Sandri, probleme me betimin e Bashës dhe karrigen e MediutNga Antena brenda familjesPas dështimit që pati me iftarin e Familjes, Sandri dje u bë me fiksime. Dy miqtë e tij më të ngushtë në qeveri, Lulzim Basha dhe Fatmir Mediu, patën dy incidente që
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Sandri, probleme me betimin e Bashës dhe karrigen e MediutNga Antena brenda familjesPas dështimit që pati me iftarin e Familjes, Sandri dje u bë me fiksime. Dy miqtë e tij më të ngushtë në qeveri, Lulzim Basha dhe Fatmir Mediu, patën dy incidente që Sandrit iu dukën si tersllëk.
I pari, Lulzim Basha, gjatë procesit të betimit. Të gjithë ministrat u betuan duke vënë dorën mbi Kushtetutë, kurse Lulzim Basha duke ngritur dorën lart. Sandri filloi të vriste mendjen pse ky e bëri ndryshe nga të tjerët. Nuk besoj se e ka bërë nga mendja, tha me vete, duhet ta ketë parë diku. I bëri një telefon Fevziut, se iu duk shumë perëndimor ky gjesti i Bashës.
- Fevzo, e pe Bashën mo burrë si u betua me dorën lart? Ça është kjo apo kështu betohen në Perëndim?
- Në fakt Sandër ashtu betohen në këto vendet perëndimore, sidomos figurat mondane politike që besojnë te Zoti. Kam qenë te ceremonia e inaugurimit të Obamës dhe ai ashtu e ngriti dorën lart, pastaj preku Kushtetutën.
- Po ky s’e preku fare mo burrë...
- Nejse Sandër, se kështu ishte veshur mirë. I ka gjithë kravatat Hermes, janë koleksioni i fundit. Dhe janë të shtrenjta. I kam parë tani që isha në Romë, gjithë seti i fundit i kravatave ishte nga 140 euro copa. Ata të tjerët s’kishin kravata mo burrë. Ishin me kravata kineze. Luli e kishte klas...
- Po le mo burrë se s’të pyeta për kravatën, më q.. muhabetin gjithnjë me këto, unë të pyeta për tjetër gjë.
- Po ç’ke o burrë që vret mendjen për dorën që ngriti lart, se dhe një herë që kam qenë te Mbretëresha e Holandës, na ftoi për një drekë në kështjellë, ishte një ceremoni betimi, dhe ata lart e ngrinin dorën. E kanë shumë moderne Mbretëreshën këta në Holandë...
- Ou, me kë flas unë. Mirë Fevzo, ika se kam punë, ika.
E mbylli me Fevzon, po s’dinte kë të pyeste pse nuk e preku Kushtetutën me dorë. Në fund vendosi t’i bënte telefon doktorit. Me këtë rast e pyes dhe për ndonjë gjë, tha me vete.
- Urime doktor, shumë bukur doli ceremonia, - i tha. - Dhe e kishin filmu shumë mirë këta të mitë. U thashë të zgjedhin ca plane të mira, po të mira i kishin marrë vetë. Atë Bamirin s’e kishin kap fare. Ia kanë marrë dorën vetë tani, nuk duan të lodhen në montazh. Po ishte skenë e bukur. Atë të Lul Bashës nuk e kuptova mo burrë që u betua me dorën lart...
- Sandër, faleminderit për urimet. Ta gëzojmë së bashku. Tani, o zotëri, ti e di që Lul Basha është ai që është. Do ta bëjë një gjest ndryshe, se s’mund ta bëjë si të tjerët. Po në fakt dhe aq qejf nuk e ka Kushtetutën me thënë të drejtën, se e ka atë problem, e di ti. Ha.. ha.. ha.
- Figurë është, figurë. Po mo po, e mora unë dhe e pyeta, i thashë, pse e bëre ndryshe, dhe këtë më tha: “Të kam thënë Sandër, - tha, - ne e bëjmë ndryshe, e bëjmë më mirë, ky është slogani ynë tamam.” Mirë mo trap, i thashë, po doktori vuri dorën te Kushtetuta, mos e bëj ndryshe nga doktori të paktën.
- Tani Sandër, e ka atë hall ai. S’kam ç’i bëj. Ti e di që ai gjithë suksesin e vet e ka mbështetur te ligji anglez dhe jo Kushtetuta e Shqipërisë. Meqë s’kishim fletoren e ligjeve angleze aty, ai ngre dorën lart. Në dorë të Zotit është në fakt. Tani të gjithë jemi në dorë të mëshirëplotit, po ai është një çikë më shumë se të tjerët.
- As mos ta rruajë fare për atë punë, po u bëra merak pse e bëri ndryshe nga të tjerët. Dhe, se harrova, ore atë Fatmir Mediun si e latë pa karrige në qeveri?!
- Sandër, ti e di si janë këta njerëzit e administratës, janë shumë striktë. Më paskëshin dëgjuar mua në fushatë që kabinetin nuk e ndryshoj, madje mund ta shkurtoj dhe kishin lënë prapë 14 karrige ministrash dhe një për kryeministrin. Dhe as që kishin vrarë mendjen për më vonë. Hyjmë në mbledhje ne sot, Mediu si gjithmonë vjen i fundit, mbeti pa karrige.
- Sa ters e ndjek atë njeri mo burrë. Çfarë s’po bëhet për atë karrigen e tij. Është ngritur gjithë bota kundër që të mos ulet në atë karrige, na, shkon dhe ia heq dhe administrata jote.
- Tani Sandër gjërat që bëhen me sforco ti e di që kanë një kosto. S’ke ç’i bën tani. Po megjithatë i sajuam një karrige sa për sot. Herën tjetër do t’i gjejmë dhe një kompjuter. Se tani s’ka më letra në tavolinë. Vetëm në kompjuter. S’ka nevojë të firmosin gjë Sandër. Vetëm t’i lexojnë në kompjuter dhe aq. Pastaj për të firmosur i firmos vetë. Në fakt unë i përfaqësoj ata, s’ka nevojë për firmën e tyre.
- Mirë mo ua ke bërë, ç’punë kanë ata të hedhin firmat. Thjesht më kapi një shqetësim për Mediun pse nuk kishte karrige.
- Sandër, nuk ishte e qëllimshme. Tani do thuash ti pse s’i ka ndodhë ndonjë tjetri. Sandër, vijnë në kohë të tjerët. Ai flet në telefon dhe rri në korridor. Me kë nuk flet. E ka zakon të keq shumë. Dhe ia kam prerë të mos flasë më në sallë të qeverisë. Mbeti jashtë dhe ndodhi ajo që ndodhi. Po Lulin Kushtetuta dhe atë karrigia e ndjekin si mallkim. Nuk para i kanë qejf. S’ke ç’i bën.