Tirana e vetme në krye, ngec Vllaznia
Pas ndeshjeve të javës së 23-të Tirana është e vetme në krye të kampionatit, me 44 pikë, me dy pikë më shumë se Vllaznia (42). Bardheblutë fituan me rezultatin e ngushtë 2-1 kundër Lushnjës në takimin e dytë midis tyre në harkun e shtatë ditëve, por kësaj radhe në “Qemal Stafa” u luajt java e parë e fazës së tretë, që nisi me një shkëputje të bukur të 23-herë kampioneve. Tirana e dominoi plotësisht takimin të zhvilluar në një kohë të bukur, por me pak shikues në impiantin ndërkombëtar. Asnjë surprizë nuk ka ndodhur dje në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” në takimin midis Tiranës e Lushnjës. Bardheblutë kanë mundur të marrin tri pikë të vlefshme ndaj myzeqarëve dhe tani shkëputen dy pikë në krye të klasifikimit, duke nisur kështu mbarë fazën e tretë dhe të fundit të kampionatit. Në të vërtetë fitorja e djeshme e Tiranës nuk pati aspak shkëlqim, pavarësisht angazhimit të madh të grupit dhe vullnetit të skuadrës për një fitore të thellë e bindëse.
Tensioni te
Dinamo-Apolonia
Dinamo dhe sulmuesi më në formë i saj, Fatjon Sefa, nuk dinë të ndalen. Dje në “Selman Stërmasi” kampionët në fuqi arritën të mposhtin 3-1 Apoloninë, duke koleksionuar kështu fitoren e katërt radhazi, që kur drejtimin e ekipit e ka marrë Shkëlqim Muça. Pas golit të Elis Bakajt në minutën e 77-të, nisi tensioni në ndeshjen Dinamo-Apolonia, që vazhdoi deri në fund të lojës. Sherr në fushë midis lojtarëve dhe kaos në tribunën B të “Selman Stërmasit”, ku ishin vendosur tifozët fierakë. Për pesë minuta ndeshja u ndërpre si pasojë e një zënke të pakuptimtë në mesin e fushës, midis autorit të golit, Bakaj dhe mbrojtësit të Apolonisë, Kelmendi. Në këtë moment, në fushë gjithçka doli jashtë kontrollit dhe mbizotëruan shtyrjet dhe grushtet midis futbollistëve. Nervozizmi në fushë kaloi më pas në tribunën e tifozëve fierakë, të cilët nuk e kapërdinë dot vendimin e gjyqtarit Albano Janku. Ky i fundit, pas zënkës ndëshkoi me karton të kuq Elis Bakajn e Dinamos dhe Marenglen Shoshin e Apolonisë. Daljet e këtij të fundit u kontestuan gjatë nga stafi teknik i fierakëve. Por me qetësimin e situatës, menjëherë pas shkurtimit të diferencës së golave nga Apolonia, gjithçka u kthye si më parë. Është dashur një rast i dyshimtë brenda zonës, që gjendja të bëhej e tensionuar. Fierakët pretenduan për prekje të topit me dorë nga mbrojtësi i Dinamos, Nikoliç, por gjyqtari Janku vazhdoi lojën. Ky moment bëri që disa nga stolat në tribunën “B” të thyheshin në shenjë nervozizmi nga tifozët fierakë, të cilët ishin tepër të irrituar me atë çfarë po ndodhte në fushë. Forcat e rendit, duke parë situatën që po dilte jashtë kontrollit, ndërhynë menjëherë, madje duke shoqëruar edhe disa tifozë problematikë. Përpara rrethimit të brendshëm, 50 policë kontrolluan situatën, që nga momenti në moment mund të precipitonte. Gjithsesi, gjyqtari Janku, edhe në rastin e pretendimit të fierakëve për 11-metërsh mori një masë, duke nxjerrë me karton të kuq nga stoli, kreun e pankinës fierake, Esad Karishik. Sharjet në kor ndaj gjyqtarit dhe institucionit të futbollit nga ana e tifozëve fierakë, shoqëruan fundin e lojës.
Fitore aksidentale
e Teutës
Teuta e ka nisur mbarë fazën tretë e të fundit të kampionatit, pasi ka fituar brenda në shtëpi ndaj Partizanit, me rezultatin 3-2. Brenda harkut kohor të një jave, Teuta ka fituar dy ndeshje, ka rrëmbyer gjashtë pikë, ka shënuar shtatë gola dhe mbi të gjitha i ka thënë “lamtumirë” situatës së vështirë në të cilën ndodhej. Veçanërisht fitorja ndaj Partizanit, kundrejt hapave fals të Shkumbinit e Besës, krijon premisa që “djemtë e detit” të synojnë vendet e lakmuara të tabelës së klasifikimit. Megjithatë, në fragmente të caktuara të ndeshjes u duk se pati një pakt të heshtur mes dy kampeve, për ta mbyllur ndeshjen në barazim. Gjithsesi goli i Hysës në minutat shtesë, ka befasuar jo vetëm miqtë, por deri diku edhe skuadrën vendëse.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 23 - 07.03.2009
Tirana - Lushnja 2-1
Memelli 21’, Muka 64’/ E. Çela 82’ (11m)
Vllaznia - Bylis 0-0
Dinamo - Apolonia 3-1
Sefa 40’, Bakaj 77’, Plaku 90’/ E.Haxhibuliç 85’
Shkumbini - Flamurtari 1-1
Mustafaj 12’/ Veliu 82’
Besa - Elbasani 1-1
Leci 65’/Pema 25’
Teuta - Partizani 3-2
Vila 50’, 82’ (11m), Hysa 92’/Ngjela 36’, Karapici 71’ (11m)
RENDITJA
Skuadra N F B H Gol P
1. TIRANA 23 12 8 3 36-18 44
2. VLLAZNIA 23 12 6 5 31-20 42
3. DINAMO 23 11 8 4 35-20 41
4. SHKUMBINI 23 10 7 6 25-21 37
5. BESA 23 9 6 8 23-25 33
6. TEUTA 23 7 9 7 22-18 32
7. ELBASANI 23 5 11 7 17-19 26
8. FLAMURTARI 23 6 8 9 17-21 26
9. PARTIZANI 23 6 8 9 18-24 25
10.APOLONIA 23 7 3 13 24-34 24
11.BYLIS 23 5 7 11 18-33 22
12.LUSHNJA 23 4 7 12 15-28 19