E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thana: Me Ilirinë vendosin kualitetet e Kukësit

Mesfushori Jozef Thana shpreh besimin për fitoren e radhës  në transfertën e nesërme në  Fushë-Krujë

Kukësi po përgatitet për transfertën me Ilirinë në qytetin verior, ku ka edhe ngrohtësin e tifozëve të vet. Të gjithë lojtarët janë gati dhe besojnë se Kukësi do të marrë një rezultat pozitiv, pse jo edhe fitoren në fushën e Ilirisë. Mesfushori Jozef Thana është i bindur se shumë shpejt skuadra do të ngjitet në vend të dytë. Për “Sportin shqiptar” ai ka theksuar: “Kemi një transfertë të vështirë me Ilirinë, por fakti që vijmë pas fitores me Besën, ku zhvilluam edhe një lojë bindëse, na bën të besojmë se do të ecim në vazhdën e rezultateve pozitive.

Iliria ka treguar vlera në kategorinë e parë, madje edhe në ndeshjet jashtë, por ne kemi një objektiv të rëndësishëm për të realizuar dhe do të japim maksimumin për të marrë 3 pikët. Kukësi do të jetë shumë shpejt në vend të dytë dhe në fund të kampionatit do të festojë për ngjitjen direkt në superligë. Për ne të gjithë kundërshtarët janë njësoj dhe çdo ndeshjeje ia bëjmë hyzmetin si duhet.

Gjendja Për ndeshjen e nesërme, trajneri Shahin Berberi do t’i ketë të gjithë lojtarët në dispozicion, një plus për një sfidë të vështirë si kjo me Ilirinë. “Javët e shkuara kemi pasur edhe mungesa titullarësh, kurse në Fushë-Krujë shkojmë me formacion të plotë, kështu që kemi më shumë mundësi për fitore.

Shpresojmë që të jetë një ndeshje korrekte, jo si në disa transferta, ku jemi mundur nga faktorë pa lidhje me futbollin, ka shtuar Thana. Kukësi do të zhvillojë sot seancën e fundit stërvitore dhe në mesditë do të grumbullohet në  një prej hoteleve pranë Fushë-Krujës, për të qenë më i qetë psikologjikisht. Pritet që ndeshjen ta ndjekin nga afër qindra tifozë kuksianë, presidenca dhe gjithë donatorët.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›