Xhovinko: Rinovimi? S‘ka asnjë problem
Sebastian Xhovinko ishte protagonist i një debutimi fantastik në Ligën e Kampioneve. Edhe pse nuk mori më shumë se barazimi 2-2 në fushën e modestëve të Bate Borisov, te Juventusi mund të jenë të kënaqur pas konfirmimit të talentit italian. Edhe pse vetëm 164 centimetra i gjatë, Xhovinko ka klas të pastër dhe arrin ta shndërrojë çdo aksion të thjeshtë në një mundësi të mirë goli. Të martën, ai dha dy pasimet finale, nga të cilat lindën golat e Iakuintës në Minsk. Edhe pse vazhdimësia e tij me bardhezinjtë ishte në dyshim (pasi nuk po rinovonte kontratën), në fund të sfidës me Baten, mesfushori i qetësoi të gjithë: "Tani do të rinovoj". Më tej, mes lodhjes që duket qartë, ai tha: "Të luaja titullar në Champions me fanellën e Juves, klubi ku jam rritur, ka qenë ëndrra ime. Megjithatë, duhet të pranoj se fillimi i ndeshjes ngjasonte më shumë me një makth". Talenti nuk e fsheh "habinë" për hapësirën që i dha trajneri Klaudio Ranieri dhe saktësoi se "rinovimi i kontratës nuk është aspak problem" dhe thekson se është më shumë i përqendruar të sigurimi i një fanelle titullari. Rendimenti në fushë i "milingonës atomike" është mbresëlënës. Xhovinko nuk i lejoi vetes ta humbiste shansin që iu dha në aktivitetin më prestigjioz: tashmë qershia mbi tortë është firma në kontratën e re, me të cilën do të lidhet me Juventusin deri më 30 korrik 2013. Edhe pse asgjë nuk është zyrtare, flitet se palët kanë arritur marrëveshjen për 750 mijë euro rrogë vjetore, plus shpërblime në bazë të paraqitjeve dhe arritjeve të skuadrës. Edhe pas fjalëve të vetë lojtarit, pista që e shihte të lidhur me Arsenalin e Arsen Venger është zbehur.