Kampionët ulin kokën ndaj Palermos, humb 0 me 4 në Slloveni
Dinamovitët kanë luajtur dje pasdite, në Sant Veit të Austrisë, miqësoren e tyre të parë në periudhën përgatitore, që në fakt janë duke e kryer në Maribor të Sllovenisë. Ka qenë një miqësore “luksi” për dinamovitët, të cilët, për herë të parë në historinë e tyre 60-vjeçare si klub, luajtën përballë një skuadre si Palermo. Në fakt rezultati ka qenë zhgënjyes, sepse të mundesh 4-0 nga Palermo është disi e rëndë. Goli i shpejtë i Palermos ka ardhur pas një pakujdesie në mbrojtje. Pas golit dinamovitët kanë reaguar, ndonëse Hidi ka qenë i impenjuar në disa momente të tjera për të shmangur gola të sigurtë të italianëve. Vlen të përmenden rastet e Vilës dhe të Muzakës, kurse momenti më ideal është shtylla e goditur nga Bakaj, që për fatin e keq të bluve nuk hyri në rrjetë. Në pjesën e dytë, atëherë kur u aktivizuan dhe lojtarët e stolit, dinamovitëve u ra niveli i lojës. Të paktën dhe sipas komenteve në faqen zyrtare në internet të Palermos, portieri Hoxha nuk ka qenë fajtor në pësimin e golave.