Skrapari, Patushi pret rezultat pozitiv në Lushnjë
Barazimi me Luftëtarin është lënë pas nga lojtarët e Skraparit, që po mendojnë me qetësi për transfertën e Lushnjës. Kalendari nuk i favorizon skraparlinjtë në këto javë të para të fazës së dytë, ku përballë kanë pasur ekipe pretendente. Megjithatë, stafi teknik është optimist për të ardhmen. Trajneri Saimir Patushi është shprehur i kënaqur për barazimin me Luftëtarin dhe shpreson për pikë në Lushnjë:
“Skuadra tregoi grintë dhe dëshirë në ndeshjen e fundit, duke e përballuar Luftëtarin. Edhe me barazimin duhet të jemi të kënaqur. Po kalojmë një moment të vështirë edhe për shkak të kalendarit, që na ka vënë përballë ekipeve më të forta. Kemi një tjetër ndeshje të vështirë me Lushnjën në transfertë, ku do të kërkojmë rezultat pozitiv. E kemi vlerësuar Lushnjën dhe do t’i bëjmë të gjitha përpjekjet për të marrë një pikë. Do të jetë e vështirë, por jo e pamundur”.
