E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skrami, pse s’mund të ikë nga Teatri?!



Janë gjithmonë të njëjtat kërkesa, të njëjtat ankesa për teatrin: buxheti i vogël, mungesa e statusit dhe një pafuqi shtetërore për të mbajtur institucionin e vet edhe në mungesë totale të tregut, konkurrencës. Megjithëse drejtorët e Teatrit Kombëtar sa herë kanë ardhur e kanë ikur, kanë thënë gjithnjë me entuziazëm se kanë realizuar dy-tre, apo ndonjëherë edhe katër premiera në vit - përballë ndonjë teatri tjetër, jashtë kufijve ky raportim do të quhej krejtësisht qesharak. Një Teatër Kombëtar, që realizon vetëm tre premiera, në vit është krejtësisht absurde. Aq më tepër kur në një treg metropolitan si Tirana mungon një teatër i dytë, a ndonjë kompani teatrore private. Ndonëse Kristaq Skrami e ndjen veten më superiorë se kolegët paraardhës, sa u takon shfaqjeve të vëna në skenë, ai përsëri na jep gati të njëjtat shfaqje për gjithë vitin, që janë vënë me javë në skenë, por ka dhe nga ato premiera si ajo më e fundit e Mihallaq Luarasit që pa vetëm tri ditë skenën. Më poshtë në intervistën për “standard” Skrami përpiqet të na tregojë raportin e tij me teatrin e sezonit të ri, me shfaqje të vjetra dhe raportin e tij me ministrin e ri të Kulturës, para të cilit ka thënë çfarë pune ka bërë dhe çfarë i duhet teatrit. Skrami nuk ndjen ndonjë frikë se Xhaferri do ta lëvizë që andej...

Çfarë do veçoni si pika të forta të drejtimit tuaj, si dhe të funksionimit të teatrit, qoftë dhe në raport edhe me shfaqjet për sezonin e kaluar dhe si do të vijojë ky sezon?

Siç dihet, është çelur tashmë sezoni i ri në Teatrin Kombëtar. Pas shfaqjes “Antigona kërkon të atin...”, po vijojmë me një tjetër, pra “Forca e zakonit”. Kjo është vepër e një prej autorëve më të mëdhenj të hapësirës gjermano folëse, siç është Tomas Bernard. Ky ka qenë dhe është një projekt që unë kam nënshkruar, ku të paktën një shfaqje nga Teatri Kombëtar të trajtohej nga një staf e me regjisorë të huaj. Gjykoj se kjo iniciativë ka funksionuar goxha mirë, duke filluar që nga bashkëpunimi i parë me regjisorin francez, Erik Vinje, më pas me regjisorin grek mbi shfaqjen “Trojanët”, ndërsa ky është bashkëpunimi i tretë, i cili është pritur mirë si nga spektatorët, ashtu edhe nga kritika. Njëkohësisht jemi në tratativa që edhe gjatë vitit 2010 ne sërish të kemi një bashkëpunim me një regjisor të huaj. Janë parë dy-tre mundësi të tilla me një regjisor gjerman, si dhe me një personalitet të aktrimit dhe regjizurës greke që mund të jetë prezent në skenën e TK-së me një shfaqje të antikitetit. Në kushtet që ne jemi, si anëtar të Unionit Evropian Teatror ku ne ballafaqohemi me kolegët tanë në Perëndim, do të gjykoja që një vepër e antikitetit, pse jo edhe një tjetër prej Shekspirit, apo një autor tjetër i madh, po punohet që të vihet në skenë. Në pesë apo gjashtë projekte që zhvillohen në teatër në këtë sezon, mendohet që dy prej tyre të jenë nga antikiteti apo Shekspiri. Po ashtu do të paraqiten edhe bashkëpunime me autorë të tjerë bashkëkohorë, por nuk do të mungojë edhe dramaturgjia kombëtare, sigurisht duke përzgjedhur më të mirën.

Një hap tjetër i rëndësishëm është edhe konkursi i dramës shqipe, sepse në kuadër të tij zhvillohet jo vetëm konkursi i cili do të përfundojë në datë 25 dhjetor, por ajo që ka më shumë vlera është mënyra se si do të trajtohet vepra fituese. Ajo e cila do të kryesohet nga një juri ndërkombëtare do të përkthehet në gjermanisht në 11 mijë kopje pas një ceremonie në Vjenë në muajt mars-prill. Po ashtu, vepra do vihet në skenë në një teatër në Austri ose në Zvicër si dhe një çmimi prej 3500 euro.

Me sa duket paska ndikuar vetëm anëtarësimi në nisma të tilla të mëdha për të na nxitur në vënien e veprave të mëdha, si Shekspir, apo ndonjë tjetër me peshë në teatër?

Nuk është vetëm kjo arsyeja, por nëse ju kujtohet unë kam tentuar të bashkëpunoj me një regjisor anglez për të vënë një vepër të Shekspirit, por për arsye të konfirmuara nuk e di se përse u tërhoq nga marrëveshja.

Duhet patjetër një regjisor anglez për të vënë Shekspirin në skenë?

Jo, absolutisht. Mund të jetë një regjisor italian, gjerman, por edhe shqiptar. Por kjo ishte një lidhje e krijuar për shkak se regjisori në fjalë ishte i njohur, pasi kishte vënë disa pjesë të Shekspirit në skenë.

A është përcaktuar kalendari artistik për këtë sezon?

Po, deri në fund të muajit janar, kalendari është përcaktuar duke pasur parasysh që brenda tij do të jetë edhe premiera “Kush ka frikë nga Virgjinia Wolf”, rreth datës 12-13 nëntor, e njëkohësisht ne po këmbëngulim që të konsolidojmë teatrin me repertorin e TK-së. Kjo realizohet duke përcaktuar në këtë kalendar pesëmujor shfaqjet që janë bërë përpara në teatër. Kështu veç këtyre dy premierave si “Antigona kërkon të atin...” dhe “Forca e Zakonit”, si dhe “Kush ka frikë nga Virgjinia Wolf” ne kemi përcaktuar në kalendar përsëri shfaqje si “Filumena Marturano”, “Alegreto Albania”, apo bashkëpunimet e TK-së siç është “Këngëtarja tullace”, “Menaxheria e qelqtë”, të cilat do të plotësojnë kuadrin e të gjithë kalendarit. Ndërsa pas janarit do të ketë edhe shfaqje të reja.

Si kanë qenë prurjet dhe kriteret e veprave që do të përcaktojnë kalendarin e ri atëherë?

Ne kemi diskutuar dhe mbi një problem në bordin e teatrit. Nëse ne do të vërejmë që prurjet e regjisorëve nuk do të përmbushin mirë kriteret që kërkojmë, atëherë në mund të përcaktojmë një prioritet. Gjatë sezonit të ardhshëm deri në fund të muajit maj, do të përcaktojmë veprat nga antikiteti. Në qoftë se nuk do të kemi prurje veprash të kësaj periudhe nga regjisorët, në këtë rast do t’i përcaktojmë vetë ne si bord. Ndërkohë që regjisorët më pas, do të fokusohen në përgatitjet e mëtejshme të këtij projekti. E njëjta gjë ndodh edhe me veprat e Shekspirit, apo një tjetër dramë bashkëkohore, me qëllim që të konsolidojmë akoma edhe më shumë idenë që në Teatrin Kombëtar duhet të vihen autorë të mëdhenj për të na premtuar një shfaqe dinjitoze.

Anëtarët e bordit mbeten të njëjtë?

Po, ata janë Adriatik Hallulli, Altin Basha, Agim Zajmi, Artan Minarolli, unë si drejtor i Teatrit Kombëtar e kështu me radhë.

Meqenëse, tanimë ju duhet të bashkëpunoni me ministrin e ri të MTKRS-së, Ferdinand Xhaferri, a ju tremb mundësia e ndonjë lëvizjeje në postin tuaj aktual, si drejtor në Teatrin Kombëtar?

Besoj se nuk më shqetëson shumë ky aspekt. Kjo për arsye se performanca që duhet të ketë një teatër kombëtar është një prezantim i denjë jo vetëm para spektatorit të tij, në arenën kombëtare, por edhe në atë ndërkombëtare meqë ne jemi edhe anëtarë me të drejta të plota të ETC-së. Ministrit të ri unë i kam paraqitur një memo ku kam përshkruar të gjithë aktivitetin e Teatrit Kombëtar gjatë gjithë kësaj periudhe, me qëllim që edhe ai të krijojë një ide të plotë se çfarë bëhet me këtë institucion prestigjioz. Kështu, ai do të krijojë me lehtësi prioritetet e tij në lidhje me TK-në. Me bisedën që kam pasur me të, mendoj se kemi gjetur një mirëkuptim të plotë në shumë drejtime.

Cilat kanë qenë kërkesat që i keni shprehur atij pas këtij takimi?

Kam kërkuar që buxheti ynë të rritet, si dhe të krijojmë një statut tashmë, i cili është përfolur jashtë mase në kohën e ish-ministrit Pango. Po ashtu i kam kërkuar të krijojmë edhe një status të veçantë për aktorët dhe artistët.

Sa është përqindja që keni shprehur, në shtimin e buxhetit të ri?

50% më shumë të buxhetit aktual, sepse veç realizmit të projekteve, unë kam parashikuar që të vazhdoj iniciativën që ndërmorëm vitin e kaluar për qarkullimin e vlerave në Teatrin Kombëtar në disa bashki të ndryshme dhe teatro kryesore. Pavarësisht se kemi pasur një bashkëpunim të mirë me kryetarët e bashkive, e mira e kësaj nisme do të kishte qenë edhe përcaktimi i një buxheti, veç bashkëpunëtorëve të tjerë të huaj.

A është përcaktuar ende buxheti i këtij viti?

Ne kemi dërguar kërkesën, por gjatë muajve në vijim ne do të përcaktojmë saktë se sa do të jetë buxheti i Teatrit Kombëtar. Besoj se do të kemi një mirëkuptim pas një takimi që parë kam pasur me ministrin e ri të MTKRS-së, Ferdinand Xhaferri.

Cila ka qenë shfaqja teatrale që ka siguruar më shumë të ardhura në këtë sezon?

Mendoj se shfaqja më e shikuar është “Filumena Marturano” duke u ndjekur edhe nga komedia “Të gjithë me huqe”. Po ashtu nuk mbetet pas edhe shfaqja “Fishkëllimë në errësirë” nga një autor i madh irlandez etj. “Filumena Marturano” si shfaqja më e ndjekur ka siguruar shitjen e 5-6 mijë biletave, ku të ardhurat nga shitjet e këtyre të fundit siç e kam deklaruar kanë ardhur vetëm duke u rritur nga viti më vit.

Festivali teatror i të rinjve është po ashtu pjesë e projekteve në TK. Si paraqitet ecuria e këtij edicioni?

Festivali i të rinjve është drejt konkretizimit të tij. Këtë fundjavë do të kemi shfaqjen e parë prej tyre. Është punuar me pak sforco, duke qenë se janë gjashtë projekte të përcaktuara, ku një prej tyre është nga Kosova. Sallat kanë qenë të mjaftueshme, por edhe jo sepse gjatë kësaj periudhe ne nuk duhet të synojmë vetëm me aktivitetin kryesor në teatër. Kështu që këto shfaqje është përcaktuar që të shfaqen në sallën e vogël të TK-së. Kalendari parashikon që për çdo fundjavë të jepet nga një shfaqje, ndërsa në javën e fundit të muajit nëntor do të zhvillohet edhe festivali i teatrit i të rinjve, për të përcaktuar edhe fituesin e saj. Kriteri kryesor i pranimit të regjisorëve të rinj ishte ai artistik, pra jo vetëm duke përcaktuar veprat e tyre përfaqësuese, por edhe platformat regjisoriale. Po ashtu, ata duhet të ishin nën moshën 35 vjeç, bashkë me pjesën tjetër organizuese të një shfaqjeje si skenografët, aktorët, me përjashtim kur një rol e kërkon personazhin në moshë madhore.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›