E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIFA dhe UEFA kërcënojnë Poloninë

Polonia rrezikon seriozisht që të humbasë të drejtën e organizimit të Kampionatit Evropian 2012, i parashikuar për t‘u zhvilluar në bashkëpunim me Ukrainën. Vendet pritëse për aktivitetin më të rëndësishëm në kontinent janë sulmuar vazhdimisht, për shkak të vonesës në përgatitje: ku Ukraina cilësohet si shumë e vonuar në infrastrukturë. Megjithatë, situata është bërë edhe më shqetësuese, pasi në pikëpyetje është edhe "pjesa e fortë" e bashkorganizatorëve, Polonia. Vetëm pak ditë më parë, Ekzekutivi i UEFA-s kishte theksuar se Euro 2012 do të zhvillohej në dy vendet e përcaktuara. Por, në harkun e pak orëve, gjithçka ka ndryshuar dhe shkak është bërë një konflikt i ashpër ndërmjet UEFA-s e FIFA-s dhe qeverisë (politike dhe sportive) në Poloni. Të hënën, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Komitetin Olimpik Polak vendosi të shpërbëjë federatën, "pasi kishte konstatuar shumë shkelje të ligjit". Në vend të Mikail Listkievicz, në krye të institucionit, që drejton futbollin në këtë vend, u emërua një administrator i ri, Robert Zavloçki. Pas kësaj rokade, ministri polak i Sporteve, Miroslav Drzhevieçki, nxitoi të theksonte se "federata nuk do ta shfrytëzonte Euro 2012 si mjet mbrojtës nga parregullsitë që ka bërë". Megjithatë, konflikti federatë-qeveri (prej kohësh në futbollin polak qarkullojnë zëra për korrupsion dhe Drzhevieçki kishte tentuar edhe më parë të hiqte presidentin e federatës), rrezikon seriozisht Evropianin e ardhshëm. Në fakt, FIFA e UEFA deklaruan se nuk e njohin vendimin e Komitetit Olimpik Polak dhe se "drejtuesi aktual i federatës (Listkievicz) njihet si autoriteti i vetëm legjitim në futbollin e këtij vendi". Dy organizmat konfirmuan gjithashtu se kanë filluar konsultimet për të marrë masa ndaj futbollit polak për shkelje të autonomisë së sportit. Vendimi, nga ku nuk përjashtohet pezullimi, pritet të merret më 23 ose 24 tetor në Zyrih.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›