E Diel, 1 Nëntor 2026

Skënderbeu udhëheq kampionatin, fiton pastër ndaj Apolonisë

Gazeta Shqip

Korçarët kanë pasur probleme në pjesën e parë, por në të dytën kanë shfaqur potencën e tyre

Korçarët pas fitores së bujshme të javës së parë kundër Vllaznisë me rezultatin 3-1, dje në mbrëmje janë kthyer në qytetin e tyre për të zhvilluar takimin e javës së dytë të kampionatit dhe këtë herë kundër Apolonisë. Me synimin për tri pikë, korçarët kështu e kanë mbyllur sfidën. Gjithçka është dukur e vështirë për ta në pjesën e parë, por në të dytën kanë lehtësuar gjithçka pas disa zëvendësimeve. Këtë herë Pejiç nuk ka shënuar, por Orelesi dhe Plaku kanë bërë diferencën. Përsëri juglindorët qëndrojnë në krye të Superligës, duke u konfirmuar që këtë javë se janë kandidati kryesor për të marrë për të tretin vit radhazi trofeun më të rëndësishëm të futbollit në vend.

Pjesa e parë

Me rrjeta të paprekura është mbyllur fraksioni i parë i lojës mes Skënderbeut dhe Apolonisë. Në minutat e para të lojës ka qenë mesfushori i krahut të majtë, Dimo dhe goleadori Pero Pejiç që kanë kërcënuar portën e gardianit Miço, por pa gjetur rrugën e rrjetës. Minuta e 28-të mund të kishte qenë momenti vendimtar për korçarët, të cilët me anë të Dimos mund të kishin kaluar në avantazh, por shtylla transversale ka devijuar topin duke larguar edhe golin. Ndërsa në minutën e 40-të ka qenë Andi Ribaj përballë me portierin Shehi, por nuk ka mundur ta kalojë dot topin në rrjetë. Gjatë pjesës së parë, Mirel Josës i është dashur të bëjë dy zëvendësime të detyrueshme, pasi Radas dhe Bici janë dëmtuar dhe nuk mundën të vazhdonin lojën. Ndërsa në minutën e dytë shtesë të kësaj pjese, Pejiç ka humbur rastin më të artë të kalimit në avantazh të ekipit të tij, sepse i ka pasur të gjitha mundësitë për ta kaluar ekipin në avantazh, por Miço ka bërë mrekullinë.

Pjesa e dytë

Korçarët zhvendosen në sulm që në minutat e para të kësaj pjese. Sulmet nuk kanë të reshtur deri në minutën e 55-të ku Pejiç ndalohet në mënyrë të parregullt nga Çela dhe kryesori i këtij takimi akordon 11-metërsh. Plaku e ekzekuton mjeshtërisht penalltinë dhe 1-0 për Skënderbeun. Vetëm 8 minuta më vonë është Orlesi ai që mendon më së miri për skuadrën e tij. Gjuan nga një distancë prej 20-metrash larg portës dhe shënon golin e dytë për korçarët. Me këtë rezutlat mbyllet dhe takimi i dytë i Skënderbeut dhe Apolonisë, ku të besuarit e Mirel Josës tashmë kanë marrë revanshin.

Skënderbeu udhëheq kampionatin, fiton pastër ndaj Apolonisë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›