E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skenderbeu skuadra me e mire shqiptare ne vitin 2011

Nuk është se po zbulojmë ndonjë të fshehtë, thjesht po ia kujtojmë këtë shikuesve tanë. Skënderbeu i Korçës është skuadra më e mirë e vitit 2011, falë gjysmës së dytë të sezonit 2010-2011 dhe gjysmës së parë të sezonit aktual, 2011-2012.

Korçarët kanë grumbulluar gjithsej 65 pikë në 30 ndeshje të luajtura, nga të cilat 17 i zhvilluan sezonin kur dolën kampionë dhe 13 në edicionin që po vazhdon të luhet. Pavarësisht nga akuzat që i hodhën njëri-tjetrit korçarët e vlonjatët lidhur me titullin e kaluar, ia vlen të theksohet se bardhekuqtë kanë pësuar gjithsej vetëm 2 humbje në 30 takime, pra duke humbur më pak se 7 për qind të tyre, ndërsa fitoret kanë qenë 19. Skënderbeu i ka ndarë humbjet nga një në secilin edicion, vjet në Vlorë, në javën e fundit ndaj Flamurtarit, me rezultatin 0-1 dhe në këtë aktualin në Laç me rezultatin 1-2.

Duhet thënë edhe se në 2011, në drejtim të ekipit kanë qenë tre trajnerë: Shkëlqim Muça, Shpëtim Duro dhe Stanislav Levi. Interesant është fakti se të dyja humbjet i ka pësuar pikërisht Duro, i cili ka edhe 12 fitore e 3 barazime në 17 ndeshjet që ka qenë në krye të skuadrës. Levi dhe Muça nuk kanë humbur asnjë, me të dytin që ka 2 fitore e 2 barazime, ndërsa çeku ka 5 fitore 3 barazime.

Skënderbeu i ka lënë mjaft prapa skuadrat e tjera këtë vit, ndonëse ka luajtur një ndeshje më pak se të tjerët, meqë përballja me Pogradecin u shty. Flamurtari ka grumbulluar gjithsej 54 pikë, pra 11 më pak, Teuta ka 53, ndërsa Tirana është e katërta me një sasi jashtëzakonisht të paktë pikësh për traditën e saj, vetëm 45.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›