Skolls, dhjetë javë jashtë fushave
Mançester Junajted pësoi një humbje të rëndë në takimin e së martës kundër Alborgut në Ligën e Kampioneve. Pol Skolls u largua me barelë nga fusha, në sfidën që skuadra e Sër Aleks Ferguson fitoi 3-0 në Danimarkë. Mesfushori veteran pësoi një dëmtim të rëndë në gju dhe mendohet se ka dëmtuar ligamentet. Lajmi u bë publik nga trajneri i kampionëve të Evropës në fuqi, Ferguson. "Në momentin që po flasim, nuk e dimë me saktësi se sa i rëndë është dëmtimi i Skolls", deklaroi tekniku skocez. "Një gjë është e sigurt, dëmtimi është në ligamentet e gjurit. Lojtari do t‘i nënshtrohet vizitave të mëtejshme mjekësore dhe vetëm pas diagnozës mund të flasim me saktësi për periudhën e riaftësimit". Sipas burimeve pranë "Red Devils", 33-vjeçari, i cili u zëvendësua vetëm pas 16 minutave lojë nga Rajan Gigs rrezikon të qëndrojë rreth 10 javë jashtë fushave të lojës. Përpara ish-mesfushorit të Anglisë, Junajted ka humbur edhe shërbimet e Majkëll Karrik dhe Ouen Hargrivs.