E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedonia flet “greqisht” me KosovënNga Jahi JahiuKur në prill të vitit të kaluar për shkak të vetos greke Maqedonia nuk arriti të anëtarësohet në NATO, opinioni maqedonas, duke përfshirë këtu edhe shqiptarët, ishin tepër të dëshpëruar nga një qasje

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Maqedonia flet “greqisht” me KosovënNga Jahi Jahiu

Kur në prill të vitit të kaluar për shkak të vetos greke Maqedonia nuk arriti të anëtarësohet në NATO, opinioni maqedonas, duke përfshirë këtu edhe shqiptarët, ishin tepër të dëshpëruar nga një qasje e Greqisë kundër fqinjit verior. Në deklaratën e përbashkët pas samitit të Bukureshtit u tha se Maqedonia do të anëtarësohet me automatizëm në këtë aleancë në momentin që ky vend do të zgjidhë kontestin rreth emrit me Greqinë.

Ministri i jashtëm i Maqedonisë Antonio Miloshoski, pas mbarimit të samitit tha se “vendimi për mosanëtarësimin e Maqedonisë në NATO është një dështim i principeve të aleancës” duke shtuar se përgjegjësia në rast të destabilizimit bie mbi Greqinë.

Kryeministri Nikolla Gruevski deklaroi se “ne nuk u anëtarësuam në NATO për shkak se jemi maqedonas dhe në mënyrë indirekte kërkohet nga ne që mos të jemi ata që jemi. Personalisht mendoj se Greqia e solli NATO-n në një situatë të shkeljes së principeve themelore të lirisë dhe së drejtës”.

Por ky shtet i cili para një viti paraqitej si viktimë e politikës nacionaliste greke, sa çel e mbyll sytë, duke harruar Bukureshtin e “dështimeve të principeve të aleancës”, sot bëhet “agresor”. Deklarata e para pak kohe e presidentit të Maqedonisë Gjorgji Ivanov se “Maqedonia nuk do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kosovën pa përfunduar edhe milimetri i fundit i procesit të demarkacionit të kufirit mes këtyre dy vendeve”, demanton qëndrimet e politikës maqedonase ndaj vetos greke.

Vetë shteti maqedonas përjetoi në lëkurën e vetë kushtëzimin e të tjerëve në rrugën e konsolidimit politik të vendit. Dhe në vend që politika e Maqedonisë ndaj fqinjëve të ecë në drejtim të kundërt nga ajo që u shfaq në Bukuresht, ky vend përdor metodat greke ndaj Kosovës. Me një veprim të tillë, politikanët maqedonas, duke përfshirë këtu edhe presidentin Ivanov, harruan se në momentet e vetos greke, tërë opinioni shqiptar brenda dhe jashtë vendit, kritikuan qasjen e Greqisë ndaj fqinjit verior dhe shprehën keqardhje për Maqedoninë që nuk arriti të bëhej anëtare e NATO-s së bashku me Greqinë.

Por politika e kushtëzimeve të Maqedonisë me Kosovën nuk fillon me deklaratën e fundit të presidentit Ivanov rreth demarkacionit të kufirit. Gjeneza e saj nisë para njohjes së Kosovës si shtet i pavarur. Në fakt, Maqedonia e njohu Kosovën vetëm pas garancive nga pala kosovare rreth nënshkrimit të marrëveshjes rreth kufirit, një marrëveshje e cila duhej të zgjidhte problemin e 2500 hektarëve tokë në zonën kufitare mes këtyre dy vendeve.

Shikuar kronologjikisht, që nga shpallja e pavarësisë, Maqedonia kishte një qëndrim jo të sinqertë ndaj Kosovës. Zgjedhja e presidentit Ivanov e shtoi edhe më shumë luhatjen diplomatike të shtetit maqedonas. Loja e parë filloi kur presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu nuk u ftua që të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit maqedonas si pasojë e presionit serb. Për të zbutur kritikat në vend, e në veçanti nga opinioni shqiptar, kabineti i Ivanovit deklaroi se presidenti Sejdiu do të jetë i pari që do të vizitojë presidentin e porsazgjedhur të Maqedonisë. Por edhe kjo vizitë u anulua nga vetë presidenti Sejdiu, për shkak se Maqedoni ndryshoi qëllimin e vizitës.

Sa i përket vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Maqedonisë dhe Kosovës, ka muaj të tërë që politikanët shqiptarë thonë se kjo do të ndodhë shumë shpejt. Por deklarata e fundit e presidentit Ivanov për fat të keq flet të kundërtën. Ndaj Kosovës Maqedonia po ndjek mënyrën greke të zgjidhjes së problemeve me fqinjtë e saj. Në këtë kontekst shtrohet pyetja se kush qëndron prapa këtij qëndrimi të politikës zyrtare të Maqedonisë ndaj Kosovës. Mund të jetë ajo që deklaroi ish-kryeministri i Maqedonisë Vlado Buçkovski se “Unë nuk mund ta kuptoj cila është politika e Maqedonisë ndaj shtetit të Kosovës. Ngrohja e marrëdhënieve me Beogradin me bënë të mendoj se prapa skenave ka disa lojëra me Serbinë, të panjohura për opinionin në Maqedoni”.

Por këtu mund të ketë edhe një logjikë tjetër, se Maqedonia shfrytëzon dobësinë e shqiptarëve të cilët nuk kanë ndonjë strategji të përbashkët për ta përfunduar lojën diplomatike të politikës zyrtare të shtetit maqedonas. Apo ndoshta këtu ekziston një kombinim i dy varianteve?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›