Merita Rexha Tërshana, një natë me Shuman
Një natë e tërë kushtuar Robert Shumanit. Pianistja e njohur, Merita Rexha Tërshana, ka sjellë interpretimin e parë në shqip të veprës së kompozitorit gjerman "Davidsbundlertanze" ("Vallet e lidhjes së Davidit"). Tingujt e kësaj vepre kanë mbushur mbrëmë sallën e Akademisë së Arteve, në një koncert që vijon aktivitetet e "Stinës Koncertore të Dimrit 2008-2009". E cilësuar si një vepër autobiografike, "Vallet e lidhjes së Davidit", e shkruar në vitin 1837 përbëhet nga 18 pjesë karakteri të firmosura nga Florestani dhe Eusebiusi, dy pseudonimet artistike të Shumanit. E gjithë kjo vepër është konceptuar si një dialog mes këtyre dy anëve të karakterit të autorit. Që nga koha kur është shkruar e deri tani, vepra përfaqëson për publikun muzikor një enigmë interesante, e cila të fut në botën fantastike dhe komplekse të Shumanit, kompozitorit, filozofit, estetistit, kritikut muzikor dhe një prej përfaqësuesve më të mëdhenj të muzikës së shekullit XIX. "Lebhaft" ("E gjallë"), "Inig" ("Intime"), "Mit Humor" ("Me humor"), "Einfach" ("Thjesht"), "Sehr rasch und in sich hinein" ("Shumë shpejt dhe e brendshme"), "Balladenmassig. Sehr rasch" ("Në formë balade. Shumë shpejt"), etj., ishin disa nga pjesët e interpretuara nga pianistja Tërshana. Shumë kritikë muzike dhe pianistë e konsiderojnë "Vallet e lidhjes së Davidit" si veprën më interesante dhe gjeniale që Shuman ka shkruar. "Shuman, djaloshi i përjetshëm‘ është një nga kompozitorët romantikë më të pëlqyer, veprat e të cilit janë një shembull i rrallë i pasionit më të zjarrtë, ndërthurur me ndjenjat më të holla e delikate, me një stil të veçantë, me sfumatura, por gjithmonë i qartë dhe i vendosur", e cilëson pianistja kompozitorin gjerman, të cilit i ka kushtuar një mbrëmje të plotë koncertore. Merita Rexha Tërshana, pedagoge në Akademinë e Arteve, është vazhdimisht e aktivizuar në aktivitete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Edhe më parë ajo ka interpretuar solo ose duo vepra të rëndësishme të kompozitorëve të njohur, mes të cilave edhe pjesë të panjohura më parë për publikun shqiptar, duke zotëruar një repertor të gjerë me vepra të të gjitha kohërave dhe gjinive. Schumann mbyll me veprën e tij dhe një mbrëmje tjetër të Stinës Koncertore të Dimrit 2008-2009, e cila do të zgjasë deri më datë 2 shkurt. "Stina Koncertore e Dimrit" ka për drejtor dirigjentin Alqi Lepuri, drejtor artistik kompozitorin Sokol Shupo. Ndërsa prof. Burhan Spahiu, prof. Nora Çashku, prof. as. Ramazan Peku janë koordinatorë të këtij aktiviteti.