Skllavëria dhe Hienizimi i Politikës Nga Bledar H. PriftiKush e futi Edi Ramën në politikë dhe kush e nxori Eduart Selamin nga politika? Përse po venitet politikisht Spartak Ngjela? A është e shkuara e Selamit, e ardhmja e Ramës dhe e Ngjelës? Për t’
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Skllavëria dhe Hienizimi i Politikës Nga Bledar H. PriftiKush e futi Edi Ramën në politikë dhe kush e nxori Eduart Selamin nga politika? Përse po venitet politikisht Spartak Ngjela? A është e shkuara e Selamit, e ardhmja e Ramës dhe e Ngjelës? Për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, ne duhet të analizojmë dy koncepte dhe fenomene të politikës Shqiptare, të cilat janë katërcipërisht të lidhura me njëra-tjetrën: (1) “Mentaliteti i skllavit” dhe (2) “Hienizimi i politikës”.
Pavarësisht përkufizimeve të tjera, në fushën politike, unë e konsideroj konceptin “mentaliteti i skllavit” si një tërësi pritshmërish, opinionesh, mendimesh, dhe besimesh të individëve, të cilët i konsiderojnë dhe i vendosin marrëdhëniet politike në hierarkinë institucionale si marrëdhënie midis “padronit” dhe “skllavit”. Nisur nga natyra tradicionale e marrëdhënieve “padron-skllav”, në politikë kjo marrëdhënie konsiderohet e tillë kur “skllavi” politik i atribuon ekzistencën e tij politike vullnetit të “padronit” politik. Një perceptim i tillë i “skllavit” legjitimon obediencën dhe nënshtrimin ndaj vullnetit të “padronit”. “Skllavi politik” nuk ka të drejtën të zgjedhë dhe të dëshirojë dhe as të ketë të drejtën të aspirojë për liri, dhe jo më të luftojë për lirinë e tij. Pra, skllavi politik bën çfarë i urdhërohet të bëjë, mendon çfarë i urdhërohet të mendojë, aspiron çfarë urdhërohet të aspirojë, dhe ekziston si qenie politike derisa i urdhërohet të ekzistojë.
Por si dhe çfarë e transformon një individ në “skllav” politik dhe si lidhet kjo me klasën politike shqiptare? Unë konsideroj katër arsye kryesore që e transformojnë një individ politik në “skllav” politik:
1. Mosmeritimi i një pozicioni politik nga ana e një individi politik (skllav) dhe dhënia e postit bazuar në vullnetin dhe interesat e lidershipit (“padronit”).
2. Perceptimi në shoqëri dhe në ambientin politik i martëdhënieve në hierarkinë e institucioneve politike si marrëdhënie “padron-skllav”, dhe ku arritjet e një individi politik i atribuohen lidershipit.
3. Injoranca politike dhe ideologjike ku individi politik adhuron lidershipin, rrjedhimisht duke i dhënë dhe legjitimuar lidershipit statusin e “padronit”. I tillë është rasti i komunistëve me Marksin dhe Leninin, dhe i nazistëve me Hitlerin, dhe shumë të tjerë.
4. Vendosja dhe mbajtja me forcë nga lidershipi i marrëdhënieve të tipit “padron-skllav”. Kjo mund të konsiderohet metodë primitive. I tillë ishte rasti në fillimet e diktaturës komuniste të Hoxhës, pasi pas viteve 60, marrëdhëniet iu përshtatën më shumë pikave “1”, “2”, dhe “3”.
Përsa i përket klasës politike Shqiptare, ajo është e përbërë në pjesën dërrmuese të saj nga prototipa të “skllavit” politik që mbartin karakteristikat e pikave “1”, “2”, dhe “3”, pasi mbajtja me forcë e marrëdhënieve “padron-skllav” (pika “4”) është tepër e vështirë (për mos të thënë e pamundur) për një vend demokratik apo me demokraci në tranzicion.
Grupimi i parë i “skllevërve” në klasën politike shqiptare përbëhet nga ata individ që nuk e meritojnë të qenurit në poste politike për shkak të formimit të tyre intelektual dhe politik, dhe për shkaqe të përcaktuara në ligje dhe statute. Duke qenë në këto kushte, këta individë politikë e shohin fatin e tyre të lidhur ngushtë me vullnetin e lidershipit. Lidershipit i leverdis të mbajë në varësi individë me formim të tillë, pasi ata nuk do të kishin asnjë rrugë tjetër për të mbijetuar politikisht përveç se t’i nënshtroheshin vullnetit të lidershipit. Si rrjedhojë, midis lidershipit dhe këtyre individëve politik vendosen marrëdhëniet “padron-skllav”.
Në vazhdim, marrëdhënia “padron-skllav” në politik vendoset edhe kur individ politik vendosen në poste politike në kundërshtim me ligjet dhe rregullat. Nëse një lidership disponon informacione konfidenciale që vërtetojnë paligjshmërinë ose ilegjitimitetin e mbajtjes së posteve politike nga persona të përfshirë në këto akte ilegjitime, atëherë lidershipi me vullnetin e tij i ofron këtyre personave poste politike me qëllim që t’i ketë në varësi të përhershme përmes shantazheve. Të qenit e këtyre individëve politik të inkriminuar dhe me status politik ilegjitim e bën fatin e tyre politik t’i nënshtrohet interesave dhe vullnetit të lidershipit.
Shembuj që vërtetojnë një marrëdhënie të tillë “padron-skllav” gjenden sidomos gjatë viteve të para të pluralizmit politik, ku të dy liderët e partive kryesore, Nano dhe Berisha, vendosën në poste politike individë të përlyer dhe të inkriminuar gjatë diktaturës komuniste. Posedimi nga këta liderë të informacioneve konfidenciale mbi aktivitetin e këtyre individëve politikë të ricikluar bëri të mundur që liderët t’i kthenin këta individ në “skllevër” të interesave, qëllimit dhe vullnetit të liderave. Në kohët e sotme, shumë analistë mendojnë se një marrëdhënie e tillë mund të ekzistojë midis Berishës dhe Mediut, apo Berishës dhe Metës. I pari ka lidhje me ngjarjen e Gërdecit dhe aferat personale dhe familjare, kurse i dyti ka lidhje me legjitimitetin e mandatit të Metës në qarkun e Tiranës, pasi flitet që në rast hapje dhe numërimi të kutive të votimit në këtë qark, Meta rrezikon të humbasin mandatin e deputetit. Duke qenë në këtë situatë, Berisha dikton vullnetin dhe interesat e tij Metës dhe Medius, duke i shndërruar ata në “skllevër” politikë.
Për më shumë, grupimi i dytë inkuadron ata individë politik që e shikojnë dhe ia dedikojnë angazhimet dhe fitoret e tyre politike liderëve te partisë. Ky perceptim ka lidhje me mentalitetin e kudondodhur në shoqërinë shqiptare ku angazhimet dhe sukseset politike të individëve i atribuohen liderëve dhe jo aftësive të individit politik për të ngjitur shkallët e politikës. Individë që nuk kanë lidhje fizike ideologjike me një parti politike, por që promovohen nga lidershipi në mënyrë të rrufeshme në shkallët më të larta të politikës kanë tendencën të krijojnë një marrëdhënie “padron-skllav”, por kjo gjithmonë e bazuar në formimin e tyre moral, intelektual dhe sofistikimin politik që ata posedojnë.
Kjo pikë na afron neve tek pyetja jonë e parë se “Kush e futi Edi Ramën në politikë?”. Opinioni publik mendon se ishte Fatos Nano ai që e futi Edi Ramën në politikë, duke mos konsideruar faktin se Edi Rama ka qenë një ndër kundërshtarët më të vendosur të Berishës që në fillimet e demokracisë dhe që ka rrezikuar edhe jetën përmes qëndrimeve te tij anti-Berishiane. Ishte Edi Rama ai që në majin e vitit 1996, së bashku me Ndre Legisin u masakrua nga forcat speciale të Berishës dhe u la për të vdekur rrugëve të Tiranës. Ndaj aktivizimi i Ramës në politikë (e njëjta gjë edhe për mijëra të tjerë në të dy krahët e politikës) nuk mund të konsiderohet si vullnet i një lidershipi (në këtë rast i ish-kryesocialistit Nano) por si një rezultat i dëshirës, aspiratës, dhe vullnetit personal të Edi Ramës. Koha tregoi se Rama nuk i lejoj vetes krijimin e një marrëdhënie “padron-skllav” me ish-liderin e PS.
Duke ecur më tej, grupi i tretë i “skllevërve” brenda klasës politike Shqiptare inkludon ata element që janë të orientuar në aktivitetet e tyre politike nga injoranca ose ideologjia politike radikale. Individët në këtë grupim karakterizohen nga një adhurim dietik për lidershipin e tyre. Ky adhurim dietik për lidershipin legjitimon profilin dhe statusin e lidershipit si “padron”, dhe rrjedhimisht vartësit shndërrohen në “skllevër” të vullnetit dhe interesit të lidershipit (padronit). Zakonisht në këtë grup futen elementë ekstremistë të të dyja palëve.
Por si ndikojnë këto grupime “skllevërish” politik në “hienizimin e politikës”? Ashtu si e përmendëm më lart, të gjitha këto grupime “skllevërish” politikë kanë të përbashkët faktin që mbijetesa e tyre politike është e varur nga interesat dhe vullneti i padronëve. Rrëzimi i padronëve do të ishte edhe fundi i ekzistencës politike të këtyre “skllevërve”. Ndaj nuk duhet të duket çudi fakti që në rast kur një individ i pavarur politik tenton të sfidojë “padronët”, ai do të përballet me një sulm të rrufeshëm dhe agresiv nga grupimet e skllevërve politikë për të mbrojtur padronët e tyre dhe rrjedhimisht ekzistencën e skllavërisë. Mobilizimi i këtyre grupimeve skllevërish politikë kundër individëve të pavarur politikë që kërcënojnë interesat dhe vullnetin e “padronëve” është momenti që krijon atë që unë e quaj “hienizim të politikës”. Hienizimi merr karakteristikat e një “kryqëzate” dhe nuk ndalet derisa rreziku përkundrejt padronëve ose vetë kjo klasë skllevërish të jetë shkatërruar plotësisht.
Për sa u analizua më lart, mund të them gjithashtu se largimi i Eduard Selamit apo venitja politike e Spartak Ngjelës (dhe shumë të tjerëve) nuk është gjë tjetër por rezultat i “hienizimit” të politikës shqiptare nga këto grupime “skllevërish” politik. Janë këta “skllevër” që fatkeqësisht luajnë një rol dominant në politik në mbështetje te interesave dhe vullnetit të padronit dhe të ekzistencës se “regjimit politik skllavopronar”, tipik feudal. Por kurrë nuk ka qenë më evident ky hienizim i politikës shqiptare sesa në rastin e promovimit nga ana e “regjimit politik skllavopronar” të një “kryqëzate” kundër Edi Ramës, të cilën unë e kam etiketuar si “kryqëzata anti-Rama”. Nëse Selami zgjodhi largimin nga “beteja”, fati i Ramës dhe i Ngjelës do të varet nga vetë ata dhe mbështetësit e tyre. Ata s’kanë ç’humbasin më shumë!!
“O popull, sa shumë gjëra bëhen në emrin tënd! Bile edhe [naltmadhnia] flet në emrin tënd. Një njëri mund të mashtrojë një tjetër për një kohë. Mund të mashtrojë edhe një popull për një farë kohe. Por nuk mund të mashtrojë [kurrë] një popull të tërë për gjithë jetën!”