbrojtja e Janinës”, gjenerali osman Emin Koral, pjesëmarrës në këtë rrethim, shkruan se “Për të kompensuar boshllëkun e lënë nga trupat shqiptare, disa trupa osmane nga fronti serb u urdhëruan të kalonin në Janinë”. Gjithsesi, dezertimi masiv i shqiptarëve realisht i dobësoi trupat osmane dhe i detyroi ato të hiqnin dorë nga ideja për një kundërsulm. Por këtu e rëndësishme është ndjesia që të lë leximi i dokumenteve osmane, të cilat dëshmojnë se osmanët ende nuk po e besonin që interesat e shqiptarëve në këtë moment jodomosdoshmërisht përputheshin me ato të tyret dhe kjo tanimë që shqiptarët prej tre muajsh kishin shpallur mëvetësinë e tyre nga Perandoria Osmane.
Më mirë se askush tjetër shkakun e vërtetë të disfatës osmane në Janinës e shpreh mareshali turk Fevzi Çakmak, i cili thotë: “Në se një popull nuk i garanton vetes bashkim dhe unitet, natyrshëm që edhe fuqia shpirtërore e ushtrisë së tij do të jetë e dobët. Shkaqet e disfatës, përtej armikut, gjithmonë duhen kërkuar tek dobësia e brendshme e popujve dhe qeverive të tyre”. Mandej ai shton: “Por ka një gjë të vërtetë, e cila nuk ndryshon kurrë: efekti i propagandës së armikut të lodh mendërisht; ata që bien pre e saj do të pësojnë fatkeqësi edhe më të mëdha”.
Janina ra më 5 mars pas 138 ditë rezistence. Dy nga majorët e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë greke majori Metaksa, më pas gjeneral dhe Kryeministër i Greqisë dhe majori Stratigo u caktuan nga shtabi grek për të negociuar kushtet e dorëzimit të ushtrisë osmane me drejtuesit e trupave mbrojtëse osmane.
Protokolli i dorëzimit të qytetit ishte si më poshtë: Kështjella e Janinës do t’i dorëzohej ushtrisë greke; trupat osmane që gjendeshin në kështjellë do të konsideroheshin robër lufte; flamurët, armët dhe mjete të tjera luftarake, madje edhe kafshët do t’i dorëzoheshin ushtrisë greke; kundrejt të gjithë oficerëve, ushtarëve dhe të plagosurve osmanë do të aplikoheshin ligjet e luftës.
Për palën osmane ky protokoll u firmos nga komandanti osman i fortifikimeve, gjeneral Vehip Pashë Janina, i vëllai i Esat Pashës, komandantit të ushtrisë osmane në Janinë.
Në jetëshkrimin e shkruar me dorën e tij Esat Pashë Janina bën të ditur se shefi i shtabit të ushtrisë greke, princi Konstantin, i cili më pas u bë edhe mbret, nuk ia mori shpatën dhe nuk e trajtoi si rob lufte. Madje, ai e lejoi Esat Pashën të qëndronte në hotelin “Mela”, në rrethinat e Janinës. Gjatë ditëve që ishte rob në Greqi, Esat Pashës iu lejua që të vizitonte trupat e tij dhe po ta shihte të nevojshme mundej të vihej në kontakt me shifër me ministrin osman të Mbrojtjes. Sipas ish-komandantit osman të Janinës, zbutja e marrëdhënieve të tensionuara osmano-greke ishte ndoshta shkaku që qëndronte pas këtij qëndrimi xhentil të mbretit të ardhshëm grek.
Ndonëse dokumentacioni osman përbën vetëm njërën anë të medaljes, duhet vënë në dukje se njohja që osmanët kishin për viset shqiptare, të sunduara prej shumë shekujsh ishte e lakmueshme. Mirëpo, trajtimi që osmanët u kishin rezervuar shqiptarëve në dekadën e parë të shek. XX në opinionin e shumë personaliteteve osmane të kohës konsiderohet një prej shkaqeve kryesore të disfatës osmane në Janinë.
(* Studiues i historisë osmane
në Institutin e Historisë.)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›