E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënderbeu: ikën Duro, vjen Levi

/* */

Presidenti i Skënderbeut, Agim Zeqo, shkarkoi trajnerin Shpëtim Duro, pas rezultateve të dobëta në katër javët e para të edicionit 2011-2012, duke u bërë kështu tekniku i dytë i shkarkuar në këtë sezon, pas Përparim Daiut që u vetëlargua nga Tomori.

Pavarësisht, se Duro kontribuoi në fitimin e titullit kampion sezonin e kaluar, trofeu i dytë në historinë e klubit korçara, drejtuesit vendosin të mos i besojnë më.

Një nga faturat më të rënda në shkarkimin e Duros është dhe dështimi në finalen e Superkupës së Shqipërisë, të fituar nga Tirana (1-0), në një ndeshje të shoqëruar me incidente të shumta midis tifozëve në stadiumin “Skënderbeu”.

Stanislav Levi (53 vjeç) u emërua trajneri i Skënderbut, duke u bërë kështu çeku i parë që drejton një skuadër në Shqipëri. Ish-mesfushori shkatërrues i Kombëtares së Çekosllavakisë (1983-1988) ka një karrierë 16-vjeçare si trajner, nga viti 1995.

Levi ka luajtur në Çeki me Bohemians të Pragës dhe në Gjermani me Blau-Vajs Berlin.

Si trajner ka drejtuar disa skuadra. Në Çeki, Levi ka drejtuar Viktoria Plzen (2006-2008), skuadër që tani bën pjesë në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve (në një grup me Barcelonën dhe Milanin). Në Gjermani ka drejtuar Hanover 96 (2000-2001), e sigurisht edhe Altin Lalën.

Debutimin në stolin korçar tekniku Levi do ta bëjë në javën e 5-të (15 tetor), kur Skënderbu do të presë në Korçë debutuesit e Kamzës (vendi i 13-të).

Levi do të jetë trajneri i huaj në këtë edicion, së bashku edhe me spanjollin e Tiranës, Hulian Rubio dhe turkun e Bylisit, Naxhi Shensoj.

Levi do të sfidojë Rubion në javën e 8-të (në Tiranë) dhe Shensojin në javën e 11-të (në Korçë).

Pas katër javëve të para, Skënderbeu ka zhgënjyer plotësisht, edhe pse bëri një merkato cilësore, duke afruar edhe golashënuesin më të mirë të sezonit të kaluar, Daniel Xhafajn (ende asnjë gol) dhe zhvilloi një fazë përgatitore luksoze në Austri.

Bardhekuqtë kanë grumbulluar vetëm 5 pikë nga 12 të mundshmet: 1 fitore me Shkumbinin (3-1), dy barazime me Tomorin (0-0, në Korçë) dhe Dinamon (0-0, në Tiaranë) dhe një humbje me Laçin (2-1), që influencoi edhe në shkarkimin e Shpëtim Duros.

Skënderbeu renditet në vendin e 10-të, 4 pikë larg dy kryesuesve, Tiranës dhe Teutës (të dyja nga 9 pikë).

Lëvizjet e sezonit 2011-2012

TOMORI
Përparim Daiu (1-4), Eqerem Memushi (nga java e 5-të)

SKËNDERBEU
Shpëtim Duro (1-4), Stanislav Levi (nga java e 5-të)

KONFIGURIMI AKTUAL I BANKINAVE

Tirana         Hulian Rubio (spanjoll)
Teuta         Hasan Lika
Bylis         Naxhi Shensoj (turk)
Apolonia     Stavri Nica
Kastrioti     Ramadan Ndreu
Vllaznia     Mirel Josa
Shkumbini     Kristaq Mile
Flamurtari     Edmond Lutaj
Pogradeci     Ylli Çekiçi
Skënderbeu     Stanislav Levi (çek)
Laçi         Nevil Dede
Tomorri     Eqerem Memushi
Kamza         Ernest Gjoka
Dinamo         Faruk Sejdini

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›