E Diel, 1 Nëntor 2026

Skënderbeu, sfidë skuadrave të kryeqytetit në merkaton verore

Kohët kanë ndryshuar. Vite më parë ishin skuadrat e kryeqytetit që rrëmbenin lojtarët më të mirë nga të gjitha rrethet, qofshin këta edhe korçarë. Por kohët kanë ndryshuar, Skënderbeu i Korçës është ai që po dominon tregun shqiptar në futboll, madje duke i marrë më të mirët edhe Tiranës, Partizanit dhe Dinamos, tre ekipeve të kryeqytetit, që vite më parë bënin “ligjin” në futboll, qoftë në trofe, por qoftë edhe në emra lojtarësh, pavarësisht nga vinin futbollistët, korçarë, vlonjatë, shkodranë apo nga rrethet e tjera. Klubi korçar, përveçse fitoi titullin e tretë rresht, nuk po i lë klubet e tjera të marrin “frymë”, duke filluar nga kryeqyteti.
TIRANA
Ekipi i Tiranës ka qenë një ndër rivalët kryesorë të Skënderbeut në sezonet e fundit, sidomos në Kupën e Shqipërisë, teksa kryeqy-tetasit, edhe pse jo si korçarët me emra, e kanë mposhtur, madje edhe në Superkupë. Sfida filloi që me marrjen e Muzakës dhe pastaj talentin tiranas Kërçiku, që ende pa i mbushur 19 vjeç, shkon në Korçë. Por duket se Skënderbeu të njëjtën gjë po bën edhe këtë verë. Pas marrjes së Morinës, korçarët i rrëmbejnë Tiranës edhe Gilman Likën, duke e dobësuar edhe më shumë atë. Dhe ende nuk ka asnjë rikthim në radhët e Tiranës. Kjo situatë ndez edhe më shumë tifozëritë, që tashmë i kanë shpallur luftë njëra-tjetrës.
PARTIZANI
Ndërtimi një i një skuadre të denjë për Superioren po rezulton një mision shumë i vështirë për drejtuesit e Partizanit. Sytë janë hedhur kryesisht nga tregu kosovar, por në momentin që të kuqtë pikasin një talent dhe nisin bisedimet, futen në mes kampionët në fuqi të Skënderbeut, që avantazhohen në tratativat nga fuqia ekonomike. Kështu ndodhi me Leonit Abazajn, sulmuesin 20-vjeçar të Dritës së Gjilanit, që pasi kishte nisur bisedimet me Partizanin, u rrëmbye nga presidenti Ardian Takaj i Skënderbeut. Gjithçka ndodhi gjatë përgatitjeve të Shpresës në “Tropikal”, kompleksi në pronësi të presidentit të Skënderbeut, për dy ndeshjet eliminatore të Euro 2015, ndaj Hungarisë dhe Bosnjë Hercegovinës. E njëjta histori po përsëritet edhe me Amir Rrahmanin, edhe ky lojtar i Dritës, në rolin e mbrojtësit. Qen-dërmbrojtësi 19-vjeçar tani është grumbulluar nga përfaqësuesja U-20 për Lojërat Mesdhetare, nga ku duhet të vendosë për të veshur fanellën e kuqe apo atë kuqebardhë të Skënderbeut. Të zhgënjyer nga ndërhyrjet e kampionëve, drejtuesit e Partizanit kanë vendosur të bëjnë markato të fshehtë.
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›