E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënderbeu siguron qëndrimin në Superligë

ELBASAN- Skënderbeu ka siguruar qëndrimin në Superligë, pas një fitoreje minimale ndaj Kamzës në takimin e plejatutit të zhvilluar në Elbasan. “Finalja” e parë për qëndrimin në radhët e më të mirëve ka qenë e tejmbushur me tension, me dy tifozeri që kanë kontestuar në çdo moment arbitrin, sidomos ajo e Kamzës. Në fushë janë hedhur vazhdimisht sende të forta, ndërkohë që sharjet kanë qenë pafund. Sidomos pjesa e parë, por edhe pushimi midis dy fraksioneve të lojës, kanë qenë momentet më të tensionuara. Më pas, në pjesën e dytë, gjakrat kanë qenë disi më të qetë, të paktën nga futbollistët që kanë zbritur në fushën e lojës. Në fund, korçarët ia kanë dalë mbanë falë një goli të realizuar që në minutën e dytë me anë të Klodian Asllanit, që edhe këtë herë ishte njeriu deciziv për skuadrën e drejtuar nga Mirel Josa. Kamza e dominoi takimin dhe mund të kishte barazuar, por skuadra e Perlat Mustës u ndëshkua jo pak edhe nga gjyqtari Pashaj, i cili nuk dha të paktën dy penallti për prekje të topit me dorë. Një gjë e tillë solli edhe kontestimet e shpeshta të kamzalinjve, të cilëve tashmë u duhet të luajnë edhe një tjetër sezon në Kategorinë e Parë. Të enjten do të luhet ndeshja tjetër e plejautit, ajo mes Lushnjës dhe Kastriotit.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›