QSUT, pavijonet që kanë pasur fluks më të madh pacientësh gjatë verës
Gjatë sezonit të verës QSUT-ja ka fluks të madh pacientësh, të cilët janë përqendruar vetëm në disa spitale. Më tepër spikasin ato spitale për personat që vuajnë nga sëmundje, të cilat janë më problematike gjatë sezonit të verës. Në një vëzhgim të bërë në disa nga pavijonet e QSUT-së, më të mbipopulluarit kanë rezultuar Spitali i Pediatrisë, Spitali i Kardiologjisë, Spitali Infektiv dhe Urgjenca Kirurgjikale. Spitali i Kardiologjisë ka mbi 200 raste në javë që trajtohen në këtë qendër për shkak të problemeve kardiologjike që janë tepër të përhapura në këtë stinë, nga temperaturat e larta. Shifrat më të larta i ka Pediatria ku prêt çdo ditë 250 fëmijë, të cilët trajtohen dhe largohen pranë familjeve. Problemet kryesore të fëmijëve janë virozat e stinës. Ndërsa Spitali Infektiv ka numrin më të madh të personave që pretendojnë se janë prekur nga virusi i gripit të derrit, si dhe nga ata që janë me helmime ushqimi. Ndërsa Urgjenca e Kirurgjikale është i vetmi spital që ka numrin më të lartë të operacioneve, pasi në pavijonet e tjera operacionet janë ndërprerë. Mjekët kryejnë ndërhyrje vetëm për rastet që paraqiten në urgjencë. Këto janë spitalet që kanë dhe numrin më të lartë të pacientëve gjatë sezonit të verës. Ndërsa stina e dimrit i balancon disi shifrat për shkak të punës me kapacitete të plota dhe problemeve paksa më të ndryshme nga stina e verës.
24 Gusht 2009