Kodi Penal, opozita kundër ndëshkimeve për ndërtimet pa leje
Opozita konteston ndryshimet në Kodin Penal, duke vënë në rrezik votimin e propozimeve të qeverisë në Kuvend, pasi kërkohet një shumicë e cilësuar të votave. Edhe pse në parim kundër ka votuar vetëm deputeti i LSI-së, Spartak Braho, ndërsa kanë abstenuar deputetët e PS-së, Pandeli Majko dhe Besnik Dervishi. Ndryshimet në Kodin Penal për dënimet alternative, për punë pa pagesë, si dhe rritja e masës ndëshkimore për ata persona që vjedhin energjinë elektrike, vënë zjarrin pyjeve, apo kryejnë ndërtime të paligjshme për pronën, u kontestua nga opozita. Socialistët u shprehën kundër vetëm për pjesën e ndëshkimeve me burgim si masë ekstreme për ndërtimet pa leje, apo për vjedhësit e energjisë elektrike, duke u shprehur se duhej të qëndronte masa e ndëshkimit me gjobë. “Shqetësimi im është se kemi të pambyllur një proces të legalizimeve. Ç’do të ndodhë me procesin, pra jemi në varësi të ALUZNI-t. Kjo do të thotë nëse ta pranojë dosjen Shabani je në rregull, nëse s’ta pranon dosjen Shabani, shkon në burg. Shteti deri më sot nuk garanton qytetarët me sahat elektrik, për ndërtimin pa leje dënohet me shtatë vjet, ndërsa për pushtim pa leje merr gjobë dhe tre vjet burg.
Duhet mbyllur procesi i legalizimeve dhe pastaj të diskutojmë për dispozitat e reja të Kodit Penal”, deklaroi Majko. Ndërsa deputeti i PBDNJ-së, Spiro Peçi ka deklaruar se një masë e tillë vjen si rezultat pasi shteti dështoi në strukturat e tij, për ndëshkimin me gjobë të kundërvajtësve ligjorë. Ndërsa deputeti i LSI-së, Spartak Braho ka deklaruar se, “kjo nuk ka të bëjë me reformën, këto ndryshime të paraqitura janë copa. Ne kemi nevojë për një Kod Penal unik, natyrisht do kapacitet ta ndryshosh dhe ta vësh, sepse Kodi Penal i sotëm është si fustani i Ishes”. Ndërsa socialisti Isaraj deklaroi se kjo vjen si pasojë e dështimit të shtetit, pasi “këtej ulim dënimet i ofrojmë alternative, ndërsa nga ana e tjetër kthehemi në lashtësi duke dhënë masa ndëshkimore ekstreme për vjedhjen e energjisë elektrike”. Ndërsa Rusmali kundërshtoi qëndrimet e opozitës duke theksuar se, “ne nuk mund të rrimë. Për sa kohë nuk funksionon ligji, ne duhet të lëvizim që ta bëjmë atë që të funksionojë”. Kryetari i komisionit, Ilir Rusmali, pranoi se amendimet e paraqitura nuk janë pjesë e reformës në drejtësi, por sillen si domosdoshmëri. Deri në nenin 10 të projektit të qeverisë, opozita s’ka pasur kontestime, më pas ajo ka votuar kundër ndryshimeve që prekin ndëshkimet për ndërtimet e paligjshme, si dhe për vjedhjen e energjisë apo të faturës së ujit.