E Diel, 1 Nëntor 2026

Miqësorja Shqipëri- Poloni degjeneron në sherr masiv

FIER- Ka përfunduar në mënyrën më të turpshme ndeshja miqësore mes kombëtareve Shpresa të Shqipërisë dhe Polonisë, zhvilluar sot në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit dhe e përfunduar në barazim 2-2. Fundi i takimit ka dhuruar momente të një spektakli boksi në fushë, ku protagonistët kryesorë kanë qenë dy futbollistët e Flamurtarit të Vlorës, Odise Roshi dhe Shpëtim Moçka. Kanë qenë minutat shtesë të takimit, kur arbitri ka akorduar një penallti për 21 vjeçarët shqiptarë, që në ato momente ishin duke humbur 1-2. Nga pika e bardhë ka goditur Roshi dhe topi është kthyer nga portieri i Polonisë, por sulmuesi kuqezi ka goditur sërish duke barazuar shifrat në 2-2. Më pas, ai ka shkuar të marrë topin nga rrjeta dhe portieri mik nuk e ka lejuar, duke i dhënë pikënisjen sherrit. Një tjetër shtyrje e dhënë nga një tjetër futbollist polak ndaj një shqiptari bëri që gjithçka të degjeneronte. Mes lojtarëve ka nisur konfrontimi fizik, ndërsa përplasja është kthyer në çast në një sherr masiv. Janë futur të gjithë futbollistët, ndërkohë që edhe portieri Moçka vrapon që nga porta shqiptare për të dhënë “kontributin” e tij. Në gjaknxehtësi e sipër, ai dhe Roshi godasin qartazi me grushta dy lojtarë të kombëtares Shpresa të Polonisë dhe arbitri nuk ka ngurruar t’i nxjerrë të dy me kartonë të kuq. Momenti ka lënë një shije të hidhur për të gjithë, duke qenë se bëhej fjalë vetëm për një ndeshje miqësore dhe ku synimi, më shumë sesa rezultati, është ai i testimit të gjendjes së futbollistëve. Futbollistët polakë mund të konsiderohen fajtorë për shkak se e kanë nisur ata sherrin, megjithatë degjenerimi i situatës vë përpara përgjegjësisë lojtarët shqiptarë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›