E Diel, 1 Nëntor 2026

Super-lotaria italiane, fitohen 146.9 milionë euro

 

Çmimi i madh i lotarisë italiane “SuperEnalotto”, i cili nuk ishte fituar që prej muajit janar, ka shkuar tek një biletë e blerë në Toskana. Fituesi i kësaj bilete nuk është identifikuar, por jeton në qytetin Banjone, ku njerëzit kanë festuar jashtë klubit “Biffi” ku ishte blerë bileta. Kryetari i bashkisë së qytetit, Gianfranco Lazzeroni, tha për mediat se shpresonte që qyteti të përfitonte nga kjo fitore. “Shpresoj që çmimi i madh të ketë shkuar në duart e një personi skrupuloz, që do ta kuptojë këtë mundësi që ka si për veten, ashtu edhe për komunitetin e vogël. Me kaq shumë para mund të bëjë gjëra të mrekullueshme. Vetëm mendoni se buxheti vjetor i bashkisë sonë është vetëm 2.3 milionë euro”, tha Lazzeroni. Çmimi madh i lotarisë ishte 146.9 milionë euro dhe lajmi se ai ishte i disponueshëm që nga janari ka bërë që njerëz nga mbarë Evropa të shkonin në Itali për të blerë bileta lotarie. Pronari i barit ku është shitur bileta e “Superenalotto”-s tha se e di kush është fituesi. “E di kush është, por nuk e them emrin e tij. Më telefonoi në mbrëmje duke më falënderuar shumë herë”, tha ai duke dhënë vetëm një detaj të vogël, se personi “fitues nuk është as i ri dhe as plak”. Ai që mendohet se ka fituar, një person me inicialet A.B., 48 vjeç, vartës në një kompani shërbimesh, e ka kaluar mëngjesin e djeshëm duke i dhënë traktorit në sheshin e qytezës me shumë pak banorë, shumica të moshuar. Por asnjë prej atyre që mendohen fitues nuk e ka pranuar publikisht faktin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›